Gashi: Taksa nuk ndikoi në rritjen e çmimeve për këto gjashtë produkte

Ekonomi

Gashi: Taksa nuk ndikoi në rritjen e çmimeve për këto gjashtë produkte

Më: 29 maj 2019 Në ora: 16:20
Në debatin “Politika tregtare e Kosovës”

Në debatin “Politika tregtare e Kosovës” të organizuar nga Instituti Riinvest, u tha se Kosova vazhdon të ketë bilancin negativ tregtar, edhe pse ka tendenca të rritjes së eksporteve nga benefitet e MSA-së dhe taksës 100 përqind ndaj Serbisë dhe Bosnjës.

Profesori në Universitetin e Prishtinës, Petrit Gashi, duke folur për efektet e tarifës në rastin e Serbisë, tha se importet nga ky shtet thuajse janë zero, ndërsa zëvendësimi i tyre është bërë nga vendet e BE-së.

Sipas Gashit efektet më të mëdha nga taksa 100 përqind  janë në rrafshin politik, pasi është krijuar një debat politik marrë parasysh zhvillimet e fundit.

Profesori Gashi tha se Shqipëria, pastaj Maqedonia ka përfituar më së shumti nga tarifat ndaj Serbisë dhe Bosnjës”, tha Gashi.

Ndërsa, për 6 produkte kryesore të një vendi, Gashi duke prezantuar të dhëna zyrtare, tha se nuk ka ngritje të çmimeve për shkak të tarifës 100 përqind ndaj Serbisë. Edhe pse sipas hulumtimeve, ai tregoi se për disa produkte të tjera ka ngritje të lehtë të çmimeve

Gashi: Taksa nuk ndikoj në rritjen e çmimeve të këtyre produkteve

“Gjashtë kategori produktesh të cilat tregtohen në bursën ndërkombëtare, çmimet e të cilave tregtohen në bazë të tregjeve ndërkombëtare për naftë, benzinë, mazut, grurë, misër dhe sheqer, nuk ka tendencë që tarifa ka ndikuar së paku në ngritjen e çmimeve të këtyre produkteve.  Mos të harrojmë se këto në total janë rreth 450 milionë euro import në vitin 2018”, theksoi Gashi.

Udhëheqësi i Divizionit për Politika Tregtare në MTI, Zef Dedaj, theksoi se fatkeqësisht bilanci tregtar në Kosovë vazhdon të jetë negativ, ndërsa tarifa 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës ka ndikuar në rritjen e eksporteve dhe në uljen e shkallës së importit.

Dedaj tha se Kosova ka eksport më të lartë me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi. Duke folur për barrierat tregtare, Dedaj theksoi se të gjitha këto barriera me shtetet anëtare të CEFTA, janë ngritur në Sekretariatin e CEFTA-s, por që nuk kanë pasur zgjidhje, ndërsa shtoi se përfaqësimi i Kosovës në CEFTA përmes UNMIK-ut është skandaloz.

Dedaj: Tarif ka pasur efekte të hatashme në import

“Fatkeqësisht bilanci tregtar vazhdon të jetë negativ për vite më radhë, ashtu përcjellët edhe gjatë vitit 2018. Me ndërlidhë me tarifën ka pasur efekte të hatashme në import, por edhe në eksport. Për dallim nga mallrat, kemi një bilanc pozitiv tregtarë me shërbime”, theksoi Dedaj.

Ai veçoi po ashtu edhe benefitet e MSA-së, që sipas tij, eksportet dhe importet janë rritur në mënyrë të konsiderueshme.  MSA-ja, sipas tij, ka pasur ndikim pozitiv në tregtinë e produkteve bujqësore, duke kontribuar në diversifikimin e tregtisë së 470 produkte të reja, ndërsa, Direktiva 206/2010 e BE-së mbetet sfiduese.

Muhamet Mustafa nga Instituti Riinvest theksoi se papunësia dhe deficiti tregtar janë dy problemet më të mëdha në Kosovë.

Mustafa theksoi se nuk ka pasur politika dhe strategji të duhura për zgjidhje të këtyre dy problemeve, papunësinë dhe deficitin e lartë tregtar.

Mustafa: Politikat ekonomike dhe tregtare s’kanë qenë efektive

“Këto politika ekonomike sa kanë qenë në funksion të zgjidhjes së këtyre problemeve? Nëse këto probleme çdo herë kanë mbetur prej pas luftës e deri tash në të njëjtën gjendje, d.m.th. politikat ekonomike dhe tregtare s’kanë qenë efektive në zgjidhjen e këtyre e problemeve. Diku 35 përqind deficiti tregtar në GDP, papunësia rreth 30 përqind. Pra, problem është se nuk kemi bërë as përpjekje me studiuar se cilat politika tregtare do t’i nevojiteshin Kosovës dhe do të ishin të dobishme për zhvillim ekonomik”, tha Mustafa.

Visar Vokrri nga Instituti Riinvest tha se qëllimi i këtij debati është orientimi rreth politik bërjes më efektive në funksion të zhvillimit industrial dhe të zhvillimit ekonomik në përgjithësi në Kosovë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat