Skënder Krasniqi kërkon nga qeveria ardhshme hartimin e një plan strategjik për zhvillimin e ekonomisë

Ekonomi

Skënder Krasniqi kërkon nga qeveria ardhshme hartimin e një plan strategjik për zhvillimin e ekonomisë

Më: 28 nëntor 2019 Në ora: 23:55
Skënder Krasniqi

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi ka kërkuar nga qeveria e ardhshme, që të përpilojë një plan strategjik ekonomik, për të orientuar zhvillimin ekonomik të vendit.

Krasniqi bëri këtë deklaratë në Televizionin Publik – RTK, në temën e trajtuar “Raporti ekonomik mes Kosovë dhe Shqipërisë”.

“Qeveria e ardhshme, së pari duhet më bëjë një strategji të vendit, që nuk  e kemi. Puna e parë që duhet më bë, është se në çka po orientohemi, çka kemi prioritet, bujqësinë, turizmin, minierat, pastaj të orientohemi te një strategji e përbashkët me Shqipërinë. Por pa pasur ne strategji, e që nuk e kemi, ne nuk mundemi me biseduar me askë për me i heq barrierat, sepse ai mundet me na i heq barrierat, e ne nuk kemi çka me shit”, tha Krasniqi.  

Krasniqi ka sqaruar se së pari duhet të bëjmë një strategji të Kosovës, se çka do të jetë prioriteti për dhjetë vitet e ardhshme, në çfarë drejtime do të investohet, që të kemi kapacitete së pari për me ul importin e huaj, pastaj për të eskortuar.

“Është koha e fundit, se përndryshe gjendjen në të cilën e kemi në mos zhvillimin e vendit me një egzod ekstrem të qytetarëve, me dhjetëra e mijëra në vit, si rezultat e pamundësisë së rinisë sonë me u punësuar, sepse nuk kemi rritje të punësimit, nuk kemi mundësi më i tërheq investitorët. Nuk kemi mundësi ne si biznese me investuar, sepse nuk kemi përkrahje nga shteti. Tregon se nëse vazhdohet kështu, Kosova është duke u zbraz dhe duke u krijuar një tragjedi shumë e shpejt në Kosovë. Fatkeqësia e Kosovës është se institucionet e Kosovës nuk duan me fol me shifra. ‘Kemi thotë rritje ekonomike 4%’. Ku është ajo rritje? Është rritje si rezultat i remitencave”, tha kryetari i OAK-ut.

Krasniqi i ka quajtur mashtrime deklaratat “se kemi rritjen më të madhe në Evropë e Ballkan” dhe ka pyetur se ku reflekton kjo rritje, a është rritur punësimi dhe eksporti? “A është rritur eksporti? Dhe ku është dallimi mes importit dhe eksportit? A është rritur buxheti i shtetit? A është rritur prodhimi vendor?  Tjerët kanë rritje në miliarda në pesë vitet e fundit, ne e kemi rritur eksportin me 40 milionë, ndërsa importin me një miliard”, tha ai.     

Kurse njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu ka theksuar se nuk duhet pritur që qeveria në ardhje do të bëjë mrekulli, pasi sipas tij suksesi më i madh i kësaj qeverie do të jetë nëse e ndal të keqen, e cila e ka kapluar Kosovën.

Ai ka thënë se deklarimet se Kosova ka rritje 4 pë rqin, tingëllon mirë si numër, por nuk ka substancë, dhe ka shtuar se nëse vazhdon avazi i politizimit në punësim, e jo meritokracisë, Kosova do të ketë problem të gjejë punëtorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat