Bregu: Kosova e Shqipëria përfitojnë 85% nga marrëveshja e Roamingut

Ekonomi

Bregu: Kosova e Shqipëria përfitojnë 85% nga marrëveshja e Roamingut

Më: 5 prill 2019 Në ora: 07:43
Majlinda Bregu

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, ka thënë se në momentin që marrëveshja e Roamingut të hyjë në fuqi, qytetarëve nga Shqipëria dhe Kosova do t’iu kushtojnë 85 për-qind më pak faturat e tyre kur do të jenë duke udhëtuar jashtë vendit.

Ajo këto informacione i dha për Klan Kosova, duke shtuar se nga kjo marrëveshje do të përfitojë edhe Serbia, Mali i Zi, Maqedonia Veriore dhe Bosnja e Hercegovina.

“Në fakt ne jemi bashkorganizatorë për samitin digjital, për faktin se agjenda digjitale është pjesë e atij procesi i cili ka nisur dhe është nënshkruar para tre vjetësh. Sigurisht me angazhimin që liderët morën në samitin e Sofjes, prej atij momenti mori rrugë procesi i marrëveshjes që arritëm sot”.

“Nga sot kjo do të jetë një fazë tranzicioni për reduktimin e tarifave. Për ne është detyrë primare dhe ka qenë fokusi kryesor i punës përgjatë këtyre tre muajve. Nuk ka gjë të lehtë në proceset e negociatave. Nganjëherë ka tensione, ka ditë ku duket se ke bërë hapa përpara dhe ka ditë kur duket se ke bërë tre hapa prapa”.

“Kjo marrëveshje ka marrë 10 vjet kohë për Bashkimin Europian për t’u realizuar. Marrëveshja e sotme është një histori suksesi sepse kemi arritur të tregojmë pronësi në procesin e bashkëpunimit rajonal duke e kryer këtë marrëveshje për një vit”.

“Agjenda digjitale është një pjesë e strategjisë së zgjerimit të BE-së. Tregu i përbashkët rajonal është një model i cili vjen nga tregu europian. Ky është një proces i cili na afron drejtpërsëdrejti me Europën sepse u jep mundësinë qytetarëve që të përfitojnë të njëjtat të drejta që i kanë edhe qytetarët europianë”.

Bregu ka shtuar se gjashtë vendet pjesëmarrëse të kësaj marrëveshje do të mund të komunikojnë mes vete me çmime më të ulëta. Ajo ka theksuar se kjo marrëveshje do ta hapë rrugën e procesit për të ulur tarifat midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.

“Marrëveshja për Roaming ka qenë në fuqi për katër ekonomi në Ballkanin Perëndimor. Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina kanë qenë përfituesit e parë të kësaj marrëveshje”.

“Kjo marrëveshje e cila nënshkruhet sot kërkonte domosdoshmërisht firmosje nga të gjashta ekonomitë e Ballkanit Perëndimor sepse ky ishte kushti për të nisur dialogun për të ulur tarifat”.

“Të katër ekonomitë që e kanë pasur këtë marrëveshje, tani do të mund të përfitojnë 27 për-qind të çmimeve më të ulëta, në momentin që marrëveshja do të hyjë në fuqi”.

“Ndërsa për Shqipërinë dhe Kosovën të cilat nuk kanë qenë pjesë e kësaj marrëveshje, në momentin që marrëveshja hynë në fuqi, përfitimi financiar është 85 për-qind, ose thënë ndryshe, më pak do t’iu kushtojnë faturat e tyre të telefonit kur do të jenë duke udhëtuar jashtë vendit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat