Trepça, borxhliu më i madh i KPMM-së

Ekonomi

Trepça, borxhliu më i madh i KPMM-së

Më: 21 maj 2019 Në ora: 17:05
Trepça

Komisioni për Zhvillim Ekonomik e ka shtyrë votimin e vendimit të Qeverisë me të cilin autorizohet Komisioni Qeveritar për Privatizimin e Ndërmarrjes Publike "Telekomi i Kosovës".

Nënkryetari i Komisionit, Dardan Sejdiu, ka kërkuar heqjen nga rendi i ditës të kësaj pike me arsyetimin se ende nuk ka përfunduar raporti hetues për Telekomin.

Sejdiu: Si ta privatizojmë Telekomin kur është në hetim?

“Mendoj se janë disa arsye, por kryesorja është që kemi një Komision Hetimor parlamentar, i cili është duke bërë një punë sa i përket Telekomit të Kosovës, dhe nuk mendoj që mund ecim tutje pa e parë raportin final të Komisionit hetimor parlamentar. Në dy drejtim, ky është hap i duhur dhe i mirë. E para, që ne si deputet, kemi nisë një iniciativë me votë të kuvendit dhe t’ia shohim fundin asaj pune. Ndoshta në fund të raportit të komisionit hetimor nuk ka asgjë, atëherë dalim te pjesa e politikës publike se si e trajtojmë Telekomin e Kosovës dhe a duhet privatizuar apo duhet menduar për ndonjë rrugë tjetër. Këto dy iniciativa janë ndesh me njëra-tjetrën, pra si të privatizoje diçka kur është në hetim”, tha Sejdiu.

Anëtari tjetër i komisionit Memli Krasniqi u shpreh kundër heqjes së kësaj pike nga rendi i ditës, por shtoi se nëse nuk merr pjesë deputeti Sejdiu në votim, atëherë nuk ka zgjidhje tjetër.

Krasniqi: Nuk duhet lënë peng gjendjen e rëndë në Telekom

“Nuk besoj që domosdo duhet lënë peng gjendjen jashtëzakonisht të rëndë që e ka Telekomi i Kosovës, duke pritur punën që kanë për të bërë kolegët tanë deputetë. Edhe sot nëse i japim mbështetje procedimit tutje të këtij vendimi, ai duhet të dalë në seancë plenare. Jam i bindur nga përvojat e muajve të fundit që në seancë plenare mundet të dalë ndoshta bashkë me raportin e Telekomit. Nëse raporti do të jetë negativ, që jep një pamje tjetër për mundësinë e privatizimit, mund të refuzohet më vonë. Por, nuk mendoj se është mirë për ta hequr nga rendi i ditës përkundër faktit që sot nuk është lehtë për ta votuar nëse Dardani (Sejdiu) nuk merr pjesë në votim dhe kjo prapë shtyhet”, tha Krasniqi.

Ndërsa, deputeti Muharrem Nitaj tha se po humbet kohë nëpër mbledhje dhe nuk ka asnjë rezultat lidhur me vendimin për privatizimin e Telekomit.

Nitaj: Mos të rrahim ujë në havan

“Po mundohem me ju qitë në rrugë, se nuk po kemi kohë e as nerva për të qëndruar dhe për të diskutuar pa prodhuar kurrfarë rezultati. Secili i ka argumentet e veta, edhe Memli dhe Dardani, mirëpo realiteti në këtë mbledhje është nëse do ta votojmë rendin e ditës ose jo, dhe ta mbyllim mbledhjen, si dhe mos ta rrahim ujë në havan”, tha Nitaj.

Kryetarja e Komisionit, Sala Berisha-Shala, tha se Kuvendi vazhdimisht ka ndërhyrë në proceset hetimore. Sipas saj, debati parlamentar nuk do të duhej të mbahet derisa është duke punuar Komisioni hetimor.

Ndryshe, Komisioni për Zhvillim Ekonomik sot ka shqyrtuar dhe miratuar raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale - KPMM për vitin 2018, për të cilin ka raportuar Musa Shabani, kryetar i Bordit i KPMM-së.

Shabani vuri në pah një problem, ngase gjysma e borxheve ndaj KPMM-së sa janë mbi 25 milionë euro, janë të Kombinatit Trepça.

Shabani: Borxhi ndaj KPMM 25.8 milionë euro, gjysma e tyre nga Trepça

“Një problem tjetër janë borxhet, deri në fund të vitit 2018, borxhi i tërësishëm ndaj Komisionit të Pavarur për Miniera respektivisht ndaj shtetit të Kosovës ka arrit në 25.8 milionë euro, në këtë shumë të këtij borxhi, rreth 45 për qind është vlerë e borxhit të Trepçës. Ne jemi detyruar që të ngremë edhe procedura gjyqësore ndaj shumë bizneseve për mbledhjen e këtij borxhi”, tha Shabani. 

Ndërsa, anëtari i këtij Komisioni Memli Krasniqi ka kërkuar shpjegime për dekurajimin e investitorëve në fushën e minierave për shkak të kufizimit për shfrytëzimin e tokave jo më gjatë se 5 vjet. Krasniqi u interesua edhe për procesin e krijimit të një zyre të vetme “One Stop Shop”.

Krasniqi: Duhet gjetur zgjidhje për tokat në shfrytëzim më gjatë se 5 vjet

“Sipas akteve nënligjore në fuqi, APK-ja fatkeqësisht ende nuk ka mundësi të japë toka në shfrytëzim më gjatë se 5 vjet. Ky ka qenë një element dekurajues për investitorët, sepse në fushën e minierave ndoshta pesë vjet do të mund t’ju duhen vetëm për pjesën e hulumtimit. Andaj, a është parë mundësia si të trajtohet kjo çështje ose të gjendet një zgjidhje deri në miratimin e Ligjit për Pyje. E përmendi kryetarja që Ligji për miniera dhe minerale është duke u sjellë në Kuvend, por Ligji për Pyjet, për mua është një prej ligjeve gati të nemuna, gati që prej vitit 2010”, thotë Krasniqi. 

Edhe Shabani theksoi se kohëzgjatja e licencave është sfidë dhe i dekurajon  investitorët në fushën e minierave, pasi Ligji për Miniera dhe Minerale parashikon që licencat e shfrytëzimit të kenë kohëzgjatje deri në 25 vjet, kurse ato për minerale dhe energjetike 35 vjet.

Ai përmendi edhe udhëzimin administrativ nga Ministria e Bujqësisë, të cilën e aplikon Agjencia e Pyjeve të Kosovës, e që nuk jep sipërfaqe në shfrytëzim më shumë se pesë hektarë dhe me kohëzgjatje më shumë se pesë vjet. Kjo sipas Shabanit, kufizon mundësitë e zhvillimit të industrisë së minierave moderne.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat