Tregtia Maqedoni-Kosovë-Shqipëri, afaristët kërkojnë përmirësimin e infrastrukturës - Bota Sot
Tregtia Maqedoni-Kosovë-Shqipëri, afaristët kërkojnë përmirësimin e infrastrukturës

Ekonomi

Tregtia Maqedoni-Kosovë-Shqipëri, afaristët kërkojnë përmirësimin e infrastrukturës

Më: 18 shtator 2019 Në ora: 17:19
Skënder Krasniqi

Infrastruktura rrugore është problemi më i madh për bashkëpunim më të madh tregtar midis kompanive nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore.

Biznesmenët nga këto tre vende me apel drejt Qeverisë së Maqedonisë Veriore që ta përshpejtojë ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, pasi afati për ndërtim deri në vitin 2023 për ta është i papranueshëm.

Hoxha: Ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë - problemi kryesor në infrastrukturë

“Ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë si kërkesë shumëvjeçare e bizneseve, sidomos tani kur pjesa nga Kosova është gati, mbetet problemi kryesor në infrastrukturë. Vlerësojmë që ky moment është kritik për këtë projekt infrastrukturor dhe apelojmë deri tek Qeveria ta përshpejtoj këtë projekt dhe ta zgjidh këtë problematikë”, tha Nebi Hoxha, kryetar OEMVP.

Kryetari i Bordit të OAK-ut, Skënder Krasniqi tha se Kosova nga ana e saj ka kryer investime të mëdha në infrastrukturë.   

Krasniqi: Besoj se pengesat do të eliminohen shumë shpejt

“Natyrisht, në aspektin infrastrukturor Kosova ka bërë një investim më të madh. Ka pengesa për të cilat besoj se do të eliminohen shumë shpejt”, tha Krasniqi.

Sipas kryeministrit të Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, potenciali për bashkëpunim mes tre shteteve është i lartë.

Zaev: Tenderin për aksin e parë Shkup- Bllacë e kemi shpallur

“Tenderin për aksin e parë në vendin tonë apo Shkup- Bllacë e kemi shpallur, besoj që deri në fund të vitit, fillimi i vitit të ardhshëm do të shpallet për pjesën e dytë të aksit. Qëllimi jonë është me intensitet të shpejtë ta ndërtojmë aksin Shkup- Bllacë, në gjatësi prej 12,5 km”, tha Zaev.

Përveç infrastrukturës rrugore, komuniteti i biznesit u ankua edhe për pengesat administrative jo tarifore, të cilat u premtuan nga ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi për një zgjidhje të shpejtë.

Bekteshi: Të mënjanohen pengesat që krijojnë probleme në tregti

“Në të njëjtën kohë do të flasim shumë hapur me fqinjët tanë për të hequr çdo pengesë administrative dhe teknike jo tarifore që mund të krijojë probleme në tregtinë midis vendeve tona”, u shpreh Kreshnik Bekteshi, ministër i ekonomisë.

Ngjarja rajonale B2B e afaristëve nga të tre vendet është duke u organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...