Nënshkruhet marrëveshja për digjitalizimin e biznesit për kompanitë vendore

Ekonomi

Nënshkruhet marrëveshja për digjitalizimin e biznesit për kompanitë vendore

Më: 22 janar 2020 Në ora: 15:25
Valdrin Lluka dhe Gunther Zimmer

Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka dhe shefi i Zyrës së Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA) në Kosovë, Gunther Zimmer, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit në mes dy vendeve “Qasja në treg dhe shërbimet e digjitalizimit të biznesit për kompanitë e Kosovës – ACCESS”, e cila synon uljen e varfërisë në vendin tonë.

Marrëveshja përmban një sërë intervenimesh lehtësuese, përballë kufizimeve sistemike të tregut të cilat pengojnë uljen e varfërisë në Kosovë.

Intervenimet janë përshtatur për të nxitur ndryshime sistemike në sjelljet, aftësitë dhe marrëdhëniet e akterëve kyç të sistemit të tregut dhe për të sjellë përfitime për njerëzit që jetojnë në varfëri.

Si rezultat i këtij projekti, 150 vende pune do të krijohen ose mirëmbahen, deri në 4,800 kompani të sektorit privat, të punësuarit e tyre dhe popullsia më e gjerë dhe ajo e varfër në Kosovë do të përfitojnë nga aktivitetet e projektit.

Ministri Lluka tha se ky projekt do të mundësojë aplikimin e praktikave më të mira austriake të zhvillimit të sektorit privat, ndërsa, Zimmer Gunther, shefi i Zyrës së ADA, ka thënë se përmes këtij projekti vazhdojnë përkrahjen e zhvillimit të sektorit privat në Kosovë në luftën kundër varfërisë.

Ndryshe, projekti synon, mes tjerash, që të kontribuojë në aftësimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme të Kosovës për t’u përballur me sfidat e epokës së digjitalizimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat