Bislimi paralajmëron masa shtesë në ndihmë të bizneseve, të hënën shpërndahen ndihmat sociale për 2 muaj

Ekonomi

Bislimi paralajmëron masa shtesë në ndihmë të bizneseve, të hënën shpërndahen ndihmat sociale për 2 muaj

Më: 20 mars 2020 Në ora: 16:52
Besnik Bislimi

Ministri i Financave dhe Transfereve (MFT), Besnik Bislimi, ka paralajmëruar masa shtesë në ndihmën të bizneseve, pas ndalesave që janë bërë si masa parandaluese ndaj Coronavirusit.

Bislimi në një intervistë, ka sqaruar se kanë kontaktuar edhe me mekanizmat financiare ndërkombëtare për gjetjen e fondeve në mënyrë që prodhuesve vendës t’i dalim në ndihmë menjëherë pas krizës.

“Ne si ministri të Financave kemi marrë një sërë masash që targetojnë biznesin, kemi shty raportimet financiare, kemi shtyrë raportimet tatimore, raportimet e rregullta vjetore, disa sosh deri në fund të majit, disa sosh deri në fund të prillit dhe poashtu kemi njoftuar komitetin e biznesit që jemi duke punuar intensivisht edhe me mekanizmat financiare ndërkombëtare për gjetjen e fondeve të mjaftueshëm në mënyrë që ekonomisë te prodhuesit vendor t’i dalim në ndihmë menjëherë pas krizës me ato që ka nevojë më së shumti, me likuiditet, mirëpo edhe me kredi të subvencionuara ose pa kamatë për të gjithë ato biznese të cilat kanë nevojë për kredi shtesë për blerje të lëndës së parë, për eksportim apo për zgjerim të kapaciteteve prodhuese”, u shpreh Bislimi.

Kreu i MFT-së, ka thënë se të hënën do të fillohet me shpërndarjen e ndihmave sociale për dy muaj.

“Jemi duke dizajnuar masat të cilat sigurojnë deri në masë të madhe edhe mbajtjen në nivel të kërkesës agrgate, që të hënën do të fillojmë me shpërndarjen e ndihmave sociale. Kemi marrë vendim që të shpërndahen në të njëjtën kohë dy muaj të ndihmave sociale për arsye se kjo kategori e shoqërisë ka qenë më e atakuara nga ngritjet e pakontrolluara të çmimeve andaj edhe kemi konstatuar nevojën për intervenim emergjent te kjo kategori”.

Ministria është duke shikuar mundësinë edhe për masa tjera për pagesën e pagave në disa sektorë sidomos ata që janë atakuar drejtpërdrejt nga vendimet e Qeverisë.

“Por, do dizajnojmë masa të cilat adresojnë emergjencat qoftë në mundësinë për pagesën e pagave në disa sektorë sidomos ata që janë atakuar drejtpërdrejt nga vendimet tona, por edhe te ata të cilët në mënyrë indirekte atakohen. Nëse ne mbyllim një restorant ka mundësi që restoranti ballafaqohet me vështirësi edhe në pagesën e qirasë, duhet me dizajnuar edhe masë emergjente pak a shumë që një pjesë të kësaj qiraje e mbulon përmes fondit emergjent”, tregoi ai.

Ai ka thënë se është ende herët për të konstatuar se çfarë impakti ka pasur në buxhet, gjendja e krijuar në vend me Coronavirus.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat