Unioni i Bizneseve diskuton për partneritetin publiko-privat në komunës e Kosovës

Ekonomi

Unioni i Bizneseve diskuton për partneritetin publiko-privat në komunës e Kosovës

Më: 9 nëntor 2019 Në ora: 22:26
Foto nga takimi

Në punimet e Kongresit të dytë ekonomik të Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane në Gjermani, u diskutua edhe për partneritetin publiko-privat në komunat e Kosovës.

Nga bizneset shqiptare në gjermani u tha se institucionet duhet të krijojnë lehtësira duke rregulluar ligjet, në mënyrë që të investohet më shumë në Kosovë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se duhet menduar për zëvendësimin e importeve. Ai tha se Komuna e Prishtinës ka mjaftueshëm prona që t’u thotë investitorëve nëse do të investojnë në prodhim.

Ahmeti: Kosova ka nevojë për investim në prodhim

“Kosova ka nevojë për storie ekonomike dhe për qeverinë e re, mendoj që kjo është kyçe, e ajo është që ne kemi nevojë me investuar në prodhim, ne kemi nevojë me i zëvendësuar importet dhe deficitin tregtar dhe duhet me kriju fuqinë punëtore që është në përputhje me krejt storiet e zhvillimit ekonomik. U përmend prej zotit Krasniqi energjia elektrike, po kërkon prej qeverisë së re me mendu për stabilitet, a në fakt ne e kemi një kontratë të nënshkruar me ‘Counter Global’, që realisht do të rrisë çmimin e energjisë elektrike në Kosovë. Këto janë gjëra që duhet të diskutohen dhe mendohen mirë, sepse në njërën anë ne kemi thënë nuk kemi ara me ndërtuar termocentrale, i cili ka kushtuar rreth 1 milion euro për një megavat, ndërsa i kemi shpenzu 1.5 miliardë në autostradë. Në anën tjetër e kemi çmimin më të lartë të energjisë elektrike në tërë regjionin. Pra ne duhet të mendojmë në storien e Kosovës , e cila pastaj përkthehet në projekte konkrete, ku neve na thuhet ne duhet të investojmë në bujqësi, komuna jepni pronat për investimet në bujqësi, kemi nevojë për prodhim, jepni pronat për fabrika të cilat do ta zëvendësojnë importin”, tha Ahmeti.

E kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha se në 10 vitet e ardhshme diaspora do të jetë fuqia më e madhe investuese në Kosovë.

Tahiri: Fuqia më e madhe investuese

“Fuqia më e madhe investuese që ka me qenë në 10 vitet e ardhshme janë diaspora jonë, që kanë me ardhur bashkë me partnerët e tyre për të investuar dhe për ta zhvilluar ekonomikisht Kosovën. Ju tashmë e dëshmuat rëndësinë e juaj, sepse ju ishit vendimtar, diaspora jonë ish vendimtar për të përcaktuar fituesin në Kosovë, dhe besoj që çdo politikan dhe çdo biznes tjetër në Kosovë e ka kuptuar sa e rëndësishme është diaspora jonë. Nëse për një kohë është injoruar në mënyra të ndryshme, këto zgjedhje të 6 tetorit kanë treguar se sa të fuqishëm jeni ju. Andaj po them kjo sallë këtu, njerëzit këtu dhe gjithë ata që nuk janë kanë me qenë vendimtar për Kosovën në 10 vitet e ardhshme”, tha ai.

E sipas kryetarit të Feizajt, Agim Aliu, kthimi i besimit në sistemin e drejtësisë, do të kthente edhe investimet në vend.

Aliu: Me kthimin e besimit në sistemin e drejtësisë

“Me kthimin e besimit në sistemin e drejtësisë, unë shoh një perspektivë tjetër sa i përket investimeve. Sigurisht që çdo investitor, qoftë i jashtëm, qoftë i brendshëm, sigurisht që diaspora e bën me emocion, me dashuri, me çdo gjë, sepse çdo gjë që ka bërë për Kosovën. Pikërisht nga ky emocion dhe dashuri për vendin e ka bërë, por kjo tash është e pamjaftueshme. Siguria e investimeve është pikërisht përmes krijimit të besimit në institucionet e drejtësisë, sepse shpesh gishti drejtohet kah politika, por unë mendoj edhe vet institucionet e drejtësisë duhet të jenë në nivelin e duhur, të japin garanca e siguri, jo vetëm për diasporën, por për të gjithë të tjerët”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat