BQK: Mund të angazhojmë kompani ndërkombëtare për të bërë vlerësimin e çmimeve

Ekonomi

BQK: Mund të angazhojmë kompani ndërkombëtare për të bërë vlerësimin e çmimeve

Më: 21 nëntor 2019 Në ora: 14:11
BQK

Pas 21 ditësh qëkur ka marrë vendimin për shtrenjtimin e sigurimeve, Banka Qendrore e Kosovës (BQK), në një konferencë për media ka arsyetuar këtë vendim për tarifat e vendosura nga kompanitë e sigurimeve, ku bëri të ditur se rritja e çmimit është 26.6 për qind.

Guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti tha se BQK si rregullator, me qëllim që të mbrohen polica-mbajtësit, ka marrë këtë vendim.

Mehmeti theksoi se edhe pse është kërkesë ligjore që për çdo vit të rishikohen tarifat, rishikimi i tyre nuk është bërë qe 18 vjet dhe se këtë vit ato janë ndryshuar.

Po ashtu sipas tij, ky vendim është marrë për të siguruar edhe qëndrueshmëri të polica-mbajtësve dhe nga viti 2002 deri 2018 inflacioni është rreth 31 për qind. Faktori tjetër, Mehmeti thotë se është rritur edhe vlera e dëmeve.

Guvernatori i BQK-së thotë po ashtu se kanë lënë edhe një mundësi rreth çmimit të tarifave për sigurimin e automjeteve, sipas të cilit nëse s'ka pajtime, një kompani e huaj mund të rishikojë çmimet dhe të merret një vendim.

Mehmeti: Mund të angazhojmë kompani ndërkombëtare për të bërë vlerësimin e vendimit

“Ne jemi të hapur për të gjitha opsionet, nuk thash që do të ketë zbritje, unë thash që jemi për, që në rast se vlerësohet, ne mundemi të angazhojmë kompani të licencuara ndërkombëtare për të bërë vlerësimin aktual të primit. Deri në atë kohë vendimi është marrë dhe është ky që është. Po ashtu, jemi për që për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me shkelje ligjore që konsiderohet se ka vepër penale për çfarë do natyre qoftë, nga kushdo qoftë, ne jemi për dhe përkrahim që të shkojmë prokurori dhe të merren masat”, tha Mehmeti. 

Ai foli edhe për protestat që do të mbahen nesër dhe pasnesër para BQK-së, të cilat i cilësoi si demokratike.

Mehmeti: Kemi qenë të detyruar të marrim këtë vendim për rritje

“Është e drejtë e secilit me protestua, është e drejtë e secilit të bëjë peticione. Ne nuk marrim vendime populiste, ne jemi profesionistë. Çdo palë e interesuar që ka interes të ulet me ne dhe të diskutojë, ne jemi të hapur. Për herë të parë ka ndodhur ky vendim, nuk është i lehtë. Ka qenë vendim shumë i rëndë, mirëpo jemi detyruar për të ardhur deri te ky vendim. Protestat janë të lejuara me ligj”, tha ai. 

Zëvendës guvernatori Sokol Havolli tha se vendimi për rritje 26. 6 për qind nuk paraqet shkelje ligjore dhe gjithashtu nuk është në kundërshtim me Autoritetin e Konkurrencës.

Havolli: Rritja është 26.6 për qind dhe është vendim ligjor

“Rritja është 26.6 për qind dhe aplikohet ndaj çdo nënkategorie e njëjta. Banka Qendrore Kosovës nga Kushtetuta, me ligjin e BQK-së, me ligjin e sigurimeve dhe në rregulloren për përcaktimin  tarifave e ka kornizën e vet të plotë ligjore nëpërmjet të cilave mund vendos për caktimin e tarifave. Rrjedhimisht është vendim plotësisht ligjor nuk ka kurrfarë dilemë këtu. As Autoriteti i Konkurrencës nuk e ka cilësuar”, deklaroi Havolli. 

Ndryshe, shtrenjtimi i sigurimeve për automjete ka nxitur edhe reagimin e qytetarëve, të cilët janë shprehur të pakënaqur me vendimin e BQK-së duke kërkuar njëherësh anulimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat