Gërxhaliu: Koronavirusi do t’i shkaktojë probleme Kosovës, s’duhet të merren vendime ad-hoc

Ekonomi

Gërxhaliu: Koronavirusi do t’i shkaktojë probleme Kosovës, s’duhet të merren vendime ad-hoc

Më: 18 mars 2020 Në ora: 16:02
Safet Gërxhaliu

Këshilli i Sigurisë Kombëtare u mblodh mbrëmë për të vendosur për gjendjen e jashtëzakonshme pas rritjes së numrit të të prekurve me koronavirus.

Por si duket as aty nuk pat një koordinim ndërinstitucional për të marrë një vendim të duhur për situatën në të cilën gjendet Kosova.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, në një intervistë, thotë se politikanët duhet të gjejnë një modalitet që ta lehtësojnë krizën e krijuar, e jo ta vështirësojnë gjendjen edhe më tej.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës janë duke pësuar si shkak i relacioneve jo të mira të presidentit e kryeministrit.

Derisa thekson se institucionet duhet të qëndrojnë pranë sektorit privat.

“Në këtë drejtim nuk duhet të sjellin vendime ad-hoc, qoftë për një gjendje të jashtëzakonshme, qoftë për veprime të tjera. Të cilat shumë më tepër e kanë prapavijë të kalkuluar mbi popullizëm se sa interes të shtetit. Prandaj është koha për dialog konstruktiv, është koha për një dialog argumentues dhe mbi të gjitha një sundim të fizibilitetit që jep rezultate konkrete, se cila duhet të jetë rruga që duhet të vazhdohet në të ardhmen.. duhet të jemi të kujdesshëm që të mos i prodhojmë favore kundërshtarëve të Kosovës atyre që më së paku ia duan të mirën Kosovës. Dhe si po e shoh me këtë diskurs të komunikimit shumë më tepër po i shkon për shtat kundërshtarëve të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, se sa vet Kosovës dhe ardhmërisë së vet”, deklaron ai.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, po vlerëson se Kosova është në një pozitë mjaftë të palakmueshme, pasi që nuk ka buxhet rezervë e as rezerva të bollshme shtetërore për të përballuar gjendjen e krijuar nga koronavirusi.

“Kosova vërtet është në pozitë të palakmueshme vet fakti që shumë ekspertë që në të kaluarën kanë rekomanduar që duhet buxhetit rezervë t’i kushtohet kujdes, duhet të kemi rezerva shtetërore të produkteve strategjike sidomos që janë të nevojshme për qytetarët dhe një rekomandim i tillë ka hasur në vesh të shurdhër, sot jemi këtu ku jemi dhe e vetmja gjë që do të lulëzoj nëse vazhdohet me këtë drejtim është ekonomia spekulative, do të përfitojnë përfiterët dhe tregtarët por barrën do ta paguajë qytetari i Kosovës. Prandaj besoj që nuk kemi komoditet për një statisfaksion, sa më tepër që do të zgjat një krizë e tillë efektet do të jenë vërtetë shumë të mëdha në aspektin negativ”, thotë ai.

Efektet e para negative të këtij muaji si shkak i koronavirusit, Gërxhaliu thotë se do të barten edhe në të ardhmen dhe se sipas tij do të jetë një vit shumë sfidues.

Gjendja e krijuar thotë se i shkon për shtati vetëm kundërshtarëve të Kosovës.

“Kosova ka hy në krizë, me krizë dhe do të thotë në shumë vende të rajonit dhe të Evropës kanë komoditet që të përballen vetëm me pasojat e virusit korona, mirëpo Kosova ka shumë sfida, vetë fakti që e kemi një debat politik që shumë më tepër ju shkon në favor kundërshtarëve të Kosovës se sa vetë Kosovës. E dyta e kemi pasur një periudhë kohore pa institucione, e treta e kemi një luftës mes pozitës dhe opozitës. E kemi një mos koordinim të qëndrimeve mes partnerëve të koalicionit dhe në anën tjetër e kemi koronavirusin po e shihni sa e vështirë është situata në Kosovë”, tha ai.

Ai flet edhe për masat e marra nga Qeveria e Kosovës, të cilat po i vlerëson të mangëta dhe të paarsyetuara mirë.

Madje thotë se kanë krijuar edhe hamendje te qytetarët por edhe të komuniteti i biznesit.

“Nuk luftohet koronavirusi vetëm me deklarata nga kabinete qeveritare, duhet të jemi më aktiv në këtë drejtim ta dëgjojmë zërin e biznesit, të jemi më afër biznesit. Dhe defitinivisht të bëjmë më tepër për biznesin. Unë i kam përcjellur qëndrimet institucionale sa i përket lehtësirave qoftë me bankat qendrore, komerciale, ATK, qoftë edhe me obligime tjera, mirëpo të gjitha në një forme kanë mbetur në deklarata. Në qoftë se sot do të shkoni t’i pyesni bankat komerciale ata do të thonë që nuk kanë asnjë udhëzim nga BQK. Në qoftë se do të shkoni në ATK do ta thonë të njëjtën gjë që nuk kanë udhëzim, ose një rregull se si do të vazhdohet më tutje. Dhe e tëra kjo krijon një konfuzitet”, shton ai.

Qeveria e Kosovës ditë më parë propozoi një serë masash kundër koronavirusit, ndër to edhe shtyrjen e afatit të pagesave për shërbime të ndryshme deri më 30 prill.

Por ministrja Rozeta Hajdari mbrëmë deklaroi se ende nuk është marrë një vendim, por që këto mbesin vetëm propozime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat