OAK takon kryeministrin Kurti, i kërkohet Gjykata Ekonomike

Ekonomi

OAK takon kryeministrin Kurti, i kërkohet Gjykata Ekonomike

Më: 20 shkurt 2020 Në ora: 17:42
Foto nga takimi

Përfaqësues të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) u pritën sot në takim nga kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri Haki Abazi.

Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovë, Skënder Krasniqi uroi kryeministrin Kurti për pozitën dhe informoi për problemet dhe zgjidhjet që OAK ka identifikuar.

Krasniqi theksoi që ndër problemet kryesore me të cilat bizneset po përballen kanë të bëjnë me mungesën e harmonizimit të ligjeve, gjë e cila po bënë që shumë shpesh nenet e një ligji të jenë në kundërshtim me ligje tjera që po krijon paqartësi.

“Me këtë çështje po përballen sidomos bizneset e sektorit minerar, tek të cilët udhëzimeve administrative po u jepet primati ndaj ligjeve”, tha ai.

Gjithashtu, Krasniqi shtoi se ndryshimi i Ligjit të Punës dhe rregullimi i çështjes së pushimit të lehonisë, ashtu që barra e saj të merret përsipër nga shteti, do të ndikojnë në rritje të punësimit të femrave në vend.

Ndër të tjera, Krasniqi veçoi që Ligji për Tregti të Brendshme, Ligji për Falimentim, Gjykata Ekonomike dhe oferta e të bërit biznes janë disa nga mungesat kryesore, krijimi i së cilave do të lehtësonte funksionimin e bizneseve dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Nënkryetari i bordit, Arsim Selmonmusaj dhe sekretari i bordit, Diamant Elshani theksuan fuqinë e odës e cila është e varur 100% nga antaresia e bizneseve dhe është një shtyllë e përkrahjes së bizneseve, prej së cilës Qeveria mund të përfitojë shumë.

Anëtari i bordit Hysni Zogaj theksoi që agjencitë e pavarura si KPMM, AVUK, Agjencia e Pyjeve e të ngjashme të kalojnë në mbikqyrje të ministrive përkatëse, pasi që janë shtyllat kryesore të zhvillimit të vendit.

Kryeministri Kurti falënderoi OAK-në për takimin duke e konsideruar si shumë konstruktiv dhe theksoi që këto informata do t’i shërbejnë platformës së zhvillimit ekonomik.

Sipas një komunikate, OAK dhe kryeministri u dakorduan për vazhdimin e takimeve dhe me këtë rast kryeministri pranoi ftesën për takimin e radhës që do të organizohet nga Oda e Afarizmit të Kosovë në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri – Perendimore dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës.

OAK me këtë rast dhuroi edhe disa prodhime vendore të përgatitura nga bizneset anëtare në OAK.

Në këtë takim Oda e Afarizmit të Kosovës u përfaqësua nga: kryetari i bordit Skënder Krasniqi, nënkryetari i bordit Arsim Selmonmusaj, anëtarët e bordit Hamdi Malushaj, Hysni Zogaj dhe Diamant Elshani, koordinatorja Qendresa Ibrahimi dhe zyrtarja Mirjeta Shala.

Ndërsa, Zyra e Kryeministrit u përfaqësua nga kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, zëvendëskryeministri i dytë, Haki Abazi dhe asistentja Vale Gjonbalaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat