Bizneset kërkojnë fond nga qeveria për të shmangur falimentimin

Ekonomi

Bizneset kërkojnë fond nga qeveria për të shmangur falimentimin

Më: 13 mars 2020 Në ora: 18:45
Foto ilustrim

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë po kërkojnë nga Qeveria që të sigurojë një fond të veçantë në përkrahje të tyre, pas paraqitjes së rasteve me koronavirusin e ri, çka besohet se do të pasohej më pas me masa edhe më të rrepta parandaluese konform gjendjes së pandemisë, ët shpallur tashmë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Kosova, sipas përfaqësuesve të bizneseve, është vend i varur nga importi i produkteve nga vendet e rajonit, Bashkimit Evropian e më gjerë, andaj edhe efektet parashihen të jenë mjaft të rënda për shumë ndërmarrje afariste. Si rezultat i zbatimit të masave në situatë pandemie, theksojnë ata, bizneset private mund të përballen me mungesë të mjeteve financiare për shkak që në disa sektorë mund të zvogëlohet qarkullimi.

Dy raste me koronavirus në Kosovë

Oda Ekonomike dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, me anë të një komunikate të përbashkët i bëjnë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës të shtojë numrin e masave parandaluese kundër COVID-19, në përkrahje të sektorit privat dhe ekonomisë së vendit në përgjithësi.

Për të parandaluar përshkallëzimet dhe dëmin potencial qe mund të shkaktohet, këto Oda e kërkojnë shtyrje të afateve të raportimeve financiare tatimore, si shembull i mirë dhe mjet për lehtësimin e ngarkesës së sektorit privat.

“Në rast të zgjatjes së situatës së jashtëzakonshme për më shumë se është paramenduar, ky obligim ligjor do të ketë kosto enorme për kompanitë, gjersa Qeveria duhet të parasheh masa për të ulur efektin e të njëjtit përmes subvencionimit. Kjo vlen me theks të veçantë për rastet e aktivitetit ekonomik ku puna nuk mund të kryhet nga distanca, i cili në rast të zgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme, do të mund të rezultonte edhe në falimentim eventual të kompanive, dhe si pasojë humbje masive të vendeve të punës” thuhet në komunikatë.

Edhe Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të sigurojë fond për mbrojtjen e bizneseve.

Rastet e koronavirusit tashmë kanë përfshi numrin më të madh të shteteve në mbarë botën, përfshi edhe vendet e rajonit me të cilat kufizohet Kosova, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, të cilat tashmë po përballen me rastet e para të infeksioneve nga koronavirusi i ri. Në Kosovë, deri më tani ka pasur dhjetëra raste të dyshuara me këtë virus, por asnjëri prej tyre nuk ka dalë pozitiv.

Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se duke marrë për bazë situatën në vendet e prekura nga Covid-19 që shkaktohet nga koronavirusi i ri, në rast të paraqitjes së rasteve në Kosovë, në disa sektorët ekonomik mund të ketë zvogëlim të qarkullimit financiarë, çka sipas tij, do të përcillej me mundësinë e paraqitjes së problemeve me pagesën e pagave të punëtorëve apo kryerjen e obligimeve tatimore.

Për këtë arsye, thotë ai, Oda e Afarizmit të Kosovës, kërkon nga qeveria që të merr masa për shtyrjen e mundshme të tatimeve dhe kredive, ndërsa për bizneset që do të pësojnë dëme nga masat e gjendjes së pandemisë, të gjendet mënyra e kompensimit.

“Problemi është mungesa e qarkullimit të njerëzve, që do të afektojë shumë biznese, si hoteleritë restorantet, marketet (dyqanet) dhe sektorë të tjerë në të cilat do të ketë zvogëlim të qarkullimit. Dhe këto biznese në bazë të parashikimeve, kanë llogaritur të hyrat më të mëdha se sa do t’i kenë. Kështu që do kenë probleme, qoftë me detyrim të zvogëlimit të numrit të punëtorëve apo probleme të pagesave për qira, kredive dhe obligimeve shtesë”, thotë Krasniqi.

Kështu që shteti, thotë Krasniqi, duhet t’u dalë në ndihmë bizneseve që ato të mos falimentojnë.

Edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se duhet të merren masa parandaluese dhe çështja e bizneseve duhet të trajtohet, por pa krijuar panik në opinion.

Përveç bizneseve që parashikojnë se mund të ndodhen para falimentimit për shkak të masave kufizuese anti-koronavirus, ka biznese që po cilësohen si përfituese të kësaj situate.

Ngritja e çmimeve të produkteve bazike ushqimore, pastaj atyre higjienike e sanitare si dhe të barnave, ishin dukuri që u vërejtën vetëm pak orë pasi që Qeveria e Kosovës filloi me fazën e parë të aplikimit të masave parandaluese.

“Kosova nuk duhet të nënçmojë situatën, duhet të përgatitemi për më të keqen. Në këto raste bizneset nuk duhet të keqpërdorin situatën, por duhet të merren seriozisht në mënyrë që qytetarët e vendit të mbesin besnik të bizneseve, duke mos i rritur çmimet”, thotë Muharrem Shahini.

Ndryshe edhe Ministria e Financave dhe Administrata Tatimore e Kosovës tashme kanë deklaruar se do të ndëshkohen të gjitha bizneset që rrisin çmimet për shkak të gjendjes aktuale me masat kundër koronavirusit.

Edhe ekonomistë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, kanë thënë se politikë-bërësit qeveritarë duhet të zbatojnë masa “thelbësore” financiare, monetare me qëllim të luftimit të ndikimit ekonomik nga përhapja e shpejt e koronavirusit, ka ekonomistja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Gita Gopinath.

Në një blog të postuar në faqen zyrtare të FMN-së, Gopinath ka rekomanduar që “ekonomitë familjare dhe bizneset të goditura nga furnizimi me mallra dhe rënia e kërkesës mund të ndihmohen me dhënien e parave kesh, subvencione pagash dhe lirim nga tatimet, duke ndihmuar njerëzit që të plotësojnë nevojat e tyre dhe që bizneset të mund të mbijetojnë”, ka shkruar Gopinath.

Ajo ka përmendur vendimin e Qeverisë italiane për të zgjatur afatet për pagesa të taksave nga kompanitë, që gjenden në zonat e prekura nga koronavirusi dhe për të subvencionuar pagat për të mbështetur punëtorët që janë detyruar të futen në karantinë dhe që janë prekur nga kufizimet e vendosura për udhëtim./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat