Diskutohet projektbuxheti për vitin 2020, nuk merr mbështetjen nga opozita

Ekonomi

Diskutohet projektbuxheti për vitin 2020, nuk merr mbështetjen nga opozita

Më: 13 mars 2020 Në ora: 16:17
Pamje nga vendi i ngjarjes

Në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, ministri Financave dhe i Transfereve, Besnik Bislimi gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2020 dhe arsyetimit të ndarjeve buxhetore për vitin 2020, tha se të hyrat buxhetore për vitin 2020 janë paraparë të jenë 2 miliardë e 20 milionë euro, ndërsa shpenzimet do të jenë mbi 2.357 miliardë euro.

Ndërsa, theksoi se me këtë buxhet nuk ka ndërhyrje të theksuara në programin buxhetor, përveç në RTK dhe në Ministri të Bujqësisë.

Për më tepër, ministri i Financave dhe Transfereve, tha se lëvizjet buxhetore për komunat nuk kanë ndryshuar nga e kaluara. Megjithatë, nga anëtarë të Komisionit pati kritika se buxheti për 2020 nuk është zhvillimor dhe nuk dallon nga buxhetet e viteve të kaluara, për më tepër nuk mori edhe mbështetjen e opozitës për procedim të mëtutjeshëm.

Bislimi: Kemi trashëguar kontrata, andaj buxheti 2020 nuk do të jetë zhvillimor

“Buxhetimi për zhvillim, është plotësisht ide e qëlluar, vetëm se dua t’iu them se nga 2.357 miliardë që është buxheti i vitit 2020, shuma prej 620 milionë euro është e buxhetuar për paga ose 26 përqind e buxhetit. 357 milionë euro për mallra dhe shërbime, 633 milionë euro për subvencione dhe transfere. Kjo i bien që nga buxheti, diku 1.6 miliardë janë që në start të bllokuara… nga ajo pjesë që ishte dashur të reflektohet prioritetet zhvillimore të qeverisë, janë diku 450 milionë euro, me këto mjete unë kisha mundur t’i akomodojë sivjet pjesën më të madhe të prioriteteve që i ka qeveria e re. Mos me pas qenë problemi që qeveria e kaluar ka qenë shumë e suksesshme në kontraktimin e buxheteve të ardhshme. Pra, nga kjo shumë 450 milionë euro, 421 milionë janë veç të kontraktuara vitin e kaluar. Është fakt që qeveria është re, por buxheti nuk ësh të i ri. Për këtë, edhe unë pajtohem se ky buxhet nuk është zhvillimor, por nuk është yni”, deklaroi Bislimi.

Anëtari nga radhët e LDK-së, Shkëlzen Hajdini tha se gjatë gjithë kohës thuhet se do të bëhet buxheti për zhvillim ekonomik, për arsim, shëndetësi dhe të tjera, por sipas tij, edhe ky buxhet pak dallon nga ligjet paraprake buxhetore.

Hajdini: Buxheti 2020, nuk është zhvillimor

“Ne gjatë gjithë kohës e themi se do të bëjmë buxhetim për zhvillim ekonomik, për ngritje të cilësisë së arsimit, për ngritje të cilësisë së shërbimeve shëndetësore. Megjithatë, marrë parasysh buxhetin që ne e kemi përpara, buxheti pak dallon nga buxhetet e tjera që na kanë ardhur nga ligjet tjera të buxhetit. Propozoj që të fillojmë që të bëjmë buxhetim me koncept, ngase vendet e zhvilluara kanë filluar të fusin konceptin e buxhetimit të zhvillimit ekonom ik”, deklaroi Hajdini.

Ndërsa, që në fillim, anëtari nga radhët e PDK-së Bedri Hamza nuk u pajtua që Komisioni po shkel Rregulloren e Punës së Kuvendit për shqyrtimin e projektbuxhetit katër ditë më shpejt, edhe pse ky Komision në mbledhjen e fundit kishte votuar pro shqyrtimit të buxhetit me procedurë më të shpejtë.

Ish-ministri i Financave Hamza pati mjaft kritika për këtë projektligj, si për rritje ekonomike, për shpenzimet dhe mungesën, siç tha ai, të parave për zbatimin e Ligjit të pagave.

Hamza tha se çdo ndryshim pozitiv buxhetor e mbështet, por sipas tij, ka një diskrepancë mes premtimeve elektorale, programit qeverisës dhe buxhetit 2020.

Hamza: Për zbatimin e Ligjit për paga nuk ka me pas para

“Te masa e pagave, nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pa paragjykuar, nuk është e mjaftueshme. 619 edhe me marrë total krejt kontigjencën që d el 654 milionë euro, që nuk janë boll. Qeveria ose ka me i rritë tatimet, ose borxhin publik të ndërrojë rregullin fiskal, ose qeveria duhet të ndërrojë strukturën e buxhetit në dëm të kapitaleve. U tha këtu për vendimet për shpronësime, more krejt vendimet që s’janë të mira anulojë, kush do që i ka marrë”, tha Hamza.

Pas fjalimit, deputeti Hamza u largua nga komisioni, me arsyetimin se nuk ka më çfarë të diskutojë, ndërsa të njëjtin veprim e bëri edhe nënkryetari i këtij komisioni nga radhët e AAK-së, Shkumbin Demaliaj, i cili nuk diskutoi fare për buxhetin, e që pastaj pamundësoi edhe votimin e projektbuxhetit në mungesë të kuorumit.

Deputeti Demaliaj theksoi se nuk janë të gatshëm të diskutojnë për buxhetin me kaq nguti nga ana e pozitës dhe mbështeti deputetin Hamza për qëndrimin e tij.

Demaliaj: Nuk jemi të gatshëm të diskutojmë për buxhet me këtë nguti

“Unë veç e mbështes Hamzën për këtë veprim. Ministri Besnik Bislimi ishte, këtu nuk e pa të arsyeshme të qëndrojë në komision. Pozita nuk e ka kuorumin të vazhdojë dhe po shihet se nuk është interesant për ta. Mundësia për të shqyrtuar buxhetin, deputetët nuk e kanë buxhetin, e kanë vetëm në email. Edhe ne si grup parlamentar nuk e kemi shqyrtuar në brendi edhe në kohën e caktuar. Kështu që po iu lejojmë/Thirrna…”, tha Demaliaj.

Projektligji nuk u fut në votim, për arsye se nuk pati kuorum, por kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Hekuran Murati, theksi se votimi do të bëhet në një mbledhje tjetër.

Murati: S’ka kuorum, nuk mund ta qesim në votim buxhetin

“Duke marrë parasysh që u shter diskutimi në raport me projektligjin e buxhetit për sa i përket në lexim të parë, nd ërsa për votim meqenëse s’ka kuorum do t’ju lajmëroj, në këtë moment po e ndërpresim mbledhjen, ju lajmëroj me kohë me për të vazhduar dhe votuar projektligjin”, tha Murati.

Ndërsa, deputetja e Alternativës por pjesë e GP të VV-së, Mimoza Kusari Lila, pyeti ministrin e Financave dhe Transfereve se a janë paraparë mjete financiare për kompaninë “Bechetel-Enka” dhe “Kosovën e re”, ose ndonjë arbitrazh të mundshëm me buxhetin 2020.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bisikimi nuk ka qëndruar në Komision gjatë gjithë kohës, me arsyetimin se do të marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të posaçëm për parandalimin e koronavirusit, ku në këtë rast u zëvendësua nga Agim Krasniqi, zëvendësministër i këtij dikasteri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat