Vendet e Ballkanit Perëndimor do të ulin çmimet e thirrjeve telefonike - Bota Sot
Vendet e Ballkanit Perëndimor do të ulin çmimet e thirrjeve telefonike

Ekonomi

Vendet e Ballkanit Perëndimor do të ulin çmimet e thirrjeve telefonike

Më: 4 prill 2019 Në ora: 16:55
Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të takimit të dytë digjital të Ballkanit Perëndimorë, që po mbahet në Beograd

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, nënshkruan të enjten një marrëveshje për heqjen e romingut dhe uljen e tarifave telefonike ndërmjet tyre.

Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të takimit të dytë digjital të Ballkanit Perëndimorë, që po mbahet në Beograd, ku po merr pjesë edhe një delegacion i Kosovës i udhëhequr nga ministri i Zhvillimit ekonomik, Valdrin Lluka.

Të gjashtë vendet nënshkruese, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, pritet që nga muaji korrik i këtij viti të ulin çmimet e thirrjeve telefonike ndërmjet tyre për 27 për qind, ndërsa nga korriku i vitit 2021, t’i heqin të gjitha tarifat e thirrjeve telefonike.

Udhëheqësja e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, tha se “nënshkrimi i marrëveshjes, është një hap që bën një ndryshim në rajon”.

Ndërsa, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje nuk ishte i lehtë për vendin e saj në një kohë kur, siç tha ajo, Prishtina po shkelë marrëveshjet tjera rajonale, duke ju referuar tarifave të vendosura nga Kosova për mallrat serbe.

Nënshkrimi për bashkëpunim në fushën e telekomunikacionit ndodhë në një periudhë tensionesh të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkak të mospajtimeve rreth tarifave prej 100 për qind të vendosura nga qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe në nëntor të vitit të kaluar.

Aktualisht procesi i bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë mbetet i pezulluar për shkak se Beogradi kushtëzon vazhdimin e tyre me heqjen e tarifave.

Disa vende të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë pezullimin e tarifave në mënyrë që t’i hapet rrugë bisedimeve dhe arritjes së një marrëveshjeje, që shihet vështirë e arritshme për shkak të qëndrimeve tërësisht të kundërta të palëve.

Tash për tash është e paqartë nëse mund të ketë një rifillim të shpejtë të bisedimeve. Beogradi pret që trysnia ndërkombëtare të nxis Kosovën të pezullojë tarifat, ndërsa Prishtina pret që perëndimi të shtojë trysninë mbi Beogradin dhe një kontratë që do të garantonte njohjen e pavarësisë së saj.

Një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...