​MBPZHR riorganizon programet mbështetëse drejtë rritjes së sasisë së ushqimeve që prodhohen në vend

Ekonomi

​MBPZHR riorganizon programet mbështetëse drejtë rritjes së sasisë së ushqimeve që prodhohen në vend

Më: 23 mars 2020 Në ora: 13:05
Besian Mustafa

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për të shfrytëzuar sezonin e të mbjellave pranverore që të sigurohet sa më shumë prodhim vendor të ushqimeve, ka marrë vendim për t’i riorganizuar programet mbështetëse të ministrisë drejtë rritjes së sasisë dhe cilësisë së ushqimit që prodhohet në vendin tonë.

Drithërat, veçanërisht gruri dhe misri, do të vazhdojnë të përkrahen dhe do të ketë angazhim shtesë që subvencionet në këtë drejtim të realizohen në afat rekord. Po ashtu, do të rritet subvencionimi për 50 përqind për prodhimin intensiv të perimeve në serra, në mënyrë që të sigurohen më shumë perime të freskëta si domate, speca, tranguj.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se ka shtyrë përkohësisht afatet për implementimin e projekteve përfituese të grantev e të vitit 2019, që bujqit të mos ndëshkohen.

Në koordinim të vazhdueshëm me homologët e tij në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut, Mustafa tha se ka arritur të sigurojë korridor të furnizimit me ushqim për blegtorinë dhe shpezëtarinë, duke evituar kështu një krizë për këta dy sektorë.

Mustafa tha se për të siguruar që bujqit dhe agropërpunuesit të kenë më shume mjete likuide për të punuar ka kërkuar intensifikimin e realizimit të pagesave për përfituesit e granteve dhe subvencioneve, ku bëri të ditur se gjatë javës së kaluar janë realizuar pagesat për 1.702 përfitues në vlere prej 2 milionë e 456 mijë euro.

Nga ministrinë që ai e drejton, tha se po punohet me intensitet të shtuar për t'i zgjatur dorën bujkut prodhues.

Mustafa: Riorganizojmë programet mbështetëse të ministrisë drejtë rritjes se sasisë dhe cilësisë se ushqimit

"Për të shfrytëzuar sezonin e të mbjellave pranverore që të sigurojmë sa më shume prodhim vendor të ushqimeve, kam vendosur t'i riorganizojmë programet mbështetëse të ministrisë drejtë rritjes se sasisë dhe cilësisë së ushqimit që prodhohet në vendin tonë. Ky riorganizim bëhet brenda buxhetit ekzistues të ministrisë, pa ulur përkrahjen për asnjë kulturë që është përkrahur deri tani, por duke riorganizuar buxhetin e pashfrytëzuar nga kulturat ku në të kaluarën ka tepruar buxheti i ndarë drejtë kulturave të domosdoshme në këtë gjendje emergjente", tha ai.

Ai ka treguar të gjitha masat që i kanë ndërmarrë në kohën kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19.

Sipas tij, të gjitha këto masa me përqendrim të veçantë tek te mbjellat pranverore, do të rrisin prodhimin vendor të lëndës bazë për të siguruar më shumë ushqim për familjet tona.

Mustafa: Drithërat, veçanërisht gruri dhe misri, do të përkrahen

"Drithërat, veçanërisht gruri dhe misri, që përbejnë ushqyesit elementar për qytetaret, blegtorinë dhe shpezëtarinë, do të vazhdojnë të përkrahen, duke i shtuar angazhimin tim personal që pagesat e subvencioneve në ketë drejtim të realizohen në afat rekord. Do të rrisim subvencionet për 50 perqind për prodhimin intensiv të perimeve në serra, për të siguruar më shumë perime të freskëta si domate, speca, tranguj. Që të rrisim të hyrat e shtetit nga eksporti, do të rrisim subvencionet për 50 perqind për mjedrën si kulture me potencial të madh eksportues. Për të siguruar më shumë bylmet dhe mish, do të rrisim subvencionet për 20 perqind për lopë qumështore, dele, dhi dhe buallica. Ndërsa për t’iu dhënë familjeve tona siguri dhe higjienë në mishin e prodhuar në vend, do të rrisim subvencionimin për 50 perqind për kafshët e therura në thertore të licencuara që zbatojnë standarde më të larta. Për të mbrojtur ushqimin vendor nga fatkeqësitë natyrore, do të mbulojmë më shumë kultura bujqësore përmes skemës së sigurimeve bujqësore për të përfshirë përveç mjedrës edhe rrushin, mollën dhe kumbullën", tha ai.

Këto masa ai tha se do të kompletohen edhe me masa në grante ku do të përkrahin pikat grumbulluese dhe qendrat përpunuese të cilat transferojnë lëndën bazë të prodhuar nga bujqit në ushqim. Për të rritur edhe më shumë prodhimin vendor të ushqimit, Mustafa tha se do të përkrahin ndërtimin e kapaciteteve të reja në serra, stalla, pemishte dhe sisteme të ujitjes.

Ministri Mustafa ka folur edhe rreth furnizimit me miell, ku tha se nga Shoqata e Mullistëve është informuar se aktualisht nuk ka krizë, por që janë duke e monitoruar situatën çdo ditë.

Mustafa: Për momentin kemi grurë dhe miell të mjaftueshëm

“Në vitin 2018 janë mbjell përafërsisht 56 mijë hektarë me grurë, ndërsa në vjeshtën e vitit të kaluar rreth 62 mijë hektarë, pra kemi një rritje pak më shumë se 10 përqind, 6 mijë hektarë më shumë të mbjella me grurë. Këto përafërsisht përmbushin 65 deri në 70 përqind të nevojave për grurë dhe miell në vend, pjesa tjetër pastaj importohet. Thash edhe më parë, për grurin, misrin, që përdoret pastaj në shpezëtari, por gruri kryesisht për ushqimin njerëzor duke e përpunuar në miell kemi siguruar korridore të furnizimit përmes Bullgarisë dhe tranzit përmes Maqedonisë së Veriut. Sipas të gjitha informatave që kemi nga shoqata e Mullistëve, na njoftojnë se për momentin kemi grurë dhe miell të mjaftueshëm. Në regjion, në shtetet fqinje nuk ka ndonjë krizë për momentin, mirëpo jemi duke monitoruar situatën çdo ditë”, tha Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat