Milionat për Bechtelin drejt fundit – edhe 3 javë inaugurimi i autostradës

Ekonomi

Milionat për Bechtelin drejt fundit – edhe 3 javë inaugurimi i autostradës

Më: 6 maj 2019 Në ora: 17:21
Ilustrim

Autostrada që synon të afrojë Kosovën me Maqedoninë Veriore po shkon drejt finalizimit. Shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtojnë drejt Shkupit përmes kësaj autostrade që nga 29 maji i këtij viti.

Së paku kështu ka paralajmëruar vetë Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj.

“Vozitje komode e pamje fantastike nga 29 maji. Ditë të mbarë nga ‘Arbën Xhaferi’”, kishte shkruar Lekaj më 26 prill në Facebook.

Por, pavarësisht se kishte lajmëruar se kur do të lëshohej për qarkullim kjo autostradë, Lekaj nuk ka thënë asnjë fjalë rreth detyrimeve ndaj kompanisë që kreu punimet.

Shteti i Kosovës u detyrua që t’i paguajë kompanisë “Bechtel&Enka”, hiç më pak se 53 milionë euro pagesë shtesë për shkak të vonesave në kryerjen e pagesave.

Por, këtij borxhi po i vjen fundi. Pjesa më e madhe e borxhit ndaj konsorciumit turko-amerikan është shlyer tashmë.

Zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës i kanë thënë Express se Shteti i ka borxh “Bechtel&Enkas” vetëm edhe rreth 9 milionë euro. Deklarojnë se i gjithë borxhi pritet të paguhet deri në qershor të këtij viti.

“Nga shuma prej 53 milionë euro, kanë mbetur pa u paguar edhe 8 milionë e 850 mijë euro”, thuhet në përgjigjet e MI’së drejtuar gazetës.

Ndryshe, autostrada që e lidh Prishtinën me Shkupin, ishte planifikuar të përfundoj më 31 dhjetor të 2018’ës, por konsorciumi Bechtel – Enka nuk kishte arritur që t’i përfundojë me kohë punimet.

“Arbën Xhaferi”, me gjatësi prej rreth 60 kilometrash, buxhetit të Kosovës pritet t’i kushtojë 700 milionë euro, por që kontrata në mes Qeverisë dhe konsorciumit nuk është bërë asnjëherë publike.

Ditë më parë për punimet në këtë autostradë ka reaguar edhe ambasadori Amerikan në Kosovë, Philip Kossnet. Ai gjatë një vizite që ka bërë në këtë autostradë ka thënë se punimet duhet të përfundojnë sa më shpejt.

“Rruga e re është çelës për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe integrimin rajonal. Presim me padurim përfundimin e rrugës!”.

Ndërkohë për vonesat e lëshimit të autostradës, media kishte biseduar javë më parë me zëvendësministrin e Ministrisë së Infrastrukturës Rexhep Kadriu, i cili nuk i kishte dhënë shumë rëndësi opsionit të gjobitjes së kompanisë.

Ai kishte thënë se Bechtel-Enka kishte insistuar që punimet e autostradës të përfundojnë në kohën kur është e cekur në kontratë por sipas tij është vetë ministria që kishte kërkuar ndërprerjen e punimeve, kjo për shkak të kushteve atmosferike.

“Komplet kontrata është në zyrën ligjore të Ministrisë së Infrastrukturës. Është duke u shqyrtuar a do të ketë penallti apo nuk do të ketë ndaj Bechtel-Enkas, sepse për shkak të kushteve atmosferike ne i kemi ndërpre punimet mos mu asfaltu edhe pse Bechtel-Enka ka insistu me vazhdu punën”, kishte deklaruar Kadriu.

Ndryshe, për shkak të mosrespektimit të kontratës, kompania amerikano-turke kishte detyruar Qeverinë e Kosovës të paguaj 53.1 milionë euro.

Arsyet ishin për zvarritje të punimeve, si dhe për vonesa në pagesa të mjeteve në të kundërtën kushtëzuan se i ndërpresin punimet në Autostradën “Arbën Xhaferi” për ta dërguar lëndën në Arbitrazhin ndërkombëtar. Menjëherë pas këtij paralajmërimi, Qeveria Haradinaj mori vendim që ta shlyejë këtë borxh.

Kyeministri Ramush Haradinaj pati thënë se po i ndajnë këto para për të mos u përballur me procese gjyqësore.

Ky vendim i të parit të ekzekutivit është vënë nën llupën e organeve të hetuesisë.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi kishte konfirmuar se Prokuroria dhe Policia Hetuese janë duke mbledhur të dhëna lidhur me ndarjen e 53 milionë eurove shtesë për këtë kompani.

“Prokuroria, së bashku me Policinë Hetuese, do të mbledhë të dhëna dhe informacione të nevojshme për t’u siguruar se a ka dyshim të arsyeshëm se a është kryer ndonjë vepër penale për të cilën ndjekja ndërmerret sipas detyrës zyrtare“,kishte thënë Lumezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat