Lluka: Sektori minerar të hapet për investime të huaja

Ekonomi

Lluka: Sektori minerar të hapet për investime të huaja

Më: 10 maj 2019 Në ora: 14:29
Pamje nga takimi

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, po merr pjesë në konferencën e dytë “Zhvillimi Integral i Industrisë Minerare me Ndikim Minimal në Mjedis”, konferencë kjo e organizuar në mes Kosovës dhe Shqipërisë që po mbahet në Tiranë.

Lluka në adresimin e tij para pjesëmarrësve të konferencës, theksoi rëndësinë e bashkërendimit të aktiviteteve në mes të dy vendeve tona në fushën ekonomike, me fokus në rritjen e konkurrueshmërisë si një treg i përbashkët ekonomik.

“Trepça”, miniera e magnezitit në Golesh, miniera e re e thëngjillit dhe 11 zonat me interes të veçantë ishin potencialet e përmendura nga ministri Lluka që kanë marrë vëmendje nga Qeveria e Kosovës për të zhvilluar këtë sektor jetik për vendin.

“Shtetet në tranzicion që kanë arritur të zhvillojnë sektorin minerar, kanë kaluar fazën e tranzicionit më shpejtë, kryesisht për shkak se ky sektor ka kapacitet të thithë investime të huaja më shpejtë se sa sektorët tjerë, që rezulton në punësime të reja, rritje të aktivitetit ekonomik dhe rritje të eksportit, të gjitha këto duke ndikuar në rritje të bruto produktit vendor. Prandaj, është jetike për mirëqenien e vendeve tona që këtij sektori t’i jepet prioritet në zhvillim”,  tha ministri Lluka gjatë fjalimit të tij.

Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve tona, sipas tij, së fundi ka rezultuar edhe me investimin e Baltin Group në Ferronikel dhe i cili sot është një nga eksportuesit më të mëdhenj të vendit tonë, gjithësesi me potencial për zhvillim edhe më të hovshëm. Ky investim duhet të përdoret si model i bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona.

“Ministrinë të cilën e drejtoj, përveç tjerash, e ka prioritet krijimin e një ambienti sa më konkurrues në sektorin minerar, si një parakusht për tërheqje të investimeve të huaja dhe zhvillimin e sektorit minerar. Ne, tashmë kemi edhe Ligjin për Investime Strategjike i cili eliminon burokracinë dhe krijon bazë të favorshme ligjore për ardhjen e brendeve më të njohura në vendin tonë”, u shpreh Lluka .

Sipas një komunikate të MZhE-së, konferenca e dytë me temë “Zhvillimi Integral i Industrisë Minerare me Ndikim Minimal në Mjedis” ka mbledhur institucionet e dy vendeve, bizneset dhe ekspertët e fushës dhe do të zgjas dy ditë. Rekomandimet e kësaj konference kanë për qëllim që të ndihmojnë politikbërësit të përmirësojnë ambientin e të bërit biznes në sektorin minerar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat