BQK-ja dhe Eurostat-i diskutuan lidhur me zhvillimin e sistemit statistikor të Kosovës

Ekonomi

BQK-ja dhe Eurostat-i diskutuan lidhur me zhvillimin e sistemit statistikor të Kosovës

Më: 27 mars 2019 Në ora: 16:05
Pamje nga takimi

Zëvendësguvernatori i BQK-së për Mbikëqyrje Financiare, Sokol Havolli, ka takuar sot një delegacion të lartë të Eurostat-it për të diskutuar mbi statistikat dhe çështjet përkatëse që kanë të bëjnë me informacionin statistikor në Kosovë.

Zëvendësguvernatori Havolli ka informuar zyrtarët e Eurostat-it lidhur progresin e bërë nga BQK-ja në vitet e fundit për të zhvilluar një sistem të qëndrueshëm statistikor, që prodhon statistika cilësore të nevojshme për procesin e vendimmarrjes.

Me këtë rast, Zëvendësguvernatori Havolli potencoi se fokusi i BQK-së është në statistikat e sektorit monetar e financiar, sektorit të jashtëm dhe në statistikat e sektorit të llogarive financiare.

“Ne jemi të vetëdijshëm se pa statistika të shëndosha nuk mund të monitorojmë zhvillimet ekonomike e as të nxjerrim politika ekonomike të mira. Ne duhet të jemi të mirëinformuar, që të hartojmë politika dhe të marrim vendime adekuate, si në sektorin privat ashtu edhe atë shtetëror. Prandaj, BQK-ja është e përkushtuar në përpilimin e të dhënave me cilësi të lartë. BQK-ja që nga themelimi i saj ka punuar në tre elemente kryesore për të ndërtuar një sistem të mirë statistikor: (a) kemi investuar në ngritjen e kapaciteteve për t’iu përgjigjur kërkesave për të dhëna me cilësi të lartë dhe në kohë; (b) gjithmonë kemi zbatuar metodologjitë e fundit ndërkombëtare për përpilimin e të dhënave që janë në domenin e BQK-së; dhe, (c) kemi ndërtuar një sistem efikas të publikimit të shpërndarjes  së të dhënave që prodhohen nga BQK-ja. Këtë vit, BQK-ja shënon 20 vjetorin e themelimit dhe për këtë periudhë njëzetvjeçare janë bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin e një sistemi statistikor që publikon statistika cilësore”, Zëvendësguvernatori Havolli.

Ai ka përmendur edhe sfidat që e presin BQK-në sic janë: avancimi i mëtutjeshëm i kuadrit ligjor e institucional dhe harmonizimi i plotë me ‘EU acquis’, përpilimi i statistikave për llogaritë financiare, si dhe forcimi i mëtejmë i kapaciteteve njerëzore me staf shtesë dhe trajnime.

Zëvendësguvernatori Havolli falënderoi Eurostat-in për mbështetjen konstruktive në avancimin e sistemit statistikor të Kosovës dhe se BQK-ja është e gatshme të forcojë më tutje këtë bashkëpunim për të dërguar më shumë të dhëna për Kosovën në Eurostat.

“BQK do vlerësonte shumë çdo mbështetje nga Eurostati dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtar në procesin e harmonizimit të plotë të kuadrit ligjor të Kosovës me legjislacionin e BE-së në fushën e statistikave. Kosova ka nevojë edhe për mbështetje në procesin e ndërtimit të një kornize për përpilimin e statistikave të llogarive financiare. Çdo mbështetje në këtë kontekst do të na ndihmonte që të përshpejtojmë harmonizimin e plotë të statistikave tona me ato të vendeve të BE-së”, tha tutje Zëvendësguvernatori Havolli.

Përfaqësuesit e Eurostat-it, të kryesuar nga Eduardo Barredo Capelot, Drejtor për Bashkëpunim Statistikor në Eurostat, falënderuan Zëvendësguvernatorin Havolli për informimin.

Ata shprehën gatishmërinë për përkrahjen e mëtejmë të BQK-së dhe Kosovës në përgjithësi, në zhvillimin e mëtejmë të sistemit statistikor dhe harmonizimin e plotë të statistikave në përputhje me EU acquis.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat