Borxhi publik të orientohet në investime produktive dhe punësim - Bota Sot
Borxhi publik të orientohet në investime produktive dhe punësim

Ekonomi

Borxhi publik të orientohet në investime produktive dhe punësim

Më: 12 maj 2019 Në ora: 11:23
Qeveria e Kosovës

Përderisa Republika e Kosovës është duke rritur shpejt nivelin e borxhit publik, nuk është duke rritur edhe produktivitetin e investimeve nga niveli i lartë i borxheve, të cilat kanë shënuar 1.1 miliardë euro ose 17.1 përqind e Bruto Produktit Vendor.

Zyra e Bankës Botërore në Kosovë, kërkon nga autoritetet e Kosovës që përveç rritjes së shpejtë të borxhit, të rritet edhe ndikimi i borxhit për investime më produktive dhe për krijimin e vendeve të punës.

Ekonomistja në Zyrën e Bankës Botërore për Kosovë Asli Senkal paralajmëron Qeverinë se borxhi i publik në Kosovë deri në vitin 2025, mund të arrijë vlerën deri në 30 përqind të Bruto Produktit Vendor, nëse rritja e shpenzimeve rrjedhëse vazhdon të tejkalojë rritjen e të hyrave.

Senkal: Të rritet ndikimi i borxhit publik investime më produktive dhe punësim

“Është me rëndësi të rritet ndikimi i borxhit publik për investime më produktive, por të investohet edhe në kapitalin njerëzor. Derisa nuk është shqetësues tash për tash(niveli I borxhit), ekziston mundësia që niveli i borxhit të mund të kaloj 30 përqind të Bruto Produktit gjatë shtatë viteve të ardhshme. Prandaj, është shumë me rëndësi të rritet efikasiteti I shpenzimeve publike që të ruhet niveli i rritjes, por edhe të krijohen vende të reja pune”, thotë Senkal.

Rrezikun nga ngritja e shpejtë e borxhit të përgjithshëm publik dhe mos adresimi I tyre për produktivitet e theksojnë edhe ekspertë të çështjeve ekonomike. Shqetësues, sipas tyre, është fakti se rritja e borxhit publik mund të rezultojë nga faturat e pagave, transfereve dhe skemave sociale.

Nënkryetari i Bordit të Odës së Afarizimit të Kosovës(OAK), Arsim Selmonmusaj thotë për KosovaPress se borxhet duhet të orientohen në veprimtari të ndryshme që gjenerojnë të hyra dhe punësim, ku Kosova do të kishte një pasqyrë më të mirë ekonomike.

Selmonmusaj: Trajtimi i borxheve me një qasje jo adekuate

“Borxhi publik është një qasje jo adekuate. Është problem pse nuk po adresohen nëpër veprimtari ku gjenerohen të hyra, por për në veprimtari ku janë vetëm konsumuese. Rritja e borxhit publik për rrugë të ndryshme. Nëse ishte rritur borxhi publik në një sektor ku gjeneron të hyra, jam i bindur edhe BB dhe institucionet bankare kishin qenë më të gatshme që të kontribuojnë dhe të financojnë në kredi të ndryshme, të buta, ku ndoshta kishte qenë e nevojshme të bëhen zonat ekonomike nëpër të gjitha komunat e Kosovës”, thotë Selmonmusaj.

Ndërsa, këshilltari i ministrit të Financave Bedri Hamza,  Lulëzim Rafuna duke thënë se nuk ka vend për shqetësim, thotë se pa dyshim që Qeveria e Kosovës duhet të jetë mjaft e kujdesshëm me borxhin publik.

Rafuna beson se edhe në të ardhmen Qeveria e Kosovës, do të jetë e kujdesshme që mos të hyjë në borxhe për të cilat nuk ka kthim dhe efekt në zhvillimin ekonomik.

Rafuna: Borxhin publik deri në 40 përqind

“Nuk ka hapësirë për shqetësim, Kosova nuk është duke rritur borxhin publik. Ne deri më tani borxhin publik e kemi 17 përqind të Bruto Produktit Vendor, ndërsa me ligjin për borxhin e shtetit e kemi deri në 40 përqind. Pa dyshim se nuk duhet të jemi shumë të kujdesshëm me borxhin publik. Ministri Hamza e ka bërë të qartë se ne borxh publik do të marrim vetëm për ato projekte kapitale që kanë kthim dhe efekt në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në jetën e qytetarëve”, thotë Rafuna.

Sipas tij, vitin e kaluar ka pasur rritje të borxhit vetëm për një pikë të përqindjes.

Borxhi publik në Kosovë ndër vite ka shënuar rritje. Në vitin 2014, vlera e borxhit të përgjithshëm ka qenë 582 milion euro, kurse tri vjet pas, në vitin 2017 kjo vlerë ka arritur në rreth një miliard euro.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...