Analistët e çështjeve ekonomike: Vendosja e reciprocitetit me Serbinë, vështirë e zbatueshme

Ekonomi

Analistët e çështjeve ekonomike: Vendosja e reciprocitetit me Serbinë, vështirë e zbatueshme

Më: 25 shkurt 2020 Në ora: 20:06
Qeveria

Zëvendësimi i taksës ndaj mallrave të Serbisë me reciprocitet po shihet vështirë i zbatueshëm, ndonëse marrëveshja e CEFTA-s e lejon reciprocitetin ndërmjet shteteve. Njohësit e ekonomisë dhe të zhvillimeve politike kërkojnë nga qeveria që para se të merr vendime fillimisht të bëjë një analizë ekonomike.

Qeveria e vendit, ditë më parë ka krijuar ekip që do të merret me largimin e taksës duke e zëvendësuar me masën e reciprocitetit në raport me Serbinë. Ndonëse kërkesat e ndërkombëtarëve janë që asnjëra e as tjetra të mos jenë në fuqi.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadrijaj, e sheh vështirë të realizueshme zbatimin e reciprocitetit, përcjell Telegrafi.

“Në aspektin ekonomik nëse vendosen masat e reciprocitetit jemi të dëmtuar pasi ne nuk mund ta mbulojmë tregun e Serbisë me produktet tona. Por nga ana politike do të ishte një hap shumë i madh pasi, pasi si në njohjen e tabelave, vulave doganore Serbia do ta njihte Kosovën”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Mustafë Kadrijaj.

Blerim Burjani, njohës i rrethanave politike duke folur për reciprocitetin thotë se para se të vendoset, fillimisht duhet bërë një analizë e thuktë ekonomike.

“Fillimisht duhet të hiqet taksa. Minimumi është të pezullohet. Pastaj është të themelohet komisioni, i cili do të bënte një analizë të plotë për produktet e Serbisë. Cilat janë produktet deficitare dhe ato suficitare që Kosova nuk do të kishte nevojë të importojë nga Serbia. Pashmangshëm duhet të diskutohet edhe me komunitetin e biznesit dhe jo vetëm të bëhet politikë me ta por edhe të shihet interesi i tyre”, deklaroi Blerim Burjani.

Vendet e Ballkanit perëndimor e kanë të nënshkruar një marrëveshje për tregti të lirë, të njohur si CEFTA, në të cilën Kosova ishte bërë pjesë e saj në korrik të 2007-ës, atëherë si UNMIK. Por kur Kosova u shpall shtet e ndërroi vulat doganore, Serbia e Bosnja nuk lejojnë mallrat  kosovare të kalojnë as transit.

Në bazë tw kësaj marrëveshje është e lejueshme reciprociteti, duke theksuar se mund të zbatohen të njëjtat masa edhe nga shteti që është dëmtuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat