OAK dhe ITA me mundësi të mëdha bashkëpunimi

Ekonomi

OAK dhe ITA me mundësi të mëdha bashkëpunimi

Më: 3 prill 2019 Në ora: 13:12
Pamje nga takimi

Përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës kanë mirëpritur drejtoreshën e Italian Trade Agency, Elisa Scelsa dhe analistja e tregtisë, Manjolla Mumajesi, me qëllim të diskutimit lidhur me mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve kosovare dhe italiane.

Kryetari i bordit të Odës e Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, theksoi që OAK u themelua si rrjedhojë e nevojës së bizneseve për adresim dhe lobim për zgjidhjen e problemeve me të cilat ato po përballen.

Krasniqi shtoi që OAK është e përkushtuar të përmirësojë klimën e të bërit biznes në vend dhe njëkohësisht të krijojë lehtësira për bashkëpunim të bizneseve anëtare me ato ndërkombëtare, gjë të cilën pret se do të arrihet edhe nga bashkëpunimi me ITA.

Anëtari i bordit të OAK-ut, Hysni Zogaj, fokus të veçantë i kushtoi përparësive të investimit në Kosovë, ndër të cilat u veçuan popullsia më e re në Evropë, klima e përshtatshme dhe kosto e ulët e qirasë për zhvillim të bujqësisë.

Drejtoresha Scelsa përgëzoi OAK-un për punën e saj dhe theksoi që interesimi i bizneseve italiane për të bashkëpunuar me bizneset e Kosovës ekziston, mirëpo një nga problemet kryesore me të cilin po përballen janë vështirësitë për marrjen e një oferte për bashkëpunim nga ana e Qeverisë, se çka konkretisht ofron për bizneset e interesuara që të investojnë në Kosovë.

Gjatë këtij takimi u diskutuan edhe disa nga mënyrat e bashkëpunimit ndërmjet të dy palëve, frytet e së cilës pritet të shihen në të ardhmen.

Oda e Afarizmit të Kosovës në këtë takim u përfaqësua nga: kryetari i bordit Skënder Krasniqi, anëtari i bordit Hysni Zogaj, biznesi anëtar Qendrim Kryeziu, koordinatorja Qendresa Ibrahimi dhe zyrtarja Mirjeta Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat