Qeveria i jep tender kompanisë që i paguan 1 cent në orë punëtorët

Ekonomi

Qeveria i jep tender kompanisë që i paguan 1 cent në orë punëtorët

Më: 28 mars 2019 Në ora: 20:14
10 cent dhe 20 cent është shuma e parave që marrin punëtorët e këtyre kompanive për një orë pune.

Tri kompani që operojnë në Kosovë mund të hyjnë edhe në librin e rekordeve botërore për pagat e punëtorëve. 0.1 cent, 10 cent e 20 cent është shuma e parave që marrin punëtorët e këtyre kompanive për një orë pune. Por, pavarësisht kësaj, Ministria e Infrastrukturës ka lidhur kontrata me këto kompani për mirëmbajtje të rrugëve. Në KDI thonë se kompanitë kanë ofertuar me këto çmime vetëm që ta fitojnë tenderin. Derisa në MI deklarojnë se kontratat janë lidhur duke marrë parasysh vetëm aktet ligjore të cilat i kërkon procedura e prokurimit. Ndërkohë, në Inspektoratin e Punës i këshillojnë gazetarët që të shkojnë e të inspektojnë vetë këto kompani.

0.1 cent për një orë pune. Kaq është shuma e parave me të cilën paguhen punëtorët e kompanisë “RSM” për një orë pune, kompani kjo që merret me mirëmbajtjen e rrugëve nacionale dhe regjionale në vend.

Më kaq pak para për orë pune paguhen edhe kolegët e tyre nga kompania “Drini Company” dhe “Victoria Invest Internacional”.

10 cent dhe 20 cent është shuma e parave që marrin punëtorët e këtyre kompanive për një orë pune.

Së paku kështu kanë deklaruar vetë kompanitë në fjalë kur kanë dorëzuar ofertat e tyre për tenderin e shpallur nga Ministria e Infrastrukturës.

E pikërisht me këto çmime, këto kompani kanë arritur që të shpallen fituese të tenderin për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe regjionale në vend.

Në Ministrinë e Infrastrukturës e pranojnë se kanë lidhur kontrata me këto kompani, pavarësisht çmimeve me të cilat kanë ofertuar.

Sipas Zyrës për Informim të MI’së, kontratat janë nënshkruar gjatë 2018’ës.

Në këtë institucion deklarojnë se kontratat janë lidhur vetëm duke marrë parasysh aktet ligjore të cilat i kërkon procedura e prokurimit. Derisa thonë se për inspektim të kompanive rreth respektimit të ligjeve të tjera, përgjegjësia u takon institucioneve tjera.

“Gjatë udhëheqjes se procedurave të këtyre projekteve, janë marrë parasysh vetëm aktet ligjore të cilat procedura e prokurimit i kërkon. Ato janë: Ligji i Prokurimit Publik, Rregullorja dhe Udhëzuesi Operativ për Prokurim Publik. Ndërsa për inspektim të kompanive rreth respektimit të ligjeve të tjera, në këtë rast ligjin e punës apo pagës minimale, janë kompetente institucionet e tjera”, thuhet në përgjigjet e MI’së.

Por, në Institutin Demokratik të Kosovës thonë se me pranimin e këtyre ofertave, Ministria ka legjitimuar shkeljen e të drejtave të punëtorëve. Derisa thonë se kompanitë kanë ofertuar me këto çmime vetëm që ta fitojnë tenderin.

“Me pranimin e këtyre ofertave, Ministria e Infrastrukturës ka legjitimuar shkeljen e të drejtave të punëtorëve të mbrojtura me Ligjin e Punës si dhe ka vepruar në kundërshtim me Rregullat dhe Udhëzuesin Operativ për Prokurim Publik”, thonë në KDI.

Ndërkohë, në Inspektoratin e Punës janë informuar ditë më parë lidhur me çmimet që kanë deklaruar këto kompani. Por, pavarësisht se janë informuar për këtë, asnjëra prej kompanive nuk është inspektuar ende.

Kryeinspektori Basri Ibrahimi ka thënë se është i sigurtë se këto nuk janë çmimet me të cilat paguhen punëtorët për orë pune, derisa më vonë ka rënë në kundërshtim edhe me veten, duke thënë se nuk e di për cilat kompani bëhet fjalë.

“Nuk i kemi isnpektu, dhe absolutisht nuk qëndrojnë këto. Ju duheni me kuptu qysh bahen tenderet. Nuk e di cilat janë ato. Nashta i kemi inspektu, edhe nuk e dimë për cilat kompani është fjala.Ne nuk kemi databazë me ditë cilat kompani i kemi inspektu. Por, për një sen jam shumë i sigurtë, që ajo që e ka shkru KDI’ja nuk qëndron”, ka thënë Ibrahimi.

Madje, ai ka sugjeruar gazetarët që të shkojnë vetë nëpër kompani që t’i inspektojnë dhe vërtetojnë këto pretendime.

“Shkoni në kompani edhe pyetni, pse po na pyetni neve. Shkoni vërtetoni vetë. Për me vërtetu, me nis ashtu sa dilemat i kanë gazetat, mbesim veq jashtë. Më lehtë e keni, se neve na vijnë përditë këso ankesash. E dini gjendjen në Inspektorat”, përfundoi Ibrahimi.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat