Gazmend Nikqi: Unioni i Bizneseve i bëri bashkë firmat shqiptaro-gjermane

Ekonomi

Gazmend Nikqi: Unioni i Bizneseve i bëri bashkë firmat shqiptaro-gjermane

Më: 10 nëntor 2019 Në ora: 19:41
Gazmend Nikqi

Në Frankfurt të Gjermanisë është mbajtur Kongresi i Dytë Ekonomik i Unionit të bizneseve shqiptaro-gjermane, ku pjesëmarrës ishin edhe firma anëtare të reja të unionit, të cilat synojnë tregun evropian. Një kongres i tillë nga të pranishmit është vlerësuar si shumë i rëndësishëm për bashkëpunim mes firmave shqiptaro-gjermane dhe investimet e diasporës në të ardhmen në Kosovë.

Burim Hazrolli është koordinatori më i ri në Union, dhe një kongres të tillë e sheh shumë të rëndësishëm për bashkëpunim mes firmave shqiptaro-gjermane.

Hazrolli: Kemi bashkëpunim të mirë me firmat shqiptaro-gjermane

“Për mua si koordinator për Bavarinë, koordinatori më i ri këtu sot, do të thotë shumë kjo punë, sepse sot në kongresin e dytë këtu në Frankfurt ishin afër 600 firma shqiptaro-gjermane, dhe ishte kënaqësi të jem së bashku në Unionin e Biznesit këtu në Frankfurt dhe në të ardhmen të bashkëpunojmë me firmat shqiptare gjermane...Aktualisht kemi bashkëpunim të mirë mes firmave, në të ardhmen do të mundohemi të investojmë në Kosovë së bashku si union, së bashku shqiptaro-gjermanët të ndihmojmë shtetin tonë të Kosovës”, tha ai.

Në Kongresin e Dytë Ekonomik të Unionit të Bizneseve, u mbajt edhe një panair ku biznese nga Kosova kishin mundësi të ekspozonin punën e tyre.

Gazmend Nikqi, anëtar i Unionit të Bizneseve, që jeton në Gjermani, por që ka investuar edhe në Kosovë. Ai shpreson që të vazhdojnë me investime në vendin e origjinës, në mënyrë që të kontribuojnë edhe në ekonominë e Kosovës.

Nikqi: Unioni i bizneseve ka bërë bashkë firmat shqiptaro-gjermane

“Merrem me biznesin e mobilieve, kam edhe një hotel në bjeshkët e Rugovës, hotel ‘Panorama’, ku Unioni dërgon rregullisht mysafir të vlefshëm te ne në hotel, po ashtu edhe me bizneset e mia këtu kemi çdo ditë kontakte dhe bashkëpunojmë me sukses në të gjitha drejtimet. Jam i lumtur që jam anëtar i Unionit dhe ju uroj të gjithëve suksese”, tha ai.

Sivjet, Kongresi i Dytë Ekonomik i Unionit të Bizneseve gjermano-shqiptare është mbajtur në Frankfurt të Gjermanisë, më datë 9 dhe 10, dhe ka bërë bashkë rreth 600 biznese shqiptaro-gjermane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat