Protesta për sigurimet e automjeteve, BQK-ja premton shqyrtimin e ankesave

Ekonomi

Protesta për sigurimet e automjeteve, BQK-ja premton shqyrtimin e ankesave

Më: 22 nëntor 2019 Në ora: 23:34
Protesta

Këtë të premte, grupi i Facebook-ut “Marakli t’kerreve”, ka dalë i organizuar para objektit të BQK-së.

Nga këtu, ani se në numër të vogël, kërkuan që ky vendim të hidhet poshtë.

Vendimi i BQK-së, sipas tyre, e rëndon gjendjen financiare të qytetarëve të Kosovës.

Gjatë protestës, mes të tjerash, ata kërkuan edhe takim me Guvernatorin e Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti.

Ky i fundit i priti protestuesit në takim. Atyre u është thënë që kërkesat t’i protokollojnë e t’i dorëzojnë të hënën në BQK.

Që nga 15 nëntori, qytetarët që bëjnë sigurimin e veturave, me vendimin e ri, u bie të paguajnë rreth 50 euro më shumë.

Ata e shohin si të papërballueshme këtë rritje.

Madje, ka nga ata që thonë se më nuk do ta bëjnë fare sigurimin e automjeteve personale.

Protesta të tjera janë paralajmëruar nëse nuk plotësohen kërkesat, e një e tillë tashmë është thirrur për të shtunën, në orën 16:00.

Me një vendim që e ka marrë këtë nëntor, BQK-ja ka rritur për 26.6 për qind sigurimin e veturave. E gjithë kjo pas një kërkese që kanë bërë kompanitë e sigurimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat