Veseli: ATK me ashpërsimin e luftës kundër korrupsionit ka rritur të hyrat në 11 %

Ekonomi

Veseli: ATK me ashpërsimin e luftës kundër korrupsionit ka rritur të hyrat në 11 %

Më: 27 gusht 2019 Në ora: 11:29
Foto nga vizita

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli ka zhvilluar një vizitë në Agjencinë Tatimore të Kosovës.

Veseli thotë se ATK-ja e ka ashpërsuar luftën kundër korrupsionit edhe me një masë të re shumë efikase, me Sistemin e Riskut.

E sipas tij, kjo ka ndikuar  në rritjen e të hyrave të ATK-së, në 11% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Postimi i Veselit:

Agjencia Tatimore e Kosovës e ka ashpërsuar luftën kundër korrupsionit edhe me një masë të re shumë efikase, me Sistemin e Riskut.

Në qeverinë time, asnjë biznesmeni nuk do i duhet të paguajë dikë apo të përdorë ndikime e njohje për të pasur sukses.

Ky sistem elektronik i identifikimit të bizneseve, që të tash kontrollohen me të dhënat e riskut duke u analizuar në mënyrë automatike, i ka eliminuar kontrollet selektive dhe qëllimkëqija me tendenca korruptive.

Po ashtu, kompanitë me probabilitet të lartë për të bërë evazion fiskal identifikohen me kohë nga ky sistem, i cili më pas i orienton edhe kontrollet për ta shmangur atë.

Këto masa kundër korrupsionit i kanë rritur të hyrat e Administratës Tatimore të Kosovës në 11% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Kjo rritje trefish më e madhe se rritja ekonomike dëshmon se shkalla e rritjes vjen prej efikasitetit dhe qeverisjes së mirë të ministrit Bedri Hamza, jo prej rritjes së natyrshme të ekonomisë sonë.

Nga 1.7 miliardë sa ishte buxheti i shtetit, pa rritur tatimet dhe tarifat doganore, barra fiskale këto që do të rëndonin mbi qytetarët, me masat e ndërmarra kundër korrupsionit kemi arritur ta bëjmë 2.4 miliardë euro.

Kujdesi ynë për gjeneratat e reja dëshmohet edhe me vendosjen e tërësishme të borxhit publik nën kontroll, duke mos lejuar që fëmijët tanë të ngarkohen me borxhet e shtetit.

Me këto miliona euro tani mund të krijojmë mundësi më të mira për të rinjtë tanë, në mënyrë që të mos detyrohen të largohen jashtë vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat