2019: Janë regjistruar 10 mijë e 54 biznese, mbyllur 1 mijë e 774 biznese

Ekonomi

2019: Janë regjistruar 10 mijë e 54 biznese, mbyllur 1 mijë e 774 biznese

Më: 25 janar 2020 Në ora: 12:19
Foto ilustrim

Shkaqet për mbyllje të bizneseve janë ndryshimi i legjislacionit ose udhëzimeve administrative, mosdorëzimi i raporteve vjetore sipas të hyrave financiare dhe aktiviteti i ulët ekonomik.

Trendi i regjistrimit dhe shuarjeve të bizneseve në Kosovë ka vazhduar edhe gjatë vitit 2019 me ritëm të njëjtë, ndërsa numri i bizneseve të shuara për një vit po konsiderohet të jetë shqetësues për ekonominë e vendit.

Drejtori i drejtorisë në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve(ARBK), Mehdi Pllashniku thotë, se në vitin që lamë pas janë shuar 1 mijë e 774 biznese, prej tyre 11 kompani të huaja.

Pllashniku thotë se vetëm në muajin janar të këtij viti, 518 biznese janë regjistruar, ndërsa janë mbyllur 71 sosh.

Pllashniku: Në vitin 2019, u shuan 1 mijë e 774 biznese

“Në vitin 2019 në ARBK janë regjistruar 10 mijë 54 biznese, ndërsa janë mbyllur 1 mijë e 774 biznese… Arsyet, shkaqet për mbyllje janë pesë, por në shumicën e rasteve deklarohen në mënyrë vullnetare. Në qoftë se marrim një statistikë që nga viti 2000 përafërsisht numri i shuarjeve është rreth 10 përqind”, thotë Pllashniku.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës(OAK), Berat Rukiqi shprehet se në vendet tjera edhe mund të jetë shkallë më e ulët e bizneseve të shuara, mirëpo procedurat e falimentimit dhe mbylljes janë shumë më të rënda dhe kjo i dekurajon shumë bizneset që me hyrë në këto proceduara, përderisa në Kosovë nuk ka fare burokraci me i mbyllë bizneset.

Rukiqi thotë se bizneset për shkak të obligimeve, edhe për shkak të procedurave të caktuara marrin vendim për mbylljen e bizneseve.

Rukiqi: Bizneset për shkak të obligimeve shuajnë aktivitetin ekonomik

“Nuk është që kemi një trend në favor të mbylljes së bizneseve në raport me trendin e atyre që hapen. Deri sot nuk është konsideruar si një prej problemeve të ekonomisë në Kosovë mbyllja e bizneseve. Shkaqet janë kryesisht të ndryshme. Sot gjithkush donë me provua fatin, sidomos ata që synojnë vetë punësimin në biznes. Pastaj është pjesa tjetër që e lehtëson mbylljen e bizneseve, është edhe legjislacioni. Shumë biznese për shkak të obligimeve, edhe për shkak të procedurave të caktuara vlerësojnë se më lehtë me mbyllë biznesin me kalua në diçka tjetër.

Edhe eksperti i ekonomisë Mustafë Kadriaj thotë, se si rezultat i performancës së dobët ekonomike të bizneseve në vend, është rritur në vazhdimësi numri i kompanive të shuara.

Përveç kësaj, Kadriaj thotë për shkak të vështirësive në qasje financiare dhe normat e lata të kredive, shumica e bizneseve janë të detyruara të dështojnë.

Kadriaj: Për shkak të performancës së dobët ekonomike e bizneset dështojnë

“Si rezultat i mos likuiditetit monetar, të gjitha bizneset po tentojnë të hyjnë në kredi, por në momentin e futjes në kredi, shumica e bizneseve janë të predispozuara që të dështojnë, sepse nga kamatat e larta dhe performanca ekonomike e bizneseve vendore në vend nuk është aq e kënaqshme dhe si rezultat i saj sipas raporteve të ATK-së, zakonisht brenda një viti ka biznese që mbyllen si rezultat i mos përmbushjes së obligimeve ndaj kësteve në banka, po ashtu edhe ndaj pagesave të deklarimeve në ATK, që kjo e fundit në momentin që nuk i përgjigjet bizneseve merr masat për mbylljen e atij biznesi”, tha ai.

Sipas tij, Kosova nuk qëndron mirë për aktivitetet ekonomike dhe zhvillimin e ndërmarrjeve dhe nuk mjafton vetëm të regjistrohet një biznes ose ta merr certifikatën e biznesit, por duhet të jetësohet ose të fillon aktivitetin ekonomik.

Sipas të dhënave të ARBK-së në vitin 2018 ishin regjistruar 9 mijë e 967 biznese, ndërsa janë mbyllur 1 mijë e 890.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat