Zona ekonomike në Drenas do të ndikojë në hapjen e vendeve të punës

Ekonomi

Zona ekonomike në Drenas do të ndikojë në hapjen e vendeve të punës

Më: 23 korrik 2019 Në ora: 16:38
Është mbajtur Seminari i Biznesit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Zonës Industriale të Re në Drenas

Është mbajtur Seminari i Biznesit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Zonës Industriale të Re në Drenas, ku është thënë se do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Me këtë rast, zëvendësministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë Arbëresha Krasniqi, tha se ministria ka marrë primatin e zhvillimit dhe ndërtimit të zonave ekonomike, të cilat do të ndikojnë në të bërit biznes.

Ajo tha se MTI ka vendosur si prioritet zhvillimin dhe forcimin e zonave ekonomike.

Krasniqi: Zhvillimi i zonave ekonomike, prioritet i MTI-së

“Dua të flasim për zonën ekonomike të Drenasit që faktikisht MTI parasheh një zgjerim pse jo, me qëllim që t’iu japim mundësi bizneseve private që të operojnë në këtë zonë. Fillimisht, dua t’ju informoj që MTI gjatë këtij mandati ka vendosur lart në listën e prioriteteve zhvillimin dhe forcimin e zonave ekonomike, duke pasur parasysh që zhvillimi i zonave ekonomike do të krijojë parakushte për nxitjen dhe inkurajimin e investimeve, duke iu ofruar bizneseve infrastrukturë fizike të përshtatshme për zhvillim të veprimtarive afariste, të cilat ndihmojnë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik në Kosovë, veçanërisht në hapjen e vendeve të reja të punës”, tha ajo.

Sa i përket Parkut të Biznesit në Drenas, ajo tha se MTI ka filluar projektin për ndërtimin e tij në vitin 2010 dhe sipas saj tashmë është një projekt i kompletuar në një sipërfaqe prej 24 hektarësh.

Ajo tha se të gjitha investimet janë kryer nga fondet e MTI-së dhe ato investime janë bërë kryesisht në ndërtimin e infrastrukturës fizike.

Për më tepër, zëvendësministrja Krasniqi tregoi detajet se si do të duket zona e re ekonomike në Drenas.

Krasniqi: MTI ka iniciuar procedurat për fazën e dytë zgjerim i parkut të biznesit

“Në Parkun e Biznesit në Drenas janë të vendosur 41 biznese me veprimtari të ndryshme biznesore. Ky projekt mund të konsiderohet i kompletuar dhe nuk ka hapësirë të lirë për vendosjen e bizneseve të tjera në këtë projekt. Duke pasur parasysh kërkesën e shtuar nga sektori privat vendor, por edhe nga investitorët e huaj të interesuar që të investojnë në Kosovë, MTI ka iniciuar procedurat për fazën e dytë zgjerim i parkut të biznesit në anën tjetër të magjistrales Prishtinë-Pejë, zona përmbi parkun e tanishëm. Kanë filluar bisedimet edhe me përfaqësuesit kompetent të BERZH-it për të financuar një projekt kaq madhor. Duke ndjekur kërkesat procedurale administrative, MTI, MMPH dhe MF kanë iniciuar dhe kompletuar procedurat për shpronësimin e zonës ekonomike përballë Parkut të Biznesit në Drenas. Qeveria e Kosovës ka nxjerrë vendimin përfundimtar për shpronësimin e hapësirave të kësaj zone dhe kjo zonë përfshinë sipërfaqe 61.95 hektarë, por kjo sipërfaqe është zvogëluar pasi që ndërkohë Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim të ri për ndërtimin e stadiumit kombëtar të Kosovës dhe tanimë kjo zonë ekonomike pritet të ketë sipërfaqe rreth 30 hektarë”, u shpreh ajo.

Krasniqi deklaroi se projekti parasheh investime infrastrukturore dhe kapitale në këtë zonë, si dhe krijimin e një qendre për trajnime profesionale që do të mundësonte trajnimin dhe përgatitjen profesionale për stafin që do të punësohet.

Ndërsa, drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Drenasit Egzona Jetullahu, tha se me këtë investim do të ndikohet në zhvillimin ekonomik të kësaj komune.

Jetullahu: Zona ekonomike për Drenasin do të jetë shtyllë për zhvillimin ekonomik

“Është e rëndësishme të ceket se zona ekonomike për Drenasin do të jetë një shtyllë tjetër për zhvillimin ekonomik dhe ne i ftojmë të gjitha bizneset e interesuara që të marrin pjesë dhe të konkurrojnë për të marrë pjesë të tokës për të investuar në atë pjesë. Çdo herë duke falënderuar bashkëpunimin që e kemi me MTI-në, bashkëpunimin e bizneseve aktuale, të cilat operojnë në atë pjesë, mendojmë se do të jetë një gjë pozitive për Drenasin në përgjithësi, ashtu edhe për bizneset që operojnë në Drenasi. Është e rëndësishme të ceket se zona ekonomike besojmë se do të jetë një shtyllë tjetër e zhvillimit ekonomik të Drenasit. Po ashtu, kur e dimë se në atë pjesë do të ndërtohet edhe stadiumi kombëtar i Kosovës, atëherë presim që investitorët e shumtë si lokalë ashtu edhe ndërkombëtarë që të jetë baza kryesore ekonomike”, tha ajo.

Laura Pedrejon nga BERZH, u shpreh se zona ekonomike në Drenas do të mundësojë krijimin e vendeve të punës, e të cilat do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Pedrejon: Objektivi i kësaj zone është mbështetja e zhvillimit ekonomik të Kosovës

“Objektivi i kësaj zone është që të mbështetë zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe mbështet krijimin e vendeve të reja të punës, që kjo është në thelb të mandatit të BERZH-it”, u shpreh ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat