Veraria, me rëndësi kyçe për ekonominë e Kosovës

Ekonomi

Veraria, me rëndësi kyçe për ekonominë e Kosovës

Më: 23 maj 2019 Në ora: 13:31
Në Rahovec

Prodhimi i verës ka një potencial të madh si sektor strategjik i cili mund t'i kontribuojë zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Kështu është thënë në tryezën "Verërat e Kosovës: kualitet për tregun e BE-së, standardet e BE-së, prodhimi dhe mundësitë e eksportit”, që është organizuar sot në Rahovec në verarinë “Biopak” nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Me këtë rast, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova, tha se prodhimtaria e verës i kontribuon identitetit të një vendi, por edhe paraqet një kartë të vlefshme turizmi.

Apostolova  deklaroi se do të financojnë sektorin e prodhimit të verës me një shumë prej 1 milionë euro, me qëllimin që të ndihmohet reputacioni i regjioneve të caktuara.

Apostolova: Projekti me Biopak ka rritur cilësinë e verës dhe ka mundësuar punësim

"Projekti me Biopak ka rritur cilësinë e verës dhe ka mundësuar punësim për njerëzit, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë në mënyrë indirekte që nënkupton fermerët. Projektet me Biopak kanë rritur cilësinë dhe standardet e prodhimit, kanë rritur konkurrueshmërinë, kanë rritur tregun dhe besimin e konsumatorëve në verën lokale dhe gjithsesi edhe rritje të eksportit. Për shumë vite BE-ja ka mbështetur sektorin e bujqësisë në Kosovë, që nga viti 2011 e deri më sot BE-ja ka investuar mbi 50 milionë euro në këtë sektorë, nga të cilat një shumë prej afërsisht 34 milionë euro janë ofruar drejtpërsëdrejti bizneseve bujqësore përmes skemave të granteve", tha ajo.

Ajo bëri të ditur se BE aktualisht është duke e bërë vlerësimin e thirrjes së re për projekte, e cila përfshinë një shumë prej 8.8 milionë euro. Ajo tha se shpreson që regjioni i Prizrenit dhe zona e Rahovecit do të ketë aplikime për këto fonde.

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë tha se falë MSA-së prodhimet bujqësore të Kosovës mund të eksportohen në një treg gjithandej në Evropë. Ajo tha se BE mundet dhe e mbështet Kosovën në pasjen e ligjeve adekuate që të ndihmojnë eksportin e prodhimeve.

Ambasadori i Francës në Kosovë Didier Chabert, ka sugjeruar që bizneser e verarisë të orientohen më shumë drejt ngritjes së cilësisë, pasi sipas tij do të ndikojë në të hyrat e tyre dhe të Kosovës.

Chabert: Që të jemi më të suksesshëm duhet të orientojmë produktin drejtë cilësisë së shtuar

"Veraritë e regjistruara në Kosovë ato të mëdha dhe ato të vogla, të gjitha janë të orientuara edhe kah eksporti. Vera është produkt i cili mund të eksportohet, është produkt i cili eksportohet në BE  dhe mund t'i kontribuoj tregut të Kosovës jashtë vendit. Prodhimi i verës është jo vetëm një vlerë shtesë, por është edhe një prej mënyrave të zhvillimit të imazhit të shtetit jashtë vendit. Në mënyrë që të jemi më të suksesshëm duhet të orientojmë produktin drejtë cilësisë së shtuar. Vera e prodhuar në Kosovë eksportohet jashtë vendit me çmim të ulët në sasi të mëdha, ju duhet të gjeni një mënyrë se si t'i bëni vlerë shtesë produktit tuaj në mënyrë që të rritni të hyrat për ju dhe për Kosovën", tha ai.

Në mënyrë që të ketë më shumë sukses në sektorin e verarisë, ambasadori tha se duhet të përdoret indikacioni i regjionit gjeografik të prodhimit. Sipas tij, prodhimet duhet të respektojnë emrat e brenduar dhe se është e rëndësishme që të zhvillojë zona rurale.

Mbështetje për bizneset e verarisë ka premtuar kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi, i cili tha se zhvillimi i sektorit privat është kyç në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Latifi: Po mundohemi të krijojmë ambient të qëndrueshëm

"Po e ritheksoi gatishmërinë e komunës së Rahovecit në mbështetje të partneritetit mes bizneseve private dhe investitorëve të jashtëm. Pavarësisht vështirësive ne po mundohemi të krijojmë ambient të qëndrueshëm në mënyrë që sektori privat dhe ndërmarrja private ta ketë rolin kryesor në zhvillim ekonomik të Rahovecit. Si komunë kemi për qëllim ngritjen dhe modernizimin e tregut në sektorin privat, shërbime efikase për të gjitha bizneset e komunës tonë, ofrimin e kushteve në të bërit biznes, me klimë më të përshtatshme për të gjitha bizneset e Komunës së Rahovecit", tha ai.

I pari i Rahovecit deklaroi se janë duke e bërë krijimin e zonës ekonomike në një hapësirë prej 36 hektarësh, duke ju ofruar investitorëve një infrastrukturë më të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarisë biznesore.

Bekim Hoxha, Drejtor i Departamentit të Verarisë dhe Vreshtarisë në Ministrinë e Bujqësisë, tha se si ministri mundohen që gjithherë të jenë në mbështetje të bizneseve dhe prodhuesve të verës.

Hoxha: Ministria e Bujqësisë posedon njërin prej sistemeve më të sofistikuara në regjion

"Sistemin softverik sa i përket regjistrit të vreshtave dhe kontrollit të kualitetit të verës, Kosova, gjegjësisht Ministria e Bujqësisë posedon njërin prej sistemeve më të sofistikuara në regjion, do të thotë nuk ka parcelë që nuk është e regjistruar në Kosovë dhe nuk ka verë e cila deklarohet e që nuk është e regjistruar në sistem. Do të thotë në këtë moment në Kosovë, gjegjësisht në departamentin e verëtarisë dhe vreshtarisë i kemi të gjitha sasitë e mundshme të deklaruara, nisur nga deklarimi i vjeljes e deri kur vera del në treg. Një gjë shumë e rëndësishme që kemi filluar në ministri të punojmë kemi ngritur serën për ruajtjen e kloneve autoktone dhe ato internacionale, po ashtu një vresht eksperimentale", u shpreh ai.

Të pranishmit në këtë ngjarje përveç që i kanë bërë vizitë verarisë "Biopak" kanë provuar edhe verërat që prodhohen aty.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat