Në Kosovë deri tash janë privatizuar rreth 50 për qind e pronave shoqërore

Ekonomi

Në Kosovë deri tash janë privatizuar rreth 50 për qind e pronave shoqërore

Më: 25 korrik 2019 Në ora: 09:25
ilustrim

AKP pret nga Kuvendi të bëjë ndryshimet për pronat e privatizuara E drejta e trashëgimisë për pronat e privatizuara shoqërore pas 99 vjetësh ende nuk është e përcaktuar me ligj.

Se çfarë ndodh pas kaq vitesh, një përgjigje të tillë nuk e kanë as në Agjencinë e Privatizimit të Kosovës. Zyrtarë të AKP-së theksojnë se deri tash janë privatizuar rreth 50 për qind e pronave apo aseteve shoqërore.

Kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha- Shala, ka thënë se e drejta e trashëgimisë në pronat e privatizuara shoqërore pas 99 vjetësh nuk është e përcaktuar me ligj dhe se nuk dihet ende se kujt do t’i mbeten ato.

Agjencia për Privatizimin e Kosovës ka identifikuar 597 ndërmarrje shoqërore, me gjithsej 3 mijë e 932 asete. Prej tyre deri më tani janë privatizuar rreth 50 për qind e aseteve shoqërore. I pyetur nga Radio-Kosova për këtë çështje, zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Yll Kaloshi, në një përgjigje elektronike, tha se AKP pret që Qeveria, përkatësisht Kuvendi i Kosovës të bëjë ndryshimet e duhura ligjore mbi njohjen e së drejtës së pakufizuar për të gjithë blerësit e ndërmarrjeve të reja, të cilët kanë blerë përmes procesit të privatizimit apo likuidimit.

Njohësi i çështjeve juridike, Xhevat Azemi, tha se qeveria duhet të miratojë ligjin për çështje të trashëgimisë, sepse bartësit e këtyre asteve, kanë bërë investime të mëdha. “Nuk ka asnjë kuptim që pas 99 vjetësh duhet më thënë tash ta kthesh atë pronë, dhe me mbetet pezull apo e padefinuar dhe çka me bë me ato investime që janë bërë.

Arsyeja pse është zgjedhur ai version në atë kohë, ka qenë i natyrës politike dhe i statusit të pazgjidhur të Kosovës në kohë. Jam shumë i sigurt se do të aprovohet Ligji dhe qiramarrësit e të drejtës së shfrytëzimit të shndërrohen në pronarë”, tha Azemi Ndryshe, procesi i privatizimit kishte filluar në vitin 2002 në bazë të rregullores së UNMIK-ut 2002/12 “Mbi Themelimin e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit” dhe rregullores 2003/13 kur Kosova administrohej nga Misioni i Kombeve të Bashkuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat