Telekomi i Kosovës në prag të falimentimit

Ekonomi

Telekomi i Kosovës në prag të falimentimit

Më: 6 maj 2019 Në ora: 16:15
Ndërtesa e Telekomit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës kërkon nga kompania “Z-Mobile”, që pagesa e borxhit prej mbi 25 milionë euro të mundësohet të bëhet me këste nga Telekomi i Kosovës, në të kundërtën kompania mund të falimentojë.

Borxhi prej mbi 25 milionë euro që Telekomi i Kosovës i ka kompanisë "Z-Mobile", ka të bëjë me mospërmbushjen e kontratës nga ana e Telekomit për dhënien e 100 mijë numrave të telefonit dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G.

Z-Mobile përmes një letre zyrtare që shënon datën 26 prill të këtij viti, i ka kërkuar kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës që në një afat brenda dy javësh të shlyhet borxhi prej 25 milionë e 900 mijë eurove, në të kundërtën në letër thuhet se Z-Mobile do të fillojë procedurat e përmbarimit.

“Tani vendimi i Arbitrazhit është i përmbarueshëm dhe kamatat ligjore rriten çdo ditë, prandaj vonesat në pagesën e borxhit nga vendimi i Arbitrazhit më së paku i konvenojnë Telekomit të Kosovës. Duke pasur parasysh të lartcekurat ju lusim që brenda afatit prej 14 ditësh nga data e pranimit të kësaj shkrese të deklaroheni se a dëshironi ta paguani borxhin vullnetarisht, pa nevojë nga ana jonë që të iniciohen procedurat e përmbarimit”, thuhet në këtë letër zyrtare.

Kompania “Z-Mobile” ekzekutimin prej rreth 26 milionë euro po e kërkon nga Telekomi i Kosovës mbi bazën e vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit në Odën Ekonomike Ndërkombëtare të vitit 2016.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo çështje duhet të negociohet dhe të mundësohet që pagesa e kësaj shume të bëhet me këste.

“Nuk dua të kundërshtojë vendimin e Arbitrazhit, një vendim që e ka konfirmuar edhe Gjykata Themelore edhe ajo e Apelit në Kosovë, por ideja është që të ulemi dhe të diskutojmë të gjejmë një mes të artë. Problemi i vetëm te Telekomi për momentin është kërcënimi i fundit nga ‘Z-Mobile’ për të inkasuar paratë e Arbitrazhit përmes përmbaruesit. Një vendim i tillë nëse tërhiqen në mënyrë të njëanshme të menjëhershme që janë mbi 25 milionë euro, e rrezikon Telekomin, punëtorët dhe sigurinë kombëtare të telekomunikimeve, pra është një problem tek inkasomi i mjeteve nga përmbaruesit që bllokon llogaritë bankare të Telekomit”, thotë Lluka.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës është duke punuar që t’i del në ndihmë Telekomit, pasi që po rrezikohet që një numër i madh i punëtorëve të mbesin pa punë.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në rrjetin e tij social në Facebook, pas një takimi që ka zhvilluar me drejtorin ekzekutiv të Telekomit të Kosovës Bedri Istrefi, ka thënë se Qeveria e vendit po angazhohet për qëndrueshmërinë biznesore dhe financiare të Telekomit të Kosovës.

Në anën tjetër, Lamih Balaj kryetar i Sindikatës së Postës dhe Telekomit të Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrin masa konkrete që të ndalet falimentimi i Telekomit të Kosovës.

“Mjetet që ata i kërkojnë nuk janë mjetë të tyre, por janë zhvatje e buxhetit të Kosovës dhe Telekomit. Për neve si Sindikatë e gjithë kjo është e papranueshme. Në rast të bllokimit të llogarive bankare të Telekomit, situata do të eskalojë pasi që po rrezikohemi të mbesim pa punë, por që këtë nuk do ta lejojmë, pasi që nuk është faji ynë për këtë gjendje të krijuar në Telekomin e Kosovës”, thotë Balaj.

Telekomi i Kosovës dy herë i ishte nënshtruar procesit të privatizimit, por dy herë radhazi Qeveria e Kosovës kishte dështuar ta përmbyllë me sukses këtë proces.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.

Kjo kompani ka përafërsisht 2400 punonjës, kurse paga mesatare, llogaritet të jetë mbi 730 euro.

Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat