Për tre muaj, pranimet në buxhet janë 464,79 milionë euro, shpenzimet 401,02 milionë euro

Ekonomi

Për tre muaj, pranimet në buxhet janë 464,79 milionë euro, shpenzimet 401,02 milionë euro

Më: 26 prill 2019 Në ora: 12:16
Mbledhja e Qeverisë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar raportin e parë tremujor të buxhetit për vitin 2019, ku është bërë e ditur se pranimet në buxhet në këtë periudhë janë 464,79 milionë euro, ndërkaq shpenzimet janë 401,02 milionë euro.

Po ashtu, Qeveria në këtë mbledhje ka ndarë 1 milion euro për komunën e Rahovecit për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga breshëri dhe vërshimet në vitin 2018. Qeveria ka ndarë edhe 390 mijë euro për shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së.

Ministri i Financave Bedri Hamza, derisa ka prezantuar raportin tremujor të buxhetit, ka thënë se trendi i të hyrave është pozitiv në dy institucione që janë përgjegjëset kryesore për administrimin dhe grumbullimin e të hyrave në Doganë dhe në ATK, ku tha se ka një rritje prej 10 përqind dhe se ka një përforcim të pozitës së likuiditetit të shtetit në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Hamza: Pranime përgjatë 6 mujorit arritën vlerën 464.79 milionë euro

"Pranime përgjatë 6 mujorit arritën vlerën 464.79 milionë euro, apo 56.28 milionë euro më shumë krahasuar me tre mujorin e vitit 2018. Si rezultat i rritjes së pranimeve buxhetore që arritën vlerën 388.55 milionë euro duke shënuar një rritje prej 10 përqind ose 36.49 milionë euro më shumë krahasuar me tre mujorin e vitit 2018. Kjo rritje ka ardhur kryesisht si rezultat i rritjes së të hyrave tatimore neto prej 31.82 milionë euro, të hyrat jo tatimore janë rritur për 4.67 milionë euro, si dhe rritjes së pranimeve  nga financimet që arritën vlerën 76.25 milionë euro apo 19.79 milionë euro më shumë sesa periudha e tre mujorit të parë të vitit 2018. Përkatësisht nga pranimi i fondeve të likuidimit nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit në vlerë prej 43.22 milionë euro. Gjithsej pagesat arritën në vlerë prej 401.02 milionë euro me një ulje prej 3 përqind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018, si rezultat i zvogël imit të shpenzimeve buxhetore përfshi pagesën e interesit prej 4 përqind dhe si rezultat i ritmit më të ngadaltë të ekzekutimit të shpenzimeve kapitale 37.3 milionë euro dhe ky si rezultat i mos aprovimit me kohë të ligjit të buxhetit për vitin 2019", tha Hamza.

Ministri i Financave  bëri të ditur se bilanci i fondeve me 31 mars ka arritur vlerën prej 450.06 milionë euro si rezultat i pranimit më të mëdha sesa pagesat, e që paraqitet një rritje prej 62.19 milionë euro.

Në këtë mbledhje të Qeverisë është aprovuar edhe Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2020-2022, ku ministri i Financave Bedri Hamza ka thënë se brenda periudhës afatmesme 2020-2022 rritja reale ekonomike pritet të jetë rreth 4.6 përqind.

Hamza: Brenda periudhës afatmesme 2020-2022 rritja reale ekonomike pritet të jetë rreth 4.6 përqind

“Korniza afatmesme 2020-2022 është ndërtuar mbi një skenar makroekonomik që parasheh përshpejtim të rritjes ekonomike në vend, e cila reflekton pritjet më optimiste për rritjen e eksporteve dhe investimeve. Ndërkohë që rritja e konsumit parashihet të ofrojë kontributin kryesor të rritjes. Brenda periudhës afatmesme 2020-2022 rritja reale ekonomike pritet të jetë rreth 4.6 përqind, por në supozimin se mund të fillojë edhe investimi në disa projekte të reja strategjike kapitale kjo rritje mund të jetë edhe më e lartë. Në vitin 2020 rritja ekonomike reale pritet të jetë rreth 4.7 përqind, ndërsa në dy vitet vijuese parashihet që të vazhdojë një trend përafërsisht i njëjtë”, tha ministri Hamza.

Prioritetet e reformave ekonomike për periudhën afatmesme Hamza tha se burojnë nga Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Programi për Reforma në Ekonomi 2019-2021, i cili rrjedh nga procesi i dialogut për qeverisje ekonomike ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Miratimin e Qeverisë së Kosovës e ka marrë edhe Programi i Borxhit Shtetëror për vitet 2020-2022, të cilin do ta procedojë në Kuvendin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndarjet e 1 milionë euro për Komunën e Rahovecit, për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga breshri dhe vërshimet në vitin 2018.

Haradinaj: Për Komunën e Rahovecit 1 milionë euro

“Zyra e kryeministrit ka pranuar një kërkesë nga Komuna e Rahovecit për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet dhe vërshimet, bazuar në kërkesën e lartcekur propozoj që t’i përgjigjemi pjesërisht meqë komuna ka paraqitur një kërkesë që shkon në disa milionë, por ne në bazë të rrethanave të tashme propozoj që të ndahen 1 milionë euro nga kategoria e shpenzimeve rezervë”, tha ai.

Haradinaj ka sugjeruar komunën e Rahovecit që proporcionalisht t’i ndajë tek të gjithë fermerët, pasi ai tha se nuk janë të sigurt që në një etapë të ardhshme mund të ndajnë shuma të tjera.

Është aprovuar pjesërisht edhe kërkesa e Shoqatave të dala nga Lufta e UÇK-së, për ndarjen e mjeteve financiare, në vlerë prej 390 mijë euro. Mjetet e ndara do të përdoren për funksionim të shoqatave, për rehabilitim dhe trajtim të pjesëtarëve të shoqatave dhe për mbulimin e shpenzimit të varrimit të veteranëve të luftës së UÇK-së.

Haradinaj: 390 mijë euro për Shoqatat e dala nga lufta

“Propozoj që të aprovohet pjesërisht kërkesat e Shoqatave të dala nda lufta, do të ndajmë mjete financiare në vlerë prej 390 mijë euro si në vijim, Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së 132 mijë, Shoqatës së Invalidëve të luftës së UCK-së 126 mijë e 500 euro, Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve 131 mijë e 500 euro. Mjetet propozohen të ndahen nga kategoria e shpenzimeve rezervë”, tha Haradinaj.

Në këtë mbledhje Qeveria e Kosovës ka emëruar Komisionin përzgjedhës për rekomandimin e kandidatëve për anëtar të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik në përbërje prej, Rozafa Ukimeraj, sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, kryesuese, Qemajl Marmullakaj, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë, anëtar, Naim Baftiu, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Financave, anëtar, Osman Vishaj, përfaqësues i Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik, anëtar, Isuf Zejna, Demokracia Plus, anëtar.

Po ashtu, Qeveria ka marr vendim për lirimin nga norma e taksës doganore për importet e shtazëve si: kuaj, gomar, mushka, gjedhe, derra, shpend dhe kafshë tjera të gjalla.

Gjithashtu janë liruar nga tatimi doganor për mallrat e importuara nga Bashkësitë Fetare, me qëllim të sigurimit të qëndrueshmërisë së tyre financiare.

Në mbledhjen e sotme ka marr miratimin e kabinetit qeveritar nisma për lidhjen e Marrëveshjes ndërkombëtare me Republikën e Francës për vendosjen dhe aktivitetet e Agjencisë Franceze për Zhvillim, PROPACO dhe Expertise France në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat