Kriza politike në këtë kohë sjellë dëme të mëdha në ekonomi

Ekonomi

Kriza politike në këtë kohë sjellë dëme të mëdha në ekonomi

Më: 20 mars 2020 Në ora: 16:22
Prishtinë

Mundësia që vendi të futet shpejt në një krizë politike, pas shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut dhe përplasjeve ndërmjet koalicionit qeverisës, sjellë dëme të mëdha për ekonominë marrë parasysh edhe gjendjen që po kalon Kosova me pandeminë Covid-19 që nuk kurseu as vendin tonë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës, Arian Zeka thotë për KosovaPress, se kjo krizë e re politike, ose këto mosmarrëveshjet që janë paraqitur në skenën politike, janë të dëmshme për ekonominë e vendit, në këtë kohë me pandemi që ka kapluar tërë botën. Edhe kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi thotë se çdo krizë që i shtohet kësaj të shëndetit publik, janë pasoja të mëdha në ekonomi.

Zeka: Në këtë pandemi, kriza politike është e panevojshme

“Kjo krizë politike, në të cilën mund të futemi në ditët në vijim, është më së paku diçka për të cilën kemi nevojë, e besojë që verdiktin më të mirë për këtë e dhanë edhe vet qytetarët përmes protestës së djeshme. Ekonomia, pothuajse të gjithë sektorët ekonomik të vendit kanë pasur vështirësi në operimet e tyre. Janë disa sektorë të caktuar, ku aktiviteti i tyre është ndërprerë menjëherë me masat parandaluese që janë goditur në mënyrë më të ashpër. Tashmë jemi në një krizë ekonomik, po e bëjmë këtë vijimësinë prej 6-7 muajve të vitit të kaluar kur kishim mungesë të stabilitetit politik. Kufizim të vendimmarrjes në shumë aspekte deri në zgjedhjen e qeverisë së re, kështu që ajo që kemi pritur që tashmë të kemi stabilitet politik, ashtu që vendimmarrja të vazhdon dhe reforma në përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes të ec më tutje, ndërsa, kanë mbetur një sërë ligjesh të cilat kanë pritur aprovimin nga ana e kuvendit të ri. Në anën tjetër është dhe gjykata komerciale”, thotë Zeka.

Edhe kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës(OAK), Skënder Krasniqi, thotë se në këtë situatë është e nevojshme shumë unifikimi edhe më i madh, qoftë i qeverisë, qoftë i opozitës që bashkërisht të përballohet kjo krizë jashtëzakonshme, krizë kjo e cili nuk dihet sa do zgjatë.

Sipas tij, shtetet e tjera janë duke marrë masa të jashtëzakonshme për t’i mbrojtur qytetarët, bizneset që mos të këtë një impakt negativ në ekonomi dhe punësim.

Krasniqi: Qeveria, opozita, bizneset dhe qytetarët të kontribuojnë për ta kaluar krizën me pandeminë

“Edhe ne si Kosovë që kemi probleme me të bërit biznes, jemi duke u ballafaquar dhe kemi me u ballafaquar me situata shumë të rënda, duke marrë parasysh edhe kapacite t tona jo të mëdha prodhuese, por edhe fuqinë tonë si shtet për me i ndihmuar bizneset. Duke marrë përsysh këtë, Kosova ose Qeveria, qoftë opozita, duhet të unifikohen maksimalisht dhe të kontribuojnë që së bashku me qytetarët, me bizneset ta kalojmë këtë krizë me pandemi, sepse kjo krizë do të afekton tek qytetarët, qoftë me humbje të vendeve të punës, qoftë me mungesë të të ardhurave, por do të mund të afekton në aspektin afatgjatë në qoftë se nuk marrim masa adekuate. Çdo diskutim tjetër, mund të rrezikoj që Kosova të humb shumë më shumë se vendet tjera”, pohon Krasniqi

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi deklaron se në këtë situatë me pandeminë, duhet një stabilitet institucional, duhet një qeveri e cila merr vendime, e jo krizë politike.

Sipas Rukiqit, kjo krizë në këtë gjendje, është paradoksale që të ketë edhe krizë politike.

Rukiqi: Kjo krizë politike në këtë gjendje, është paradoksale

“Tash edhe kriza politike, sidomos në një situatë ku sfidat ekonomike do të jenë jashtëzakonisht të mëdha dhe sfida shoqërore me pandeminë. Kjo krizë në këtë gjendje, është paradoksale që të kemi dhe krizë politike, ku mund të ketë pengesa në vendimmarrje, sidomos një vendimmarrje që emergjente që kërkohet në sektorin ekonomisë. Ne edhe në këto orë kur po flasim, jemi duke insistua te qeveria, te institucionet e vendit që dalin me një pako financiare, e cila sado pak e lejon biznesin me marrë frymë në një situatë ku kemi ngufatje të shumë veprimtarive ekonomike. Çdo krizë që i shtohet kësaj që po na përcjellë, do të le pasoja të mëdha në ekonomi”, thotë Rukiqi.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka folur edhe për kërkesat dhe rekomandimet që i kanë dorëzuar së bashku me odat tjera ekonomike në Qeverinë e Kosovës, në mënyrë që bizneset të dalin nga kriza në këtë kohë emergjente për shëndetin publik.

Sipas tij, janë duke pritur përgjigjet nga Qeveria e cila ka filluar t’i analizon propozimet që kanë dalë nga asociacionet e bizneseve në bashkëpunim me disa ekspertë financiar, por edhe ndërmarrës të cilët kanë dashur që të kontribuojnë në një dokument të tillë.

Zeka: Jemi në pritje të qeverisë për masat në këtë kohë emergjente

“Do të presim që qeveria të dal me një përgjigje për sa i përket propozimeve që i kemi dhënë. Propozimet kanë të bëjnë me një sërë masash edhe në këtë fazën emergjente. Gjatë ditës së djeshme janë marrë një pjesë e vendimeve, siç është vendimi për pezullimin e detyrimeve tatimore, edhe për deklarimin dhe pagesën e tyre. Është vendimi tashmë i BQK-së në bashkëpunim me bankat komerciale që i japin mun dësi atyre që janë në vështirësi financiare, për të shtyrë edhe ri programuar detyrimet e tyre kreditore. Pastaj, ky dokumenti që kemi dorëzuar te qeveria përmban edhe rekomandimet për sa i përket rikuperimit të masave, për masave stimuluese, infuzionit financiar që shteti duhet të bëjë në sektorët e caktuar për ta përballuar më lehtë rimëkëmbjen kur do që kjo fazë emergjente të përfundoj”, thotë Zeka.

Ai po ashtu ka folur edhe për masat e BQK-së për bizneset dhe qytetarët, sipas të cilit, në këtë situatë, vendimi është plotësisht i pranueshëm, i lejon bankat komerciale që të analizojnë përformancen e klientëve të tyre dhe askush më mirë se sa bankat nuk mund ta shohin përformancen e klientëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat