Gërxhaliu: Kosova humbi nga MSA-ja, nuk fitoi asgjë

Ekonomi

Gërxhaliu: Kosova humbi nga MSA-ja, nuk fitoi asgjë

Më: 1 nëntor 2019 Në ora: 14:37
Safet Gërxhaliu

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, tha se MSA-ja nuk është shfrytëzuar sa duhet nga institucionet e Kosovës.

“Marrëveshja e Stabilizim Asocimit është marrëveshje ndërkombëtare në mes të vendit nënshkrues dhe Bashkimit Evropian. Kjo marrëveshje është një mundësi e mirë për Kosovën, nëse do të shfrytëzohej si duhet. MSA duhet të analizohet në disa dimensione: nga ai politik, strategjik, ekonomik, social, e integrues”, tha Gërxhaliu në emisionin “EKONOMIKS”.

Ai tha se integrimi ekonomik është çelësi i integrimit evropian. Sipas tij funksionimi i sundimit të ligjit është ai që do të zhvillojë Kosovën.

Gërxhaliu, vlerësoi se edhe mos hapja e negociatave për dy vendet, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është si pasojë e dështimit të plotësimit të kritereve nga dy vende. “Shqipëria ka ngecur në MSA dhe pikat e Berlinit”, tha ai.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, tha se në vitin 2008 Kosova ka pasur më shumë eksport se sa tani.

“Për ekonomi duhet të flitet më shumë. Nuk  duhet të investojmë vetëm në infrastrukturë rrugore, por duhet të kemi politika më të mira tregatre e ekonomike, pra duhet të punojmë të heqim barrierat tregtare”, tha ai.

Ndryshe MSA është pjesë e Procesit të Stabilizim Asociimit të BE si dhe Politikës për Fqinjësi të Mirë. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të fokusuara që të nënshkruajnë MSA-në. BE-ja ka ndryshuar politikën e saj karshi Ballkanit, nga “marrëdhënie të Jashtme” në politikën e “zgjerimit”, përmes një marrëveshje e cila u nënshkruara në vitin 2005.

Funksioni i MSA-së është të vendos kuadër ligjor për bashkëpunim ndërmjet dy palëve dhe vendet që e nënshkruajnë këtë marrëveshje, duhet që në mënyrë graduale të plotësojnë standardet evropiane, siç është përmirësimi i kushteve për mallrat, shërbimet dhe kapitalet, në mënyrë që një shtet të mund të tregtojë lirshëm në tregjet e BE-së.

Gjithashtu MSA synon që të krijojë dhe forcojë parimet demokratike dhe bashkëpunuese me vendet e rajonit. Përfitimet më të mëdha dhe më të drejtpërdrejta për vendet nënshkruese të MSA-ja janë në fushën e tregtisë, pasi që lejohet hyrja më e lirë e produkteve vendëse në tregun e përbashkët evropian.

Gjithashtu vendet që arrijnë të nënshkruajnë MSA-në, kanë mundësi të përfitojnë nga fonde të ndryshme të Bashkimit Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat