Kodi +383 akoma nuk po zbatohet plotësisht

Ekonomi

Kodi +383 akoma nuk po zbatohet plotësisht

Më: 18 qershor 2019 Në ora: 18:41
Foto ilustrim

Kodi telefonik shtetëror i Kosovës +383 ende nuk është duke u zbatuar plotësisht, thuhet në një komunikatë të Instituti Demokratik të Kosovës, pas vizitës që anëtarë të Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik i bënë Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike.

Në këtë vizitë, kryetarja e komisionit Sala Berisha-Shala dhe anëtari Muharrem Nitaj, takuan kryetarin e ARKEP-it, Kreshnik Gashi.

Sipas njoftimit, Gashi informoi deputetët lidhur me marrëveshjen e komunikacionit të arritur në Bruksel më 2013 që u cilësua si e zbatuar në masë të madhe.

Ai ka njoftuar deputetët se prej 15 dhjetorit 2016 Kosova ka kodin e vet telefonik, por ka theksuar se një pjesë e kësaj marrëveshjeje nuk është zbatuar, përkatësisht harmonizimi i frekuencave ndërkufitare si pasojë e mosgatishmërisë së Serbisë.

“Më tej Gashi shtoi se që prej vitit 2017 dialogu në mes delegacioneve lidhur me këtë marrëveshje është ndalur, ndërsa nuk ka pasur asnjë diskutim lidhur me shërbimet postare pavarësisht që është përcaktuar ndryshe me marrëveshje”, thuhet në njoftim.

Në njoftim theksohet po ashtu se shteti i Kosovës ka zbatuar pjesën e marrëveshjes për dhënien e autorizimit të përkohshëm një kompanie të re serbe për shërbime të telefonisë mobile. Ky autorizim është dhënë në përputhje me kornizën rregullatore të Kosovës, për operim të kufizuar në infrastrukturën aktuale në terren. Në kuadër të kësaj, nga marsi i vitit 2017 ARKEP thotë se ka ndërprerë operimin e operatorëve ilegalë në veri.

Gashi më tej ka njoftuar deputetët se për zbatimin e kodit +383, operatorët PTK dhe IPKO janë përballur me sfida në adoptimin e kodit dhe kanë kërkuar disa herë shtyrje të afatit të zbatimit të kodit. Ka treguar se tash ARKEP-i ka nisur me gjoba dhe se operatorët kanë nisur zbatimin, por theksohet se PTK po shënon humbje për arsye të mos përgatitjeve të duhura teknike.

“ARKEP ka vendosur si afat të fundit për zbatim datën 31 tetor 2018 dhe nga 15 janari 2019 ka filluar shqiptimin e gjobave deri në 10.000 Euro, për operatorët të cilët nuk kanë zbatuar këtë vendim. Pas sanksioneve të shqiptuara nga ARKEP, PTK ka arritur të zbatojë kodin shtetëror të Kosovës +383, vetëm në një fazë. Edhe pse kodi i Monakos +377 nuk është në përdorim nga ky operator thirrjet ndërkombëtare vazhdojnë të realizohen nëpërmjet Monako-së, siç ka ndodhur para marrjes së kodit shtetëror të Kosovës. Si rezultat i kësaj, PTK shënon humbje dhe nuk përfiton nga kodi telefonik shtetëror, për arsye të mos përgatitjeve të duhura teknike. Vlen të përmendet se të dy operatorët PTK dhe IPKO kanë qenë pjesë e delegacionit për negocimin e marrëveshjes së telekomunikacionit”, thuhet në njoftim.

Përfaqësuesit e ARKEP-it kanë njoftuar anëtarët e Komisionit se lidhur me problemet e kompanisë publike PTK rreth zbatimit të kodit +383, kanë njoftuar edhe Qeverinë e Kosovës nga e cila kanë kërkuar mbështetje për këtë kompani në tejkalimin e këtyre sfidave. Në anën tjetër edhe operatori IPKO pas sanksioneve të ARKEP, ka filluar zbatimin e kodit +383 me datën 1 qershor 2019, ndërsa IPKO ka filluar edhe zbatimin e kodit mobil shtetëror E212.

Anëtarët e Komisionit u zotuan se do të ngrisin këtë çështje edhe në mbledhjet e Komisionit.

Kjo vizitë u realizua në kuadër të projektit “Perspektiva Evropiane – ndërtimi i konsensusit kombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” që përkrahet nga Ambasada Zvicerane në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat