Hajdari: Bizneset nuk do të mbyllen - rezervat shtetërore janë sekrete

Ekonomi

Hajdari: Bizneset nuk do të mbyllen - rezervat shtetërore janë sekrete

Më: 17 mars 2020 Në ora: 19:51
Rozeta Hajdari

Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike ka sqaruar në një konferencë për media urdhëresat që kanë të bëjnë me veprimet e ndërmarra lidhur me veprimtarinë dhe shërbimet e bizneseve dhe operatorëve ekonomikë.

Në një konferencë për media, ministrja Rozeta Hajdari ka sqaruar se ka pasur shumë paqartësi lidhur me zbatimin e urdhëresave nga ana e Qeverisë së Kosovës, pas vendosjes së masës së emergjencës së shëndetit publik, si pasojë e paraqitjes së rasteve me koronavirus.

Ajo edhe një herë ka përsëritur se Qeveria e Kosovës nuk ka për qëllim të mbyllë veprimtarinë e bizneseve dhe operatorëve ekonomikë, por që të shmangë pasojat e mundshme nga pandemia koronavirus, ndaj ka dhënë edhe njëherë sqarime lidhur me një gjë të tillë.

Hajdari: Bizneset nuk do të ndalen - të qëndrojmë larg rrezikut nga COVID-19

“2.13-2.33 Nuk është qëllimi i ministrisë sonë që të mbyllim bizneset, nuk është qëllimi i Qeverisë Kurti të mbyllë operatorët, por thjesht shmangim pasojat e pandemisë koronavirus... 4.00 Urdhërohen të gjithë operatorët ekonomikë të marrin këto masa higjienike parandaluese: të dezinfektojë dhe të ajrosë rregullisht lokalin dhe hapësirën e punës, të pajisë punëtorët me mjete mbrojtëse personale sipas udhëzimeve të MSH-së, të sigurojë se personat brenda lokalit rrinë larg një metër larg njëri-tjetrit, të sigurojë se lokali nuk është stërmbushur aq sa njerëzit brenda të mos rrinë larg njëri-tjetrit të paktën një metër, të sigurojë se blerësit presin në radhë, që të rrinë jashtë lokalit në radhë derisa t’iu vijë radha për të blerë, të sigurojë se në lokal nuk ka persona të tjerë përveç punëtorëve dhe blerësve, të shfrytëzojë kanalet elektronike për të ushtruar veprimtarinë aq sa është e mundshme, të organizojë punën me ndërrime për të zvogëluar numrin e punëtorëve të pranishëm në punë aq sa është e mundshme. Pra, jo të ndalen bizneset, por të organizohemi aq sa mundemi që t’i largohemi rrezikut nga pandemia koronavirus”, tha ministrja Hajdari.

Po sipas kësaj urdhërese, të gjithë operatorët ekonomikë janë të obliguara të ndërmarrin të gjitha masat e tjera për të zbatuar vendimet e ministrisë dhe udhëzimet e qeverisë.

Ajo ka sqaruar më tej se çfarë është paraparë të mbyllet në kuadër të masave preventive për përhapjen e koronavirusit.

Hajdari: Barnatoret dhe shitoret ushqimore nuk mbyllen

“Mbyllen restorantet, kafiteritë, pabet, baret, qendrat tregtare - përveç barnatoreve farmaceutike dhe bujqësore dhe shitoreve ushqimore brenda qendrave tregtare - tregjet e automjeteve dhe të kafshëve. Konsiderohen tregje tregtare shtëpitë e mallrave, tregjet e mbyllura dhe lokale të ngjashme. Operatorët me ofertë të përzierë shitje- shërbim mund të shesin, por nuk mund të shërbejnë brenda lokalit apo hapësirës së tyre të punës. Operatorë të tillë janë furrat e bukës, burektoret, qebaptoret, ëmbëltoret, gjellëtoret dhe ushqimoret e tjera që shesin pije dhe ushqime, dhe autolarjet dhe pikat e karburantit që shesin mallra dhe shërbime për automjete, por edhe që kanë kafiteri apo restorant brenda lokalit”, ka thënë ajo.

Ndër masat tjera është ndalimi i pijes dhe ushqimit brenda mensës së punëtorëve, por që këtyre të fundit mund t’iu ofrohen pije dhe ushqim jashtë mensës, me qëllim që ata të qëndrojnë në distancë prej njërit-tjetrit prej të paktën një metër sipas masave të parapara nga qeveria për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Po ashtu edhe hotelet duhet të zbatojnë udhëzimet në fjalë, duke siguruar numrin e saktë të vizitorëve që ata pranojnë. Operatorët e posaçëm që merren me shërbime postare, elektronike, komunale e financiare mund të ofrojnë shërbime deri në një masë, por me staf të reduktuar, ndërsa prodhuesit dhe ndërtimtarët mund të vazhdojnë veprimtaritë e tyre.

Ministrja Hajdari ka dhënë sqarime edhe sa i përket shërbimeve të operatorëve të telekomunikimeve elektronike, të cilët obligohen të ofrojnë qasje pandërprerë në të gjithë vendin dhe këto shërbime nuk mund të ndalen edhe nëse klienti nuk i përmbushë detyrimet, por që ky i fundit nuk është i liruar nga pagesa.

Operatorët e shërbimeve postare po ashtu duhet të ofrojnë shërbime në të gjithë vendin, me përjashtim në ato vendet që përcaktohen me vendime të qeverisë.

Sa i përket prezencë së mysafirëve nëpër hotele në Kosovë, ministrja Hajdari tha se ato janë të obliguara t’i zbatojnë masat emergjente të shëndetit publik, duke identifikuar secilin mysafir dhe vendin e origjinës.

Hajdari: Çdo mysafir në hotel duhet të identifikohet

“Ne kemi lëshuar urdhëresën që çdo mysafir në hotel duhet të identifikohet prej nga vjen dhe të them të drejtën sot nuk kemi arritur t’i identifikojmë, sepse ishim në identifikimin e problemeve të bizneseve”, tha ajo.

Ministrja Hajdari ka folur edhe rreth rezervave shtetërore, duke thënë se nuk ka vend për panik dhe shqetësim.

Hajdari: Rezervat shtetërore janë sekrete

“Nuk jemi në situatë emergjencë, jemi në nivelin 2, por çdo gjë duhet të merret pa panik dhe të mos shkaktojmë shqetësime te qytetarët se nuk kemi rezerva. Rezervat shtetërore janë sekrete dhe si ministre nuk mund të tregojë se ku dhe ‘tek’ janë, por bashkë me kolegët të bëmë një plan të mirë që në situatën më serioze që mund të vijë të jemi të siguruar”, tha Hajdari.

Ndryshe, këto masa, sipas ministres Hajdar i, do të vlejnë deri në shfuqizimin e tyre me vendim nga ana e Qeverisë së Kosovës./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat