Ministria e Financave merr vendim për pezullim të pranimit të kërkesave për pagesë dhe pranimin fizik të shkresave në Thesar

Ekonomi

Ministria e Financave merr vendim për pezullim të pranimit të kërkesave për pagesë dhe pranimin fizik të shkresave në Thesar

Më: 18 mars 2020 Në ora: 12:14
Foto Ilustrim

Duke u bazuar në vendimin e qeverisë për situatën lidhur me Coronavirus, për shpalljen e emergjencës për shëndetin publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë si dhe Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, Ministria e Financave ka marr vendim për pezullim të pranimit të kërkesave për pagesë dhe pranimin fizik të shkresave në Thesar.

Sipas vendimit, gjithashtu do të pezullohen përkohësisht ekzekutimet e vendimeve gjyqësore.

“Pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore apo përmbarimore; Pezullimin e të gjitha kërkesave drejtuar Thesarit për pagesa të drejtpërdrejta, sipas nenit 39 (2) të LMFPP, që ka të bëjë me faturat e papaguara mbi 60 ditë; dhe Pezullimin e përkohshëm të të gjitha kërkesave ndaj Thesarit (MFT) për rimbursime për persona fizikë dhe juridik”, thuhet në njoftimin e MF-së.

Stafi i Thesarit do të bëjë trajtimin e kërkesave të pranuara deri më datë 11.03.2020. Ndërsa kërkesat e pranuara pas këtij afati pezullohen përkohësisht, dhe pas marrjes së një vendimi tjetër apo me shfuqizimin e vendimit për situatën e emergjencës shëndetësore, trajtimi i kërkesave do të vazhdojë aty ku ka mbetur.

Gjithashtu vlen të theksohet se për shkak të situatës së krijuar, të gjitha kërkesat të cilat vijnë nga palët, duke përfshirë edhe ato nga organizatat buxhetore, duhet të paraqiten vetëm përmes postës elektronike zyrtare (të skanuara), për të shmangur kontaktin fizik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat