Një inspektor i ndërtimit në Kosovë i mbikëqyrë 2 mijë biznese

Ekonomi

Një inspektor i ndërtimit në Kosovë i mbikëqyrë 2 mijë biznese

Më: 12 maj 2019 Në ora: 14:27
Foto ilustrim

Në të gjithë territorin e Kosovës janë të regjistruara rreth 85 mijë biznese që merren me çështje ndërtimore. E për t’i kontrolluar të gjitha këto biznese, në të gjithë vendin janë veç 40 inspektorë. Mungesa e tyre po i shton gjasat që bizneset t’i keqtrajtojnë punëtorët, mos t’iu ofrojnë kushte për punë e shumë parregullsi të tjera. Por, zyrtarë nga Inspektorati i Punës, tash po deklarojnë se inspektorët që ata i kanë në dispozicion e kanë të pamundur që ta kontrollojnë të gjithë tregun me vetëm 40 inspektorë sa i kanë në dispozicion.

Në një kran të lartë rreth 50 metra, një punëtor nga Fushë Kosova të premten po e rrezikonte jetën e tij derisa po punonte si punëtor ndërtimi në një objekt që po ndërtohej në një pjesë të këtij qyteti. Mbi këtë lartësi, punëtori po qëndronte pa asnjë mjet mbrojtës të punës.

Por raste si të këtij të riu nga Fushë Kosova, hasim thuajse çdo ditë në objektet ku punohet. Aty, rrallë herë mund t’i gjesh punëtorët që nuk janë të pajisur me mjetet e punës.

Por, për pronarët e pandërgjegjshëm që nuk i pajisin punëtoret me helmeta mbrojtëse si dhe shkallë më të sigurta për punë, Inspektorati që merret më këto çështje po thotë se e ka të pamundur që të bëjë kontrollimit të të gjithë tregut.

Kjo me arsyen se për 85 mijë biznese ndërtimore sa janë të regjistruara në të gjithë Kosovës, ky Inspektorat i ka në dispozicion veç 40 inspektor. Llogaritur këtë me një matematike të thjeshtë, i bie 2 mijë e 125 biznese duhet t’i kontrollojë veç një inspektor.

Në një deklaratë për Express, Kreu i Inspektoratit të Punës Basri Ibrahimi, e pohoi se nuk janë në dijeni se si pronarët në Kosovë i keqtrajtojnë punëtorët.

Ai ka bërë thirrje që punëtorët t’i raportojnë shkeljet të cilat atyre po iu bëhen nëpër vendet e punës.

“Ne nuk e dimë çka ndodh në krejt Kosovën, dhe unë nuk mundem me e çu çdo inspektor te secili vend ku punohet, problem është te vetëdija e punëdhënësve dhe vetëdija e shoqërisë. Unë nga punëtori kërkoj guxim që në rastet kur ka diçka me raportu, të raportohet.” tha Basri Ibrahimi.

Ibrahimi po ashtu ka treguar se gjatë vitit 2018, Inspektorati i Punës ka shqiptuar 270 gjoba ndaj kompanive të cilat nuk i kanë marrë masat e nevojshme për sigurinë në punë.

Ibrahimi thotë se gjatë muajve të parë të këtij viti, rastet e lëndimeve dhe vdekjeve në vendin e punës janë më të vogla se vitin e kaluar në të njëjtën periudhë kohore.

“Këtë vit ka raste më pak të lëndimeve dhe vdekjeve në vendin e punës, në krahasim me vitin e kaluar. Siguria në përgjithësi dhe në ndërtimtari mund të them se ka një ndryshim së paku sa i përket aksidenteve, në krahasim me vitin e kaluar është më mirë gjendja. Edhe një vdekje në vendin e punës për ne është shumë, por po ndërmarrim të gjitha masat që të zvogëlohen aksidentet në vendin e punës”, ka theksuar Ibrahimi Në rastet e lëndimeve më të rënda në ligjin për vdekjet në vendin e punës thuhet se personi përgjegjës mund të dënohet me 1 deri në 10 vite burgim, ndërsa nëse rasti pason në vdekjen e një apo më shumë personave përgjegjësi mund të dënohet prej 1 deri në 12 vjet burgim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat