Qytetarët e mirëpresin rritjen e pagës minimale, bizneset kanë dyshime

Ekonomi

Qytetarët e mirëpresin rritjen e pagës minimale, bizneset kanë dyshime

Më: 1 qershor 2019 Në ora: 12:36
Berat Rukiqi

Menjëherë pas votimit të rezolutës në Kuvend, që paga minimale të jetë 250 euro, disa prej Odave ekonomike në vend e kanë kundërshtuar, duke vlerësuar se dëmton sektorin privat. Mirëpo, qytetarët e mirëpresin këtë rezolutë, madje duke thënë se edhe kjo nuk mjafton.

Në seancën e së enjtes, Kuvendi ka miratuar rezolutën për rritjen e pagës minimale në 250 euro, të iniciuar nga Partia Socialdemokrate. Mirëpo odat ekonomike në vend, janë kundër kësaj rezolute.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se nuk do të pranojnë asnjë rezolutë që dëmton sektorin privat, e cila sipas tij rrit pagat e veteranëve.

“Paga minimale mund të përcaktohet në dialog me tri palët. Ajo nuk mund të përcaktohet pa pasur pajtim nga përfaqësuesit e punëtorëve, punëdhënësve dhe të Qeverisë. Nëse s’ka pajtueshmëri nuk mund të përcaktohet as paga minimale”, tha për RTV Dukagjinin, Berat Rukiqi.

Skënder Krasniqi, kryetari Odës së Afarizmit të Kosovës ka thënë se fillimisht vendi duhet të ketë prioritet rritjen e vendeve të punës, sigurimin shëndetësor të punëtorëve dhe sigurimin e tyre kur mbesin pa punë.

“Do ta dëmton buxhetin e Kosovës për shkak të një ligji që obligon që kjo pagë minimale të harmonizohet edhe me pensionistët edhe me veteranët. Kjo do ta ngarkon buxhetin e pagave për një milion euro”, tha Skënder Krasniqi.

Ndërsa qytetarët thonë se rritja e pagës minimale prej 250 euro është diçka e duhur por jo e mjaftueshme duke parë kushtet e punës .

“Mirë është që u rrit paga minimale por ekonomi e prodhim nuk ka”, shprehet një qytetar, përcjell Telegrafi.

“Iniciativë shumë e mirë, por shumë e vonuar. Nuk i përmbushë standardet për qytetarët e Kosovës”, shprehet një qytetare.

Aktualisht në Kosovë, paga minimale për punëtorët nën moshën 35 vjeçare është 130 euro, ndërsa mbi këtë moshë, 170 euro.

Ndërsa, krahasuar me vendet e rajonit, Kosova aktualisht e ka pagën më të ultë në rajon.

Në Shqipëri, paga minimale është 211 euro, në Serbi 231 euro, në Mal të Zi 193 euro si dhe në Maqedoninë veriore, paga minimale është 203 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat