Oda e Afarizmit të Kosovës: Kemi qenë për reciprocitet

Ekonomi

Oda e Afarizmit të Kosovës: Kemi qenë për reciprocitet

Më: 1 prill 2020 Në ora: 12:51
Diamant Elshani

Sekretari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Diamant Elshani, ka thënë se ata kanë qenë për reciprocitet, kurse Qeveria Haradinaj nuk i kishte konsultuar fare kur kishte vendosur tarifën 100 përqind ndaj mallrave serbe e boshnjake, shkruan Gazeta Sinjali.

Në atë kohë, Elshani, thotë se shumë biznese kanë qenë të papërgatitura për një procedurë të re. Andaj, thotë se kishin kërkuar qysh atëherë nga qeveria që këtë masë ta kthejë në reciprocitet.

“Ne që atëherë kemi qenë për reciprocitet – që të kemi trajtim të barabartë me Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën. Kemi parasysh që ne importojmë 90 përqind dhe 10 përqind eksportojmë. Jemi mjaft të përgatitur në importe, në këtë formë vetëm reciprociteti mjafton”, tha sekretari i Bordit të OAK-së.

Ai shprehet optimist se me masën e reciprocitetit nuk do të ketë çrregullime të tregut, pasi, sipas tij, të gjitha kanalet janë zëvendësuar për produkte që janë zëvendësuar pas taksës.

Kurse, sa i përket pandemisë COVID-19, Elshani ka paralajmëruar që nëse nuk merren masa, mund të shkaktohen dëme të mëdha.

“Nëse nuk merren masa mbrojtës dëmet do të jenë të mëdha. Ka 80% të bizneseve që nuk operojnë, kështu që masat që Qeveria i ka marrë me numër parcial të kërkesave tona duhet të vendosen sa më shpejt, sepse bizneset do të falimentojnë”, tha Elshani për klankosovën.

Nga sot Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim që të hiqet tarifa 100 përqind dhe të nisë vendimi për zbatim të masës së reciprocitetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat