Hamza: Stafi dhe inspektorët e ATK shumë shpejt me uniforma - Bota Sot
Hamza: Stafi dhe inspektorët e ATK shumë shpejt me uniforma

Ekonomi

Hamza: Stafi dhe inspektorët e ATK shumë shpejt me uniforma

Më: 19 korrik 2019 Në ora: 13:33
Konferenca per media

Administrata Tatimore e Kosovës për gjashtë muajt e parë të këtij viti ka inkasuar 239.5 milionë dhe 8.9 përqind më shumë se në përudhen e njëjtë të vitit të kaluar.

Ministri i Financave, Bedri Hamza në një konferencë të përbashkët me drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, tha se nuk mund të realizohen projektet pa pasur grumbullim edhe të të hyrave.

Hamza: Kjo rritje ka ardhur jo si rezultat i ndonjë norme të re tatimore

“Nuk mund të realizohen projektet nëse nuk grumbullohen të hyrat dhe është rezultat i jashtëzakonshëm për t‘u vlerësuar rritja e të hyrave për këtë periudhë të vitit për 9 përqind, në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo rritje ka ardhur jo si rezultat i ndonjë norme të re tatimore apo ndonjë tatimi të ri. Është dyfishi thuajse i rritjes ekonomike, por është edhe rezultat i performancës së Administratës Tatimore dhe ndoshta edhe disiplinimi i bizneseve të cilat janë duke i paguar obligimet e tyre ligjore”, deklaroi Hamza.

Sipas tij, edhe luftimi i informalitetit duhet të ndodhë, sepse nuk mundet dikush të paguaj taksa e dikush jo, por që trajtimi i tyre duhet të jetë i drejtë për secilin biznes.

Ministri Hamza paralajmëroi se inspektorët e ATK do të jenë me uniformë, jo më me veshje civile. 

Hamza: Stafi dhe inspektorët e ATK do të jenë me uniformë

“Janë rregulluar edhe çështje të tjera, që do të jetë në dobi të zbatimit të ligjit është se punëtorët, stafi i ATK-së do të jenë të uniformuar. Janë punëtorë shtetëror, të cilët do të dihen se nëse inspektori nëse është në detyrë, ku është? Jo të jetë inspektor, e ndoshta me u sjellë në vend të punës duke humbur kohën në mënyrë jo produktive”, tha Hamza.

Sipas ministrit Hamza, nuk është kërkesë dhe nuk ka presion ndaj bizneseve për mbledhjen e tatimeve, përveç asaj që kërkohet me ligj për inkasim. 

Hamza: Nuk është kërkesë, nuk ka nevojë kurrfarë presioni ndaj bizneseve

“Unë sot jam këtu për me mbështet dhe me përkrah Administratën Tatimore në punën e vet, sipas planit të tyre kanë obligim me i kryer të gjitha aktivitetet e veta. Nuk është kërkesë, nuk ka nevojë kurrfarë presioni ndaj bizneseve, por trajtim dhe respekt ndaj bizneseve. Ne nuk kemi nevojë me mbledhur asnjë cent më shumë se që ka thënë ligji. Atë në bazë të ligjit jemi të obliguar me mbledhë dhe me grumbulluar. Kjo është sa i përket trajtimit të tatimpaguesve”, tha ai. 

Drejtori i ATK, Ilir Murtezaj duke folur për punën gjashtë mujore të këtij viti, tha se të hyrat në këtë periudhë janar- qershor janë 239.5 milionë euro, që në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka një rritje për 8.9 përqind ose 19.5 milionë euro më shumë.

Murtezaj: Reflektim në ngritjen e të hyrave është mbledhja e borxheve

“Një ndër elementet kyçe që ka reflektuar në ngritjen e të hyrave është pjesa e mbledhjes së borxheve që kemi një performancë të rritjes (për borxhet) rreth 27 përqind më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar për mbledhjen e borxheve. Pastaj janë edhe aktivitetet tjera shtesë në drejtim të identifikimit të evazionit fiskal”, theksoi Murtezaj.

Drejtori i ATK-së tha se ky institucion ka pasur edhe aktivitete për mbledhjen e borxheve dhe trajtimin e tyre. Sipas tij, aktivitetet e mbledhjes së detyrueshme ose borxhet e mbledhura janë 44.9 milionë euro, ndërsa borxhi total është 370.7 milionë euro.

Murtezaj theksoi se gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar 155 aktivitete të konfiskimit që ka rezultuar me 2.7 milionë euro.

Gjatë kësaj periudhe, ATK ka realizuar 960 kontrolle të përfunduara, 34.8 milionë euro tatim shtesë(tatim, ndëshkime, interes), ndërsa 6.3 milionë ulje kreditimi dhe 67.3 milionë zvogëlim i humbjes.

ATK gjatë hetimit tatimor ka pasur 81 aktivitete për shmangie tatimore dhe 23 raste të hapura nën dyshimin e shmangies tatimore. Murtezaj tha se objektivat për 2019 është realizimi i planit vjetor, plani i trajtimit të rreziqeve të përmbushjes tatimore dhe trajtimi i mbledhjes së borxheve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...