IuteCredit do të padisë Kosovën

Ekonomi

IuteCredit do të padisë Kosovën

Më: 26 shkurt 2020 Në ora: 12:09
BQK

Kompania amë e IuteCredit Kosova ka paraqitur kërkesën për arbitrazh para Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Odën Ekonomike Ndërkombëtare, pasi sipas saj, Banka Qendrore e Kosovës nuk ka dhënë shpjegim apo zgjidhje në lidhje me revokimin e licencës së IuteCredit Kosova.

Kryeshefi Ekzekutiv (KE) i IuteCredit Europe, Tarmo Sild, ka shpjeguar se Ligji për Investimet e Huaja në mënyrë të qartë specifikon se investitorëve të huaj, të cilët janë trajtuar në mënyrë të padrejtë, u lejohet të ndjekin arbitrazhin në vend të përdorimit të mjeteve juridike lokale.

“Deri më tani kemi përjetuar si dhe kemi arritur në përfundimin që nuk mund të bazohemi në proceset lokale gjyqësore apo në një administratë publike transparente që do të ishte e bazuar në sundim të ligjit. Për këtë arsye kemi zgjedhur rrugën që është më efikasja për të zgjidhur situatën dhe do vazhdojmë me arbitrazhin ndërkombëtar, meqenëse Banka Qendrore e Kosovës në mënyrë të papritur dhe të paligjshme ka revokuar licencën afariste të degës sonë në Kosovë” deklaroi Sild.

Sild ka përshkruar që revokimi i licencës afariste në një kohë kur portfolio i kredisë së degës lokale ishte rreth 12 milionë euro të shpërndara në 25,000 kredi përbënë një shkelje të obligimeve të Kosovës të përcaktuara në Ligjin për Investimet e Huaja, meqenëse nuk ka pasur ndonjë arsye valide për një veprim të tillë.

 

“Natyrisht se do kishim preferuar që Banka Qendrore e Kosovës të mos e kishte marrë fare këtë vendim të paligjshëm. Megjithatë, tani arsyeja kryesore që jemi duke vazhduar me arbitrazhin ndërkombëtar është dëmi i shkaktuar ndaj reputacionit dhe aseteve tona”, shpjegoi ai.

Sipas IuteCredit Europe, Kosova me rastin e revokimit të licencës ka shkelur disa nga obligimet e përcaktuara në Ligjin për Investimet e Huaja, siç është obligimi që IuteCredit t`i sigurohet trajtim i drejtë dhe i barabartë në kuadër të nenit 3(1); obligimin që të ofroj mbrojtje dhe siguri të plotë për IuteCredit në nenin 3 (2); obligimi për t`u mos u përfshirë apo dëmtuar investimet e IuteCredit sipas nenit 3 (4); obligimi për të përmbushur detyrimet e Republikës së Kosovës të krijuara me ligj apo akte të tjera ligjore (klauzola ombrellë) sipas nenit 5 (1); dhe obligimin për të mos shpronësuar investimet e IuteCredit pa kompensim të menjëhershëm, adekuat dhe efektiv sipas nenit 7.

“Sot IuteCredit është vendosur në një pozitë jashtëzakonisht të padrejtë në Kosovë dhe rrjedhimisht ka përjetuar humbje që duhet të kompensohen. Shuma specifike do të përcaktohet në këtë arbitrazh”, ka deklaruar Sild.

IuteCredit është një kompani ndërkombëtare mikro-kreditore dhe finetech me origjinë nga Estonia që është e përqendruar kryesisht në kredit me këste, duke përfshirë edhe kreditë për automjete. Periudha mesatare e maturitetit të kredive është 18 muaj.

Kompania operon në Moldavi, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Bullgari dhe Bosnje dhe Hercegovinë. Portfolio e partnerëve afarist të IuteCredit përfshinë shërbimet postare shtetërore, teleoperatorët ndërkombëtarë “Orange”, “VodaFone”, “Deutsche Telekom”, dyqanet e mëdha elektronike, etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat