Hapet fabrika për prodhimin e gotave të letrës në Prishtinë

Ekonomi

Hapet fabrika për prodhimin e gotave të letrës në Prishtinë

Më: 21 dhjetor 2019 Në ora: 15:28
Ramush Haradinaj

Kompania “ERC Trade” ka bërë sot hapjen e fabrikës për prodhimin e gotave të letrës “BELUX Paper Cups”, si dhe depove të reja të kompanisë në fshatin Bardhosh të Prishtinës.

Kjo kompani ka të punësuar mbi 70 persona, ndërsa me krijimin e hapësirave të reja si synim kanë edhe punësimin e 34 personave të tjerë.

Në hapje të kësaj fabrike mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili tha se në Kosovë politikat fiskale dhe në përgjithësi politikat ekonomike janë afër prodhuesve dhe i favorizojnë ata.

Haradinaj tha se me një investim mbi 1 milion e gjysmë euro, me 70 persona të punësuar dhe 34 të tjerë që pritet të punësohen, kjo kompani suksesshëm ka kaluar në një etapë të re, atë të prodhimit si rezultat i punës së mundimshme, sfiduese por edhe të suksesshme.

Haradinaj: Në Kosovë politikat fiskale janë në favor të sipërmarrësve

“Në Kosovë politikat fiskale janë në favor të sipërmarrësve, pra iu lejojnë hapësirë dhe mundësi krijimi të vlerës së re, vlerës së shtuar, jo të profitit ta quaj ashtu, por të mundësisë investuese. Njëkohësisht politikat fiskale dhe në përgjithësi politikat ekonomike në vend janë afër prodhuesve dhe i favorizojnë prodhuesit. Pra, ky shembull vërteton se është e mundur, ne para pak ditëve patëm nderin të finaliozojmë investimin e parë strategjik në Kosovë Soëi Kosovo një park me erë në energji, është parku i Shalës së Bajgorës, janë 170 milionë investime, është energji e ripërtëritshme, është në harmoni me ambientin, por njëkohësisht është edhe një porosi për investitorët. Pse po i ndërlidhi këto, po i ndërlidhi me shpjegua që Kosova është vend interesant për investime, për investitorët e vendit, por edhe për partneritetin investiv mes investitorët e vendit dhe ndërkombëtarë, për bankat. Për shembull, nëse bankat me renome si BERZh e bankat tjera i kanë përkrahë investimet e Soëi atëherë jam i sigurt që kjo flet se ka interes, ka parametra, mund të përkrahen investimet në Kosovë”, tha ai.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i “ERC Trade” Arben Arifi, tha se pas dekadave të punës dhe të përkushtimin po shënojnë një sukses të radhës.

Ai tha se rrugëtimi i tyre nuk ka qenë i lehtë, por që me punë dhe angazhim kanë arritur të shënojnë suksese të mëdha. 

Arifi: Sot si kompani kemi mbi 70 punëtorë, vetura, kamionë dhe synojmë t’i punësojmë edhe 34 persona

“Është një ditë e madhe, por edhe një emocion i veçantë që pas dekadave pune e përkushtimi nga familja jonë sot jemi mbledhur këtu që të shënojmë këtë ngjarje vërtetë speciale për ne. Hapja e fabrikës, prodhimi i gotave të letrës dhe hapja e depos së re të kompanisë tonë, kompanisë ERC Trade këtu në këtë lokacion fshati Bardhosh, Prishtinë. Rrugëtimi ynë nuk ishte i lehtë, por ëndrra dhe vizioni  për zhvillimin dhe avancimin, guxim, përballje e puna e drejtë dhe sinqeriteti nuk na kanë lënë asnjëherë të dështojmë, përkundrazi ishte shtytje e fortë që të mos ndalemi, por të gjithë ne të ecim përpara. Sot si kompani kemi mbi 70 punëtorë, vetura, kamionë dhe me këtë hapësirë synojmë të punësojmë edhe 34 persona”, tha ai.

Fabrika e prodhimit të gotave të letrës “BELUX Paper Cups, depot e reja të kompanisë ERC Trade janë vendosur në fshatin Bardhosh të Prishtinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat