Prodhuesit shqiptarë kërkojnë unitet për tregje të përbashkëta

Ekonomi

Prodhuesit shqiptarë kërkojnë unitet për tregje të përbashkëta

Më: 19 shkurt 2020 Në ora: 14:44
Në konventën e dytë të Klubit të Prodhuesve

Në konventën e dytë të Klubit të Prodhuesve, fokusi ishte për tregtinë rajonale, digjitalizimin e sektorit të prodhimit, si dhe për tërheqjen e investimeve të huaja direkte si shtytës të zhvillimit ekonomik.

Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti deklaroi se prodhuesit tanë janë edhe shtylla e shoqërisë dhe jo vetëm e ekonomisë. Ai garantoi për heqjen e barrierave tregtare mes shteteve të rajonit.

Kryeministri Kurti me këtë rast përsëriti se do ta heq tarifën 100 përqind dhe do të vendos masat e reciprocitetit për mbrojtjen e prodhuesve vendorë.

Kurti foli edhe për idenë e Mini-Shëngenit, i cili tha se me Shqipërinë do të ketë vetëm bashkëpunim tregtar, sepse siç tha ai, ka vetëm një interes, e ai është bashkëpunimi i plotë Shqipërinë.

Kryeministri po ashtu tha se përkundër vështirësive dhe pengesave të shumta me të cilat përballen bizneset, e që janë të shumta edhe në numër edhe në lloj, kanë vendosur që të investojnë edhe të punojnë në Kosovë. Por, Kurti tha se si kryeministër do ta ketë vëmendjen e maksimale për prodhuesit.

Ai po ashtu tha se me Fondin Zhvillimor do të ofrojnë mbështetje për prodhuesit vendorë për të shtuar cilësinë dhe kapacitetet për të rritur punësimin dhe për të zgjeruar tregun. Sipas tij, Ministria e Bujqësisë së shpejti do të fillojë me riorganizimin e plotë të skemës së subvencioneve dhe të granteve, bazuar në kritere të qarta dhe transparencë të plotë, duke nisur me mbështetjen në produktivitet (sasi të prodhimit) e jo në sipërfaqe, në mënyrë që të përkrahet rritja e produktivitetit.

Për investimet e huaja në Kosovë, Kurti tha se ka pak sepse ka pasur shumë korrupsion dhe pak mbështetje. Sipas Kurtit, korrupsioni dhe mungesa e sundimit të ligjit, e shoqëruar me monopolet për kompani të caktuara ka dëmtuar imazhin dhe ka frikësuar investitorët potencial.

E prodhuesit nga vendi dhe rajoni treguan se bizneset hasin në barriera të shumta kufi.

Në hapje të konventës, kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Bashkim Osmani tha se ky klub vazhdon të jetë një partner me qeverinë me qëllim të zhvillimit të ekonomik në Kosovë.

Ai kërkoi mbështetjen qeverisë që prodhuesit e Kosovës të jenë sa më shumë në tregjet shqiptare, si në Shqipëri, Maqedoni Veriore dhe në Mal të Zi.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha foli për brendin dhe fushatën që bënë ky Klub për “Made in Kosova”.

Ai tha se si prodhuesit janë kundër Mini-Shengenit, derisa tha se sa i përket tarifës, qëndrimet e këtij Klubi për tarifën tashmë janë të njohura.

Në këtë Konventë që u mbajt në Prishtinë, në panelin e diskutimit për tregtinë rajonale, Nagip Fejzi, kryetar i Forumit Ekonomik Mbarë-Shqiptarë, tha se pa harmonizonin e ligjeve nga shtet rajonale, nuk do të ketë bashkëpunim tregtar rajonal.

Fejzi tha se shumica e prodhuesve e dinë mirë çfarë ndodhë në doganat tona, pra me mjaft barriera.

Ai garantoi se mund të ketë harmonizim edhe në politikën rajonale, sepse një bashkëpunim mes prodhuesve bën edhe bashkimin e popujve.

Fejzi foli edhe për përplasjet e dy kryeministrave shqiptarë, Edi Ramës dhe Albin Kurti, që sipas tij, po përçojnë një mesazh te keq.

Ndërsa, kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, tha se problemet e prodhuesve duhet të zgjidhen edhe mes fuqizimit dhe bashkëpunimit të odave ekonomike.

Kreu i OAK, Krasniqi tha se duhet angazhim dhe unitet maksimal për zgjidhjen e problemeve për tregtinë rajonale, ndërsa shtoi se arsyeja kryesore e mos zhvillimit ekonomik të Kosovës është për shkak të marrëveshjeve të dëmshme me CEFTA-n dhe MSA-n.

Po ashtu, Krasniqi tha se vendi ynë nuk ka përparim në rritjen e punësimit, sikur në shtetin fqinjë në Maqedoninë e Veriut që ka rritje të hatashme.

Ndërsa, Bashkim Sykaj, drejtor ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, sektori privat është kontribuues në buxhetin e shtetit, andaj janë të intersuar të ketë një mjedis të bashkëpunimit ose një detyrim të ndërsjellë në mes dy qeverive tona për bashkëpunim ekonomik.

Sykaj duke folur për marrëdhëniet tregtare Kosovë-Shqipëri, tha se në vitin 2019, Shqipëria ka eksportuar mallra drejt Kosovës 246 milionë euro, ndërsa, në Maqedoni 70 milionë euro, derisa sipas tij, importet janë më të vogla me këto shtete.

Edhe Nebi Hoxha, kryetar i Odës Ekonomike Veri- Perëndimore, tha se ka deficiti tregtar mes Kosovës dhe Maqedonisë Veriore në favor të të kësaj të fundit, andaj sipas tij, është alarmante që Kosova ndërton një autostradë moderne dhe i ofrohet kufirit, kurse nga ana e Maqedonisë së Veriut, ende diskutohet se a të bëhet apo jo autostrada në drejtim të Kosovës.

Po ashtu, edhe kryetari i Bordit Drejtues të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptar, Sokol Kraja tha se nuk është e rastësishme që Serbia kërkon tregun e Kosovës, për këtë ai tha se duhet të fuqizohet ekonomia shqiptare.

Po ashtu në këtë Konventë, anëtarët e Klubit Prodhuesve, kanë nënshkruar Kodin e Bizneseve kundër korrupsionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat