Rritja e zhvillimit ekonomik në Kosovë

Ekonomi

Rritja e zhvillimit ekonomik në Kosovë

Nga: Mr. sc Shpend Salihu Më: 23 shkurt 2020 Në ora: 18:09
Mr. sc Shpend Salihu

Parametrat e zhvillimit ekonomik në Kosovë, janë parandalimi dhe luftimi i evazionit fiskal, dhe biznesit joformal të cilët i shkaktojnë dëme të mëdha buxhetore të shtetit, e me këtë e pamundësojnë edhe rritjen ekonomike në Kosovë. Pos saj Banka Qendrore e Kosovës, duhet të rishikojë nivelin e dhënies së kredive për biznesin e ulët dhe të mesëm, dhe të përcaktoi e rekomandoi një politikë tarifore, të dhënies së kredive nga bankat në Kosovë me qëllim të stimulimit dhe zhvillimit të tij. TVSH-ja dhe akciza derisa shumë ekspertë ekonomikë mendojnë se e lehtëson dhe e rritë buxhetin shtetërorë, në të vërtetë kjo e rëndon jo vetëm buxhetin por edhe stimulimin e zhvillimit ekonomik, pasiqë këto barriera ekonomike e pamundësojnë zhvillimin e sektorit privat dhe i shkaktojnë probleme të mëdha ekspanzionit ekonomik të këtyre bizneseve.

Ajo që vlen të theksohet është edhe rishikimi i Ligjit për investimin e kapitalit financiar ndërkombëtar, si dhe sfera e lehtësimit të këtyre investimeve në rikëmbjen ekonomike të shtetit përmes të cilave lehtësira do të inkurajohej biznesi ndërkombëtar të injektojë në ekonominë Kosovare.

Një ndër politikat bazike është edhe rishqyrtimi dhe vlerësimi i politikave mikro dhe makro ekonomike me qëllim të një konvalence financiare, e cila do të ishte kompatibile me fuqinë blerëse në Kosovë. Ndërmarrjet shoqërore të cilat janë nën administrim të AKP-së do të duhet të rishikohen, vlerësohen dhe jepen për zhvillim afarist dhe turistik në Kosovë.

Sektori i bujqësisë dhe blegtorisë duhet të stimulohet nga ana e subvencioneve dhe granteve shtetërore, si dhe të ndalohet urgjentisht shfrytëzimi i tokës pjellore dhe shndërrimi i saj në tokë ndërtimore, sepse kjo ndikon jo vetëm në prishjen e planit hapësinor të Kosovës, por edhe në pamundësinë e zhvillimit të sektorit të bujqësisë, e duke e patur parasysh tokën e rendimentit që kemi ne në Kosovë, nëse kjo tokë vazhdon të konvertohet në tokë ndërtimore shumë shpejt do të kemi mungesë të rendimenteve bujqësore vendore dhe do të mvarremi ekskluzivisht nga mallrat e importuara. Ajo që është gjithashtu esenciale është që të theksohet është se një ndër parakushtet e zhvillimit ekonomik është edhe heqja e taksës dhe respektimi i marrëveshjes së CEFTA-së për qarkullimin e lirë të mallrave në tregun Ballkanik. Përmes heqjes së taksave jo vetëm që do të rritej zhvillimi ekonomik sepse shteti vjelë taksa në fitim si dhe ulen shpenzimet e shportës mujore, e rritet konkurrenca lojale në treg.

Pjesa e turizmit është sektor shumë i ndjeshëm dhe ende i pazhvilluar sa duhet në Kosovë, me dhënien në shfrytëzim komercial të tokave në vende turistike, rritet punësimi dhe vjelja e taksave nga përfitimet në sektorin e turizmit. Shfrytëzimi i liqeneve për sektorin e turizmit dhe për sektorin energjetik, sidomos shfrytëzimi i hidroelektranës Ibër, e rrit zhvillimin ekonomik, e ulë tarifën e shpenzimeve energjetike dhe arrin në shtimin e buxhetit shtetëror, si dhe në rritjen e efiçiencës energjetike në Kosovë. Këto dhe shumë hapa tjerë të nevojshëm për një periudhë afatmesme 4 vjeçare do e rrisnin në mënyrë enorme shkallën buxhetore dhe do përmirësonin jetën e qytetarëve. Andaj është obligim primar i Qeverisë që me veprime të shpejta urgjente, të ndikojë në plane konkrete ekonomike me qëllim të përmirësimit dhe rritjes së shkallës buxhetore në Kosovë, me çfarë do të rriteshin edhe investimet kapitale në sektorin publik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat