Eksperti i ekonomisë: Nuk mjafton Pako Emergjente e miratuar nga Qeveria, do të goditet rëndë sektori privat

Ekonomi

Eksperti i ekonomisë: Nuk mjafton Pako Emergjente e miratuar nga Qeveria, do të goditet rëndë sektori privat

Më: 1 prill 2020 Në ora: 16:19
Foto ilustrim

Qeveria e Kosovës ka miratuar Pakon Emergjente, që ndër të tjerë përfshinë shtesa për skemat sociale dhe pensionale, mbështetje financiare për shoqëritë tregtare, huadhënia për ndërmarrjet publike në vështirësi, për komunat, shtesa për mjekë, infermierë, policë, punëtorët e dyqaneve, furrave, farmacive, e shtesa për kategori të tjera.

Mirëpo, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, nuk po e sheh të mjaftueshme këtë pako për nevojat e sektorit privat në vend, ndërsa pohon se janë prekur kategoritë që kanë pasur më së shumti nevojë.

“Ndër problemet më të mëdha ka qenë që Kosova deri vonë nuk ka pasur buxhet të miratuar në 2020, nuk kemi rezerva shtetërore dhe buxhetin për emergjenca e kemi të zbrazët dhe një pako e tillë e miratuar, nëse i përmbushë vetëm pjesërisht kërkesat e sektorit privat është një hap i mirë për momentin por jo i mjaftueshëm për nevojat e sektorit privat”, ka thënë ai.

“Besoj që i ka prekë mu ato segmente të cilat janë të nevojshme dhe e meritojnë një mbështetje jo vetëm këtë masë por më tepër se kjo”.

E krahas kësaj pakoje, e cila erdhi në miratim me përhapjen e virusit korona, Kosova po përballet me vështirësi ekonomike.

Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, në deklaratë thotë se 4 për qindëshi i rritjes ekonomike i vitit të kaluar, është një shifër mëse e dëshirueshme për vendin pas kësaj periudhe. Por, shton ai, në këtë situatë edhe një rritje prej 2 për qind konsiderohet e mirë.

“Duhet të kuptohet se kemi buxhet të limituar në Kosovë, të hyrat do të jenë vërtetë vështirë të arrihen, parashihet për rritje ekonomike, 4 për qind janë për tu dëshiruar, nëse Kosova do të arrijë rritje ekonomike deri në 2 për qind do të jetë rritje e mirëseardhur, por duhet të mobilizohemi”, tha Gërxhaliu.

Sipas tij, 2020-ta do jetë vit sfidues për ekonominë e vendit, e ‘goditja’ më e madhe nga pandemia do t’i jepet sektorit privat, shtoi ai.

“Vetë fakti që Kosovën e ka gjetë pa një buxhet emergjent dhe pa rezerva shtetërore është një rrethanë shqetësuese. Do të jetë një vit mjaft sfidues. Sektori më i goditur do të jetë sektori privat, në vecanti ato veprimtari ekonomike ku kanë qenë më të angazhuara”.

“Sektorët që janë më të rrezikuar, është sektori privat që do ta paguajë barrën më të madhe, në veçanti sektori i prodhimit, i ndërtimit, shërbimeve, hoteleria dhe gastronemia. Këto janë sektorët që do të kemi edhe humbje të vendeve të punës. Me vetë faktin që i kemi më tepër se 300 mijë të punësuar në sektorin privat dhe nuk kanë të garantuar paga për muajt e ardhshëm do jetë sfidë e madhe që do ta rrezikojë edhe stabilitetin social në Kosovë”, ka shtuar ai.

Ai tregon disa mënyra për lehtësimin e krizës së sektorit privat dhe shpëtimin e tij për të ardhmen e njerëzve.

“Duhet të kemi kujdes me përmbaruesit privatë që do jenë në një rrethanë më shqetësuese për sektorin privat. Derisa sektori publik i merr pagat nga sektori privat, sektori privat mbetet i pashpresë në këtë moment. Prandaj nëse mendohet që qytetari të del më lehtë nga një krizë e tillë, duhet të kryejmë obligimet nga Administrata Publike, duhet të mbështetet sektori privat  dhe të krijohet një kontinuitet dhe jo të kemi ngulfatje të aktiviteteve ekonomike në Kosovë sepse kjo e rëndon edhe më shumë të ardhmen e shoqërisë kosovare”, thotë Gërxhaliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat