Limaj e Shala vizitojnë “Elnor”, zotohen për mbështetje të prodhuesve vendorë

Ekonomi

Limaj e Shala vizitojnë “Elnor”, zotohen për mbështetje të prodhuesve vendorë

Më: 15 maj 2019 Në ora: 13:55
Limaj e Shala vizitojnë “Elnor”

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e eksportimit të masës drunore si lëndë e papërpunuar nga Kosova në drejtim të vendeve tjera, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala, kanë vizituar sot fabrikën e mobileve “Elnor” për të parë nga afër impaktin e këtij vendimi.

Nga aty Limaj e Shala përçuan mesazhin se ky vendim do të ndikojë në fuqizimin e prodhuesve vendorë që merren me këtë lëmi, ndërkohë që janë zotuar se do të vazhdojnë mbështetjen për prodhuesit vendorë.

Pas vizitës në kompaninë e mobileve “Elnor”, Limaj tha se kjo kompani është një nga më të suksesshmet, ndërsa potencoi se dalëngadalë po kthehet në një brend që po e bënë krenar vendin në botë.

Sa i përket vendimit për ndalimin e eksportimit të masës drunore si lëndë e papërpunuar nga Kosova në drejtim të vendeve të tjera, Limaj tha se kjo do të ndikojë në të gjitha kompanitë që merren me këtë lloj prodhimi.

Limaj: Ndalimi i eksportimit të masës drunore do të ketë efekt për të gjitha kompanitë  

“Përmes kësaj kompanie dëshironim t’i vizitonim ose të përcjellim porosinë për të gjitha kompanitë që merren me këtë lëmi. Para disa kohësh ministri Shala ka marrë një vendim të rëndësishëm dhe dëshironim ta shihnim impaktin e atij vendimi edhe në kompani këtu, që tash e tutje siç e dini është ndaluar me vendim të ministrit eksporti i drurit të Kosovës, si lëndë e parë me qëllim që t’iu jepet mundësi njerëzve tanë, kompanive tona që merren me përpunimin e lëndës së parë dhe për t’i furnizuar fabrikat dhe kompanitë tona. Nga ajo që ne dëgjuam ka qenë një vendim i jashtëzakonshëm dhe do të ketë efekt edhe për këtë kompani, po edhe për të gjitha kompanitë që merren me këtë lloj prodhimi”, tha ai.

Limaj ka deklaruar se në Kosovë ka mundësi për t’i bërë biznes, por mjafton të ketë vullnet dhe  bashkëpunim më të madh në mes të Qeverisë dhe bizneseve.

Limaj: Në Kosovë ka punë

“Në Kosovë ka punë, në Kosovë dora e vyer e interesuar për të zhvilluar dhe bërë biznesin mund të bëhet dhe ekonomia jonë dalëngadalë po merr formën e saj drejtë prodhimeve finale. Kjo të jep shpresë dhe besim se me një përkushtim dhe me një partneritet të ngushtë Qeveri dhe biznes, partneritet që nënkupton duke ndihmuar biznesin, duke krijuar hapësirë dhe mundësi, lehtësira e largimin e pengesave burokratike. E ardhmja e këtij vendi dhe e ekonomisë së Kosovës unë besoj që është e sigurt, është e sigurt duke ju falënderuar duarve të vyera të njerëzve tanë që kanë guxim në iniciativa, kanë guxim në futje në programe të biznesit dhe pastaj nuk mungon edhe rezultati. Ne pamë punëtor të moshave të ndryshme, gra, burra, ajo që më bëri përshtypje pamë punëtorë edhe me aftësi të kufizuara që ke në linjën e prodhimit dhe kjo tregon edhe atë pjesën tjetër të angazhimit për të qenë human në trajtimin e punëtorëve tanë”, tha Limaj.

Ndërsa, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala shprehu përkushtimin e tij  në përkrahje të prodhimit vendor.

Shala: Përkushtim i imi do të jetë përkrahja e prodhimit vendor

"Një kompani jashtëzakonisht e suksesshme, ku 55 për qind e prodhimit të kësaj kompanie është edhe eksport jashtë vendit. Arsyeja e vizitës sot është që të sigurojmë kompaninë për përkushtimin tonë të vazhdueshëm në raport me përkrahjen e prodhuesit vendor. Njëkohësisht bashkë me zëvendëskryeministrin Limaj të shohim drejtpërdrejtë impaktin e vendimit, të cilin unë i kam propozuar Qeverisë për ndalimin e eksportit të masës drusore, e kjo pastaj do të ndihmojë kompanitë vendore të përpunimit të drurit, kompanitë e mobileve që të jenë më konkurrente në treg, edhe në tregun vendor e njëkohësisht edhe në eksport. Unë edhe një herë e siguroj kompaninë që përkushtim i imi si ministër është dhe do të jetë përkrahja e prodhimit vendor”, tha ai.     

Vendimi për ndalimin e eksportimit të masës drunore si lëndë e papërpunuar nga Kosova në drejtim të vendeve tjera për pronaren e fabrikës së mobileve “Elnor” Vjosa Ukaj, është vendim i duhur. Ajo tha se ky vendim do të ndikojë që lënda drunore të përpunohet në Kosovë dhe pastaj të eksportohet.

Ukaj: I gëzohemi vendimit për ndalimin e eksportit të lëndës drusore

"Ne si kompani i gëzohemi këtij vendimi për ndalimin e eksportit të lëndës drusore, sepse ndikon në funksionimin dhe qëndrueshmërinë e kësaj lënde. Po ashtu, ndikon që këto lëndë të përpunohen në Kosovë, pastaj të vinë te ne si kompani dhe pastaj të dalin si produkte finale, pastaj të eksportohen. Ne si kompani, rreth 55 për qind të prodhimit e kemi eksport, andaj shfrytëzoj rastin ta falënderoj MTI dhe KIESA për mbështetjen financiare që ka dhënë kohëve të fundit në panaire të ndryshme që kemi qenë ne si ekspozues. Uroj që këto bashkëpunime të jenë të vazhdueshme edhe në të ardhmen", tha Ukaj.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës vendimin për ndalimin e eksportimit të masës drunore si lëndë e papërpunuar nga Kosova në drejtim të vendeve tjera e ka marrë pas propozimit nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat