Miliarderi Al Barwani interesohet për investime në sektorin minerar të Kosovës

Ekonomi

Miliarderi Al Barwani interesohet për investime në sektorin minerar të Kosovës

Më: 19 qershor 2019 Në ora: 14:01
Valdrin Lluka dhe Muhamed Al Barwani

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka pritur sot në takim themeluesin e BM Holding, Muhamed Al Barwani, i cili u interesua që të investojë në sektorin minerar të Kosovës.

Al Barwani është një ndër 50 personat më të pasur në botën arabe dhe ka në pronësi shumë biznese në sektorin minerar, në prodhimin dhe përpunimin e naftës e gazit, dhe në prodhimin e jahteve.

Me këtë rast, ministri Lluka e ka informuar Al Barwani rreth mundësive të investimit në sektorin minerar të vendit tonë, duke i treguar që Kosova është shumë e pasur me plumb, zink, krom, boksite dhe nikel.

Po ashtu, Al Barwani, iu prezantuan edhe 11 zonat me interes të veçantë minerar dhe miniera e Trepçës.

“Miniera e Trepçës ka 88 minerale të ndryshme dhe është miniera më e pasur në Evropë me plumb dhe zink. Së fundmi, kjo ndërmarrje ka kaluar si shoqëri aksionare dhe tani më është e hapur për investime të huaja. Me investime në teknologji do të mund të shfrytëzoheshin edhe më shumë pasuritë e kësaj miniere,” tha ministri Lluka.

Muhamed Al Barwani, gjithashtu u interesua edhe për sektorin e teknologjisë informative, ku Lluka e ka njoftuar se Kosova është prej vendeve lidere në Evropë në përdorimin e internetit ku 95% e shtëpive posedojnë internet me shpejtësi të lartë dhe që, përmes projektit të ekonomisë digjitale të financuar nga Banka Botërore, pas 3 viteve, Kosova do të mbuloj tërë territorin e saj me fibër optik.

Ndërsa, Al Barwani u zotua se së shpejti do ta vizitojë Kosovën prapë që t’i shoh së afërmi potencialet që ofron sektori minerar i vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat