Bizneset e Suharekës të unifikuar në zhvillimin e afarizmit dhe largimin e barrierave aktuale

Ekonomi

Bizneset e Suharekës të unifikuar në zhvillimin e afarizmit dhe largimin e barrierave aktuale

Më: 11 dhjetor 2019 Në ora: 16:09
Pamje nga takimi

Në vazhdën e lobimit për bizneset në Kosovë, Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka vazhduar me aktivitetin “Kafja e Mëngjesit” në qytetin e Suharekës, ku në takim me pronarë të shumë bizneseve kanë diskutuar për problemet me të cilat ballafaqohen gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre në Kosovë.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës Skënder Krasniqi përmendi një mori ligjesh që ekzistojnë momentalisht në Kosovë, të cilat i pengojnë bizneset në punën e tyre e që rrjedhimisht duhet të ndryshohen, si Ligji për Miniera dhe Minerale, Ligji i Punës, Ligji për Pushimin e Lehonisë, Ligji për TVSH, dhe krijimin e Ligjit për Tregti të Brendshme.

Ndërsa, kryetari i Qendrës për Biznes në Suharekë Gani Sallauka tha se Suhareka përbën zonën më të mirë industriale në Kosovë dhe ka 2500 biznese aktive. Ai përkrahu propozimet e OAK – së që subvencionet dhe grantet të shkojnë në vendin e duhur pra në prodhim.

Gjithashtu ai tha se goditjen më të madhe që kanë marrë bizneset nga shteti është rritja e pagave në sektorin publik me ç’rast shteti u është bërë konkurrent i drejtpërdrejt bizneseve private.

Drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bytyqi propozoi që të aplikohet mësimi dual për nxënësit si kombinim mes teorisë në shkolla dhe praktikës në biznese në mënyrë që nxënësit të dalin sa më të përgatitur për ta ushtruar profesionin e tyre.

Ndërkaq, anëtari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës Hysni Zogaj tha se bizneset duhet të veprojnë së bashku njëzëri duke krijuar kështu një “Kupolë Biznesore”, në të cilin rast kërkesat do të bëheshin më efektive.

Afaristët e Komunës së Suharekës u pajtuan që bizneset duhet të kenë më shumë unitet në kërkesat e tyre dhe se duhet të krijohet një strategji e veprimit në mënyrë që kërkesat të jenë më efektive.

Beqir Seferi nga “I.Seferi” SH.P.K. theksoi se duhet të stimulohet sa më shumë prodhimi kualitativ dhe të mos lejohen ndërtimtarët të bëjnë ndërtime me kualitet të dobët. Për më shumë ai kërkoi që të gjitha bizneset të flasin njëzëri dhe t’i adresojnë problemet e tyre te institucionet përkatëse.

Ndërsa, Afrim Gashi nga “Burimi – AG” SH.P.K. u shpreh i pakënaqur me detyrimin që u bëhet bizneseve për pagesë të akcizës e cila sipas tij nuk përmendet askund dhe se akciza e brendshme duhet të largohet për bizneset prodhuese.

Ai gjithashtu potencoi se bizneset e llojit prodhues kanë nevojë më të madhe për përkrahje institucionale.

Xhevat Muqa nga “Muqa Solar” SH.P.K. theksoi që kuadrot janë esenciale për bizneset, andaj duhet të lobohet sa më shumë që të bëhet inkorporimi i shkollave profesionale dhe bizneseve.

Refki Zogaj nga “Agronomi” SH.P.K. theksoi se kushtet për zhvillim të biznesit në Kosovë nuk janë të favorshme, duke kërkuar vendosjen e fitopatologëve të duhur në dogana dhe testimin e farave mbjellëse që hyjnë në Kosovë.

Ndërsa Haziz Tafaj nga “Agrokosova Holding” kërkoi një plan të veprimit për adresim të problemeve në vazhdueshmëri. Ai potencoi se duhet të bëhet koordinimi mes shkollave, biznesit dhe politikës në mënyrë që nxënësit të aftësohen sa më mirë në profesionet e tyre.

Ndryshe, organizimi “Kafja e Mëngjesit” rrugëtimin e saj e vazhdon në javën në vijim në Komunën e Gjakovës dhe Gjilanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat