Bordi i BQK-së akoma nuk e ka miratuar rritjen e çmimeve për sigurimin e veturave

Ekonomi

Bordi i BQK-së akoma nuk e ka miratuar rritjen e çmimeve për sigurimin e veturave

Më: 18 tetor 2019 Në ora: 21:14
Foto ilustrim

Edhe pse nuk ka një datë të saktë, qytetarët e Kosovës shumë shpejt do të detyrohen të paguajnë kosto shtesë për sigurimin e veturave të tyre.

Ka muaj që kompanitë e sigurimeve kanë ndërmarrë iniciativën për t’i rritur çmimet e sigurimit të automjeteve, në emër të detyrimeve financiare që u janë shtuar si pasojë e bankrotimit të kompanisë së sigurimeve “Insig”. Iniciativa e kompanive për rritje të çmimit ishte dërguar në Bankën Qendrore të Kosovës –BQK.

Pas kësaj kërkese Banka Qendrore e Kosovës, kishte hartuar një raport që propozonte rritje prej rreth 36 për qind të çmimit të sigurimit për automjete.

Por, Bordi i BQK-së, akoma nuk e kanë marrë një vendim final.

“BQK-ja i trajton të gjitha kërkesat e pranuara në përputhje me kornizën ligjore në fuqi dhe për çfarëdo vendimi që mund të merret, do të njoftojë me kohë të gjitha palët relevante”, ka thënë për lajmi.net Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i BQK-së.

Në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës ditë më parë për lajmi.net kanë thënë se “çështja e ndryshimit të çmimit të sigurimit është çështje individuale e secilës kompani të sigurimit, e licencuar për të ofruar këtë lloj sigurimi. Sipas Ligjit Nr. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, respektivisht me Nenin 8 të këtij ligji, secili sigurues ka të drejtë të paraqesë kërkesë për aprovim/ndryshim të tarifave të sigurimit për të cilat, çdo përllogaritje e tyre duhet të jetë në harmoni të plotë me rregullat e përcaktuara nga Banka Qendrore e Kosovës. Këto rregulla përfshijnë përcaktimin e strukturës së primit, shumën minimale apo maksimale apo kufi tjetër brenda të cilit primi duhet të jetë, si dhe bazën teknike e cila duhet të përdoret nga siguruesit me rastin e llogaritjes së primit të sigurimit”.

Ndërkohë, në këto zhvillime është përfshirë edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës. Ditë më parë, ky institucion është deklaruar rreth kësaj çështje, duke thënë se “Autoriteti Kosovar i Konkurrencës konsideron se kërkesa e BQK-se për të rritur çmimin e TPL-ve në 36.56% në mënyrë të një-trajtshme për të gjitha Kompanitë e Sigurimeve, bie ndesh me politikat dhe Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës”.

Sipas AKK-së, BQK-ja si autoritet rregullator i industrisë së sigurimeve duhet të përkujdeset që kompanitë e sigurimeve të konkurrojnë me çmime dhe cilësi të shërbimeve që ato ofrojnë.

“Të shmanget bashkëveprimi i kompanive të sigurimeve me njëri-tjetrin në procesin e përllogaritjeve të primeve, duke mos miratuar dhe orientuar një çmim të njejtë, por ky proces të mbështetet në të dhënat e siguruara në mënyrë të pavarur nga kompanitë e sigurimit. Unifikimi i çmimeve të primit të TPL-së është në kundërshtim me parimet e konkurrencës në një treg të lirë. Banka Qendrore e Kosovës duhet të miratojë tabela të individualizuara mbështetur në analizën e riskut sipas strukturës/portofolit të Kompanive të Sigurimit, karakteristikave të produktit dhe strukturës së sigurimeve të secilit ofrues të sigurimeve. Pasi që kompanitë e sigurimeve në Republikën e Kosovës, aktualisht mbajnë çmime të njëjta, Autoriteti sugjeron që të njëjtat të jenë bazuar në kushtet e tregut, ofertë – kërkesë, e rrjedhimisht edhe përcaktimi i çmimit të bëhet nën këto kushte”, ka sugjeruar AKK-ja

Ndryshe, në tregun e sigurimeve, aktualisht të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës janë 12 kompani të sigurimeve, nga të cilat 10 merren me veprimtarinë e sigurimeve jo-jetë dhe dy kompani me sigurimet e jetës. Numri i të punësuarve varion ndër vite, mirëpo nga të dhënat statistikore të fundit, të angazhuar në industrinë e sigurimeve janë mbi 2 mijë të punësuar.

Sipas të  dhënave zyrtare në Kosovë qarkullojnë mbi 315 mijë vetura të regjistruara, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat