Tetë inspektorë të ATK-së kanë lidhje me politikën, Myrtezaj e mohon - Bota Sot
Tetë inspektorë të ATK-së kanë lidhje me politikën, Myrtezaj e mohon

Ekonomi

Tetë inspektorë të ATK-së kanë lidhje me politikën, Myrtezaj e mohon

Më: 2 dhjetor 2019 Në ora: 13:08
Foto ilustrim

Nga 20 inspektorë që janë pranuar këtë vit në Administratën Tatimore të Kosovës, tetë prej tyre kanë lidhje me politikën. Një gjë e tillë po mohohet nga ATK, ndërkaq si pasojë e të hyrave jo të mjaftueshme, kjo e fundit po iu bie ‘në qafë’, edhe atyre bizneseve, të cilat janë tatim pagues të rregullt.

Kështu u tha sot në tryezën e organizuar nga Demokracia Plus dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese “Birn Kosova”, për integritetin në Administratën Tatimore të Kosovës.

Visar Rushiti, analist i politikave në Demokraci Plus, ka prezantuar të gjeturat e raportit, derisa ka shtuar se prej 15 rekomandimeve që ka pasur raporti i kaluar, shtatë prej tyre  janë marrë parasysh, pesë janë në proces të përfundimit dhe dy nuk  janë marrë parasysh fare.

Sipas tij, Ligji për Shërbyesit Civil dhe tashmë ai për Zyrtarët Publikë, ka paraqitur problem në interpretim, marrë parasysh mungesën e akteve nënligjore që dalin nga këto ligje.

Rushiti: Kemi dorëheqjen e 32 zyrtarëve të ATK-së

"Janë një numër i zyrtarëve, të cilët punojnë nëpër pikat të ndryshme në kuadër të ATK-së, të cilët sipas këtij përkufizimi të ligjit bien në kundërshtim dhe në konflikt sa i përket angazhimit politikë dhe punës në ATK, sepse kur ke një punë në ATK është e përkufizuar se deri ku mund të shkojë angazhimi yt politik. Nuk mund të jesh anëtar i organeve, qoftë qendrore, qoftë lokale të një partie. Drejtori kur ka marrë shkresën nga BIRN ka kërkuar që të punësuarit në ATK që të vendosin në një mënyrë në mes angazhimit politikë dhe të punës me ATK. Dhe si rezultat i kësaj kemi diku dorëheqje 32, prej tyre janë pesë zyrtarë të lartë, dhe një person ka vendosur që të vazhdoj ende angazhimin politikë. Kurse të tjerët kanë zgjedhur të vazhdojnë punën në ATK”, ka thënë ai.

Rushiti tha se gjatë rekrutimit të inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës, ka pasur përzgjedhje edhe të atyre që kanë lidhje me politikën .

Rushiti: Nga 20 inspektorë, tetë kanë lidhje me politikën

“Gjatë vitit 2019 është bërë edhe rekrutimi i 20 inspektorëve, mirëpo procesi në fund sipas interpretimit tonë nuk është që ka dalë total i pastër apo ne mendojmë se ka punësuar një punësim diku të tetë personave që ne kemi pasur mundësi të bëjmë një lidhje që kanë me politikën. Dhe për këta tetë inspektorë të punësuar që janë identifikuar se kanë lidhje me politikën janë publikuar shkrime në platformën e kallxo.com”, tha ai.

Megjithatë drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Myrtezaj ka mohuar një gjë të tillë.

Myrtezaj: Asnjë inspektor nuk ka lidhje me politikën

“20 inspektorë të punësuar, janë pranuar gjatë këtij viti. Mirëpo, vlerësimi im personal, i gjithë mekanizmave të tjerë është se është njëri nga proceset më të suksesshme që ka ndodhur në ATK . U përmend që janë tetë inspektorë që kanë lidhje me politikën. Unë me përgjegjësi të plotë them se nga gjithë inspektorët e pranuar, asnjëri nga ta nuk ka asnjë lidhje politike. Asnjë familjarë i imi nuk është aty, as me shoqërinë time. Asnjë inspektor nuk është i ndërlidhur me farefisin tim, të asnjë politike që mund të ndërlidhet”, ka deklaruar ai.

Myrtezaj tha se përkundër mos ekzekutimit të shpenzimeve kapitale, në vlerë rreth 447 milionë euro për 11 muaj, e të cilat sipas tij do të kishin prodhuar detyrimin tatimor, në mungesë të tyre siç deklaroi ai, të hyrat kanë qenë më të vogla.

Krahas kësaj, kryeredaktori i kallxo.com, Kreshnik Gashi tha se është sfidë puna me Administratën Tatimore të Kosovës, shoqëria civile siç tha ai, e ka për detyrë të luajë rolin e mbikëqyrësit të institucioneve. E kur e kanë filluar procesin e monitorimit, ai tha se synimi ka qenë të ketë 10 deri 20 raportime gjatë vitit për shmangie tatimore.

Gashi: Janë 100 mijë euro gjoba për bizneset të cilat nuk respektojnë rregullat tatimore

“Për fat të mirë mendoj që kemi mbërri që të edukojmë një pjesë të madhe të qytetarëve për të vazhduar për të raportim. Kemi pranuar direkt mbi 100 raportime për bizneset e ndryshme që shmangin tatimet dhe nuk i paguajnë taksat e shtetit. Dhe në bashkëpunim me ekipet e inspektoratit dhe të Administratës Tatimore, janë kryer 104 inspektime, të cilat janë filmuar prej kameramanëve tonë, dhe të cilat janë transmetuar në reportazhet tona. Impakti direkt në identifikimin e problemit të cilat i kemi, ose shmangiet të cilat kanë qenë të bizneseve, është reflektuar me një numër të madh të gjobave. Deri tash janë afër 100 mijë euro gjoba të cilat janë shkruar për bizneset, të cilat nuk i respektojnë rregullat tatimore”, ka thënë Gashi.

Zëvendës ambasadori i Britanisë së Madhe, Jacob Webber tha se ATK përveç që është institucion i rëndësishëm për mbledhjen e të hyrave tatimore, është institucion kyç edhe për ruajtjen dhe rritjen e ekonomisë.

Webber: Ekonomia joformale në Kosovë është e lartë

“Nga raportet vendore dhe ndërkombëtare del se vlera e ekonomisë joformale në Kosovë është e lartë. Kjo dukuri është e dëmshme për sektorin privat dhe investitorët e huajë duan të trajtohet me prioritet. Mirëpo, për të qenë e suksesshme në këtë luftë, puna e ATK-së duhet të plotësohet edhe në politika fiskale, adekuate, si dhe me sigurimin e zbatimit të ligjit nga ana e sistemit të drejtësisë. Që nga fillimi i këtij viti ne kemi mbështetur projektin që ndihmon në ngritjen e kapaciteteve hetuese të ATK-së”, u shpreh Webber.

Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se duhen ndryshime të nevojshme të legjislacionit, pasi zyrtarët publikë bëjnë raportimin e pasurisë çdo vit, dhe nuk ndërmerret asgjë kundër tyre. Ai tha se ATK duhet të shohë se a po e paguajnë tatimin këta të fundit. 

Murati: Në mungesë të të hyrave të mjaftueshme, ATK iu bie në qafë bizneseve

“Përveç deklarimit një problem i madh është se  tek ne, në mungesë të kreativitetit edhe të efektivitetit, të hyrat  qoftë i ATK-së, por edhe doganave, fokusohet aty ku mund të qitet rampa. Këto të hyrat të tjera, të dhënat personale tjera, është pothuajse neglizhohet në tërësi nga ATK. Kemi të hyra prej qirave, besoj është shifër neglizhuese se sa të mblidhet, nga fitimi kapital, e krejt kjo rrjedh qoftë prej mos të edukimit të popullsisë, krijimit të barrierave për të bërë këtë deklarim. ATK në mungesë të realizimit të të hyrave të mjaftueshme, shkon edhe iu bie në qafë edhe disa bizneseve pak më të ndershme", ka thënë ai.

Në këtë raport thuhet se komisioni disiplinor ka mbajtur 7 seanca, por nuk ka pasur ftesë për monitorim.

Sipas ATK-së, gjatë periudhës janar-tetor 2019 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, ka një rritje prej 10,4 për qind në mbledhje të të hyrave, po ashtu ka pasur rritje prej 32 për qind, dhe rrjedhimisht i bie që stoku i borxhit ka rënë 5,6 për qind.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat